2014-12-26 13:27:29

Papa Françesku në Engjëllin e Tënzot: liria fetare, e drejtë e patjetërsueshme


Të krishterët e persekutuar, edhe sot janë “në zemër të Krishtit e të Kishës”. Kështu tha Papa Françesku në Engjëllin e Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit, në festën e Shën Shtjefnit, martirit të parë. Ati i Shenjtë ftoi për koherencë të krishterë në çdo rrethanë.RealAudioMP3
Në ditën në të cilën liturgjia na kujton dëshminë e Shën Shtjefnit, i cili, “me martirizimin e tij” nderon “ardhjen në botë të Mbretit të mbretërve, duke i dhënë si dhuratë vetë jetën e vet”, Papa Françesku përmendi sërish të krishterët, që edhe sot e kësaj dite persekutohen si martirët e parë:

“Të lutemi veçanërisht për sa diskriminohen, persekutohen e vriten për shkak të dëshmisë për Krishtin. Dua t’i them secilit prej tyre: nëse e mbani këtë kryq me dashuri, keni hyrë në misterin e Krishtlindjes, jeni në zemrën e Krishtit e të Kishës”.

Duke menduar për vendet e shumta, në të cilat persekutimi vijon, Papa u lut:

“Falë edhe flijimit të këtyre martirëve të sotëm – e janë shumë, tepër – u përforcoftë në çdo anë të botës angazhimi për ta njohur e për ta siguruar konkretisht lirinë fetare, e cila është e drejtë e patjetërsueshme e çdo njeriu”.

Në Ungjillin e sotëm sipas Mateut, Jezusi i dërgon dishepujt në mision, duke i paralajmëruar se do t’i urrejnë për shkak të emrit të Tij, por u thotë edhe se ata, që do të qëndrojnë deri në fund, do të shëlbohen. Ati i Shenjtë shpjegoi se këto fjalë e zhveshin Krishtlindjen nga ajo fasadë e sheqerosur deri në velje, që nuk i përket kësaj feste:

“Në sprovat, që i pranojmë për shkak të fesë, dhuna mundet nga dashuria, vdekja, nga jeta. E për ta pranuar vërtet Jezusin në jetën tonë e për ta zgjatur gëzimin e Natës Shenjte, udha është pikërisht kjo që na tregon ky Ungjill, pra, të japim dëshmi për Jezusin në përvuajtëri, në shërbimin e heshtur, pa frikë se po shkojmë kundër rrymës dhe paguajmë personalisht”.

E megjithëse jo të gjithë janë të thirrur të derdhin gjakun si shën Shtjefni, vazhdoi Papa Françesku, çdo i krishterë duhet të jetë koherent me fenë e vet, prandaj, duhet të mendojë, të ndjejë e të jetojë si i krishterë:

“Koherenca e krishterë është hir, që duhet t’ia kërkojmë Zotit. Të jemi koherentë, të jetojmë si të krishterë e të mos themi ‘jemi të krishterë’ e të jetojmë si paganë. Koherenca është hir për t’u kërkuar sot”.

Ungjilli na tregon një rrugë aspak të lehtë, nënvizoi Ati i Shenjtë, por kjo udhë është e mrekullueshme e ata, që e përshkojnë me besim e guxim marrin dhuratën e premtuar nga Hyji për burrat e gratë vullnetmirë. Kjo dhuratë është paqja:

“Kjo paqe e dhuruar nga Zoti është në gjendje të pajtojë ndërgjegjen e atyre që, përmes sprovave të jetës, dinë ta pranojnë Fjalën e Hyjit dhe angazhohen për ta ndjekur me këmbëngulje deri në fund”.

Pas Lutjes së Engjëllit të Tënzot, në atmosferën e Krishtlindjes, Papa i uroi të pranishmit në Sheshin e Shën Pjetrit të kenë paqe, ndërsa atyre që quhen Shtjefën, Stefan, apo Stefani, u uroi ditën e emrit. Besimtarët u përgjigjën me një kor urimesh. Së fundi, një falenderim:

“Gjatë këtyre javëve, kam marrë shumë mesazhe urimi nga Roma e nga anë të tjera të botës. Nuk është e mundur t’i përgjigjem secilit, prandaj po u shpreh sot të gjithëve falenderimin tim më të ndjerë, sidomos për dhuratën e lutjes”.







All the contents on this site are copyrighted ©.