2015-01-11 09:07:18

Kardinali Tauran: sulmi i Parisit kërcënon të gjitha liritë


Java e kaluar do të kujtohet për atentatin terrorist në selinë e gazetës satirike franceze “Charlie Hebdo” në Paris, që shkaktoi 12 të vdekur. Atentatorët ishin shtetas francezë, emigrantë të brezit të dytë, që donin “ta dënonin” të përjavshmen për botimin e disa karikaturave, ku bëhej satirë kundër integralizmit mysliman. Reagimi i botës qe i menjëhershëm. Edhe Papa Françesku e Selia e Shenjtë e dënuan ashpër atentatin dhe u siguruan afërsinë shpirtërore familjarëve të viktimave e të gjithë francezëve. RealAudioMP3
Të shokuar për atentatin e urryer” në Paris, kardinali Jean-Loius Tauran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, së bashku me katër hoxhallarë francezë, për vizitë në Vatikan, publikuan një deklaratë të përbashkët, ku dënuan masakrën dhe ripohuan nevojën e dialogut ndërmjet njerëzve me fe të ndryshme. Në dokument, ftohen besimtarët të shfaqin solidaritetin e tyre përmes miqësisë e lutjes për viktimat e familjet. “Pa lirinë e shprehjes – lexohet në deklaratë – bota është në rrezik”. Prandaj, theksojnë myslimanë e të krishterë, duhet t’i kundërvihemi së bashku urrejtjes dhe të gjitha formave të dhunës, që e shkatërrojnë jetën njerëzore. Përgjegjësit fetarë duhet të promovojnë gjithnjë kulturën e paqes e të shpresës. Duke pasur parasysh ndikimin e mjeteve të komunikimit, në notë kërkohet informacion, që respekton fetë, besimtarët dhe praktikat e tyre fetare, duke promovuar kulturën e takimit. Dialogu ndërfetar, përfundon kardinali dhe katër hoxhallarët francezë, është e vetmja rrugë për të kapërcyer paragjykimet. Të dëgjojmë vetë kardinalin Jean-Louis Tauran, që tregon, në mikrofonin tonë, si e priti lajmin e atentatit:

Natyrisht, me indinjatë të thellë për këto lloj veprimesh, këto lloj krimesh. Është e qartë se janë të rinj me dy dërrasa mangut. Është e tmerrshme të mendosh se mund të zgjidhen problemet me dhunë e madje, ta ushtrosh këtë dhunë në emër të fesë. Mendoj se kërcënohen të gjitha liritë…
Në këtë atmosferë, në Vatikan, erdhën për vizitë katër hoxhallarë francezë, të angazhuar në dialogun ndërfetar. Nënshkruat edhe një deklaratë të përbashkët…

Natyrisht, ishin thellësisht të prekur, si të gjithë ne, për ç’ndodhi në Paris. Në këto rrethana, kujtuan se bota është në rrezik, kur nuk garantohet liria e shprehjes. Prandaj, kundërshtimi i urrejtjes dhe i çdo forme të dhunës, që e shkatërron jetën njerëzore, që dhunon dinjitetin dhe minon bashkëjetesën ndërmjet njerëzve e popujve, është domosdoshmëri. Dy janë rrugët: dialogu o lufta. Ne, për natyrën e fesë, jemi “të dënuar” të dialogojmë.
Mendoni se dëshira për dialog është e përgjithshme, apo duhet dialoguar vetëm në disa raste?
Mendoj se në të gjitha gjërat kemi si të mirën, ashtu edhe të keqen. Veçanërisht i rëndësishëm, madje prioritar, është edukimi: shkolla dhe universiteti. Duhet të mësojmë si ta njohim njëri-tjetrin, duhet të kuptojmë si jeton tjetri, çfarë beson, cilat janë vlerat e tij e kjo presupozon një rrugë të gjatë, që bëhet përmes shkollës. Besoj shumë në mësimin e historisë në mënyrën më objektive të mundshme, sepse problemet e paragjykimet lindin nga injoranca.
Në një deklaratë të 12 gushtit 2014, ju patët thënë se të gjithë krerët fetarë duhet t’i dënojnë aktet e barbarisë e të terrorit, kryer në emër të Zotit. A është i mjaftueshëm vetëm dënimi?
Besoj se thirrja e muajit gusht është pasuar nga hapa përpara: krerët e fesë myslimane janë shprehur, madje edhe energjikisht, e mendoj se është e rëndësishme t’i inkurajojmë. Por duhet edhe të kuptojmë se për një mysliman të vërtetë, është poshtërim i madh kur sheh se feja e vet përgojohet në këtë mënyrë, sepse konsiderohet një me dhunën e verbër. Rëndësi ka që nëpër xhami të flitet gjithnjë për dialog. Formimi i myslimanëve realizohet në çastin e lutjes të së premtes, prandaj duhen përgatitur mirë predikimet e hoxhallarëve, që ta tregojnë këtë interes për takimin e dialogun.







All the contents on this site are copyrighted ©.