2015-01-09 18:04:42

Blitz i dyfishtë në Paris, përfundoi ankthi


Përfundoi ankthi i Parisit, pas ndërhyrjes së dyfishtë të policisë në Vincennes dhe në Dammartin. Bilanci: tri xhihadistë të vrarë, disa pengje të liruar. Drama e Francës, gati në gjendje shtetrrethimi pas masakrës në selinë e gazetës “Charlie Hebdo”, që shkaktoi 12 viktima, përfundoi për disa minuta. Vëllezërit Kouachi, autorët e atentatit terrorist, u vranë nga policia në tipografinë Dammartin en Goel, 40 km larg kryeqytetit, ku ishin strehuar duke marrë peng përgjegjësin e ndërmarrjes, i cili u lirua. RealAudioMP3
Njëkohësisht, policia franceze sulmoi dyqanin e ushqimeve për hebrenjtë në Porte de Vincennes, ku një tjetër xhihadist pati marrë peng pesë vetë, ndër të cilët një ferishte të sapolindur. Burri i armatosur me kallashnikov është Amedy Coulibaly, i njëjti terrorist që dje hapi zjarr e vrau një grua police në Montrouge, gjithnjë në periferi të Parisit. Autoritetet po kërkojnë edhe një vajzë të re, që duket se ka të bëjë me këtë vrasje. Quhet Hayat Boumeddiene.Në dyqan, fatkeqësisht, kishte edhe pengje te tjerë, prej të cilëve, janë vrarë së paku katër vetë.
Me kalimin e orëve dolën më tepër në pah lidhjet ndërmjet Cherif Kouachi dhe Coulibaly, të dy të përfshirë në planin për arratisjen nga burgu të Smain Ait Ali Belkacem, terroristit algjerian, dënuar me burgim të përjetshëm për atentatet e vitit 1995 në metropolitanën e Parisit.








All the contents on this site are copyrighted ©.