Më 27 dhjetor kalendari kujton Shën Gjonin, Ungjilltar
Më 27 dhjetor kalendari Kishtar përkujton Shën Gjonin, Apostull e Ungjilltar. Shën
Gjoni, i biri i Xebedeut, vëlla me Shën Jakun Apostull e nxënës i Shën Gjon Pagëzuesit,
është ndër të parët që ndoqën Krishtin. Autor i Ungjillit të katërt dhe i librit të
Zbulesës, dishepull i Jezusit. Ishte i pranishëm në Mundimet e Krishtit me Marinë.
E me të, thotë tradita, jetoi në Efez. Këtu vdiq pas mërgimit në Patmos. Sipas Palit,
Gjoni ishte një “shtyllë” e Kishës, me Pjetrin e Jakobin. Shën Gjoni Ungjilltar
qe nxënësi më i dashur i Zotit, ai që gjatë Darkës së Mbrame mbështeti kokën në kraharorin
e Mësuesit. Mik i ngushtë i Jezusit, në Ungjillin e katërt nuk thirret kurrë me emër,
por “Ai që Jezusi e donte”. Pajtor i skulptorëve dhe i piktorëve e i shumë fshatrave
malore në veri të Shqipërisë, ai ishte peshkatar i varfër, me prejardhje nga Betania,
ashtu si edhe dy apostujt tjerë: Pjetri e Andreu. Gjatë jetës publike të Mësuesit,
Gjoni bënte pjesë në grupin e zgjedhur të Apostujve, të pranishëm në ringjalljen e
së bijës të Gjairit, që kundrojnë Krishtin e shndërruar mbi mal, që e rrethojnë në
orën e agonisë në Gjetseman. Në çastin e kapjes së Jezusit edhe Gjoni ikën, por më
pas, së bashku me Pjetrin, rikthehet mbrapsht dhe e ndjek Mësuesin deri në fund të
fundit, deri te këmbët e kryqit, ku Krishti i lë amanet Nënën e tij. I thirrur
nga Jezusi “biri i bubullimës” Gjoni, me temperament të zjarrtë, ishte armik i kompromiseve
e i lëvdatave. Ai shkroi njërin nga ungjijtë, duke u përqendruar plotësisht tek hyjnia
e Krishtit, në të cilin dha përkufizimin më të lartë të Hyjit: “Zoti është dashuri!”.
E
në Ungjillin e tij, ashtu si shqiponja – simboli i Gjonit – që në rrahjen e parë të
krahëve, ngrihet në lartësitë marramendëse të misterit të të Shenjtnueshmes Trini:
“Në fillim ishte Fjala, e Fjala ishte pranë Zotit, e Fjala ishte Zoti!”. Shën Gjoni
shkroi edhe Librin e Apokalipsit – apo të Zbulesës, libri i fundmë i Besëlidhjes së
Re. Vdiq në Efez në vitin 101. Papa: Shën Gjoni Apostull e Ungjilltar është
dishepulli që shpalli se ‘Zoti është dashuri”. Sot me 27 dhjetor Kisha përkujtoi
Shën Gjonin Apostull e Ungjilltar, të cilit Benedikti XVI i kushtoi tre katekizma
gjatë verës së vitit 2006. Shën Gjoni Ungjilltar – pohon Papa – nuk është teorik:
e takoi Jezusin, Zot të vërtetë e njeri të vërtetë, e këtë përvojë konkrete dëshiron
t’ua komunikojë edhe të tjerëve. Ai është i pushtuar nga dëshira paradoksale për të
bërë të dukshme të padukshmën, prandaj nuk mund të heshtë e të mos flasë për ç’ka
parë e dëgjuar, edhe përballë atyre që e persekutojnë Pikërisht kjo çiltërsi në
dëshmimin e fesë, mbetet shembull për të gjithë ne e na kujton se duhet të jemi përherë
gati për ta dëshmuar burrërisht bashkimin tonë të patundur me Krishtin, duke ia kundërvënë
fenë çdo llogarie e interesi njerëzor. Gjoni, me intuitë shkreptimtare, shpall
se Zoti është dashuri, dashuri që Hyji e shprehu konkretisht në Jezusin. E Krishti
nuk u mjaftua me fjalë, por kaloi nga fjalët, tek veprat, duke e paguar me kokë, impenjimin
e tij, ashtu siç shkruan edhe Shën Gjoni: “Hyji e deshi aq shumë botën, dmth të gjithë
neve, sa të dhuronte Birin e tij të vetëm (Gjn. 3, 16). E dashuria e Hyjit për njerëzit
konkretizohet e dëftohet në dashurinë e vetë Krishtit. E Gjoni vijon të shkruajë:
“Jezusi, pasi i deshi të tijtë që ishin në botë, i deshi deri në fund të fundit”.
… Ja deri ku arriti dashuria e Jezusit për ne: deri në derdhjen e gjakut të vet për
shëlbimin tonë! I krishteri, duke kundruar këtë provë të dashurisë, nuk mund të mos
e pyesë veten se si duhet t’i përgjigjet. Gjoni flet për urdhërimin e ri të Jezusit:
‘Duajeni njëri-tjetrin, ashtu si ju desha unë. Kështu – nënvizon Papa - dashuria bëhet
vërtetë e krishterë, sepse është dashuri për të gjithë, pa kurrfarë dallimi e edhe
sepse arrin deri në pasojat më të skajshme, duke mos pasur masë tjetër, veçse mungesën
e çdo lloj mase.
Këto fjalë të Jezusit: ‘Siç ju desha unë’- na ftojnë e njëkohësisht
na shqetësojnë: janë cak kristologjik që mund të duket i paarritshëm, por njëkohësisht
janë edhe nxitje që nuk na lë të biem në plogështi, të kënaqemi me veteveten, por
na shtyn të ecim vazhdimisht drejt këtij caku. Papa flet për Gjonin, autorin e
‘Zbulesës’, që na zbulon kuptimin e gjithë historisë e cila, përndryshe, do të mbetej
e pakuptuar: vegimtari i Patmosit i shkruan vegimet e tij të mëdha: themelor është
vegimi i Qengjit të therur, që qëndron drejtë në këmbë, në mes të fronit, ku është
ulur vetë Hyji. Jezusi, Biri i Hyjit, në këtë tokë është Qengj i pambrojtur, i
plagosur, i vdekur. E megjithatë, qëndron drejt në këmbë, para fronit të Hyjit dhe
merr pjesë në pushtetin hyjnor. Ai e ka në dorë historinë e botës. E kështu vegimtari
dëshiron të na thotë: “Kini besim në Jezusin, mos u trembni nga pushtetet kundërshtare,
nga persekutimet. Qengji i plagosur e i vdekur fiton! Ndiqeni Qengjin Jezus, besojini
Jezusit, merrni rrugën e tij! Edhe pse në këtë botë është vetëm një Qengj, që duket
i ligshtë, ai është fitimtari! Papa na fton t’i ngjasim Gjonit, i cili mbështet
kokën mbi kraharorin e Mjeshtrit gjatë Darkës së Mbrame:“Zoti na ndihmoftë të ulemi
në bankat e shkollës së Gjonit për të nxënë mësimin e dashurisë, për ta ndjerë se
Krishti na do ‘deri në fund të fundit’ e për ta shkrirë jetën për të.