2015-01-09 16:32:52

Charlie Hebdo: terroristët e rrethuar, një i tretë qëllon në Paris


Operacioni policor për neutralizimin e dy vëllezërve Kouachi, autorë të atentatit në të përjavshmen satirike “Charlie Hebdo”, vazhdon në Dammartin-en-Goele, rreth 40 kilometra në verilindje të Parisit. Dy vëllezërit kanë një peng: përgjegjësin e tipografisë, që u shërben atyre si barrikadë, pas së cilës thonë se do të vdesin si martirë. Por alarmi është spostuar në kryeqytetin francez, ku rreth orës 13.00 të ditës së sotme, një njeri i armatosur sulmoi dyqanin e ushqimeve kosher, që frekuentohet nga hebrenjtë e zonës së stacionit Porte de Vincennes, në lagjen XX. Burri, i armatosur me dy kallashnikovë, ka marrë peng pesë vetë, pas një shkëmbimi zjarri, ku mbetën të vrarë dy të tjerë. Me sa duket, është fjala për të njëjtin terrorist, që dje vrau një grua police në Montrouge, tjetër lagje periferike e Parisit. Për këtë sulm kërkohen dy vetë: Amedy Coulibaly, një 32 vjeçar me origjinë afrikane, në të dhënat penale të të cilit figurojnë trafiku i drogës dhe dhuna kundër së fejuarës, si edhe 26 vjeçarja Hayat Boumeddiene.RealAudioMP3
Parisi dhe e gjithë Franca po përjeton terrorin, por edhe indinjatën e thellë, që i ka bërë njerëzit të protestojnë nëpër sheshe e të kërkojnë të mos instrumentalizohet frika. Të dëgjojmë analistin italian Alessandro Politi, në mikrofonin tonë:

Duhet shmangur manipulimi i frikës. Kur frika shfrytëzohet për qëllime politike aspak të pastra, duhet të kemi shumë kujdes. Të kujtojmë se në Evropë, spanjollët kanë pasur 200 viktima, anglezët, 50 e, edhe ne italianët, vërtet nuk kemi vdekje nga terrorizmi që nga viti 2001, por kemi 84 viktima të mafies vetëm në vitin 2013. Duhet të kemi kujdes, por duhet të shmangim me çdo kusht histerinë e atmosferës së luftës e të terrorit, apo idenë e ndeshjes ndërmjet qytetërimeve. Atentatorët e “Charlie Hebdo” vijnë nga një shtresë e popullsisë, që i është nënshtruar një propagande tepër të fuqishme këtyre viteve, duke rënë në kurth. Unë jetoj në një lagje shumëetnike në Romë e s’kam pasur kurrë probleme me fqinjët e mi myslimanë. Nuk duhet t’u lëshojmë pe terroristëve e atyre, që shfrytëzojnë këto ngjarje tragjike për interesa politike.

A ekziston një rrezik terrorizmi edhe për Romën, qendra e katolicizmit botëror?

Ka pasur ndonjë deklaratëpër Romën nga ana e të vetëquajturit Shtet Islamik . Por kërcënimet kundër Charlie Hebdo kanë qenë më të mirëpërcaktuara e më të shpeshta. Ky është fakt. Propaganda xhihadiste është demaskuar nga bashkësitë myslimane, që kanë bërë si kanë ditur më mirë, por nuk janë ndihmuar nga organet e shtetit e kjo, jo vetëm në Itali. Terrorizmi është armë politike jashtëzakonisht e dobët, por që mund të godasë kur do, në pikat më pak të mbrojtura. Ose jemi në gjendje t’i përgjigjemi me guxim, ose e lemë veten në duart e këtyre, që në fund të fundit, janë elementët më të izoluar, pra, në teori, edhe më të dobtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.