2014-12-26 13:28:16

Armëpushimi i Krishtlindjes, 25 dhjetor 1914


Llogoret kundërshtare ishin tepër pranë e ushtarët vuanin njëlloj; e njëlloj e prisnin Krishtlindjen, me frikën e vdekjes e mallin e pashuar për traditat, për ardhjen e Krishtit, që sjell paqen. Paqen aq të dëshiruar në mes të tmerreve të Luftës I Botërore. Njëqind vjet më parë. Në Fiandër të Belgjikës, në frontin perëndimor të Luftës së madhe. Pikërisht këtu, një natë të largët Krishtlindjeje, ushtarët anglezë e gjermanë, shpallën një armëpushin të papritur e të pashoq, pa menduar fare për komanda e urdhëra, përveç urdhërit të dashurisë, që u erdhi papritmas nga lart, ku engjëjt i këndonin “Lumni Zotit në qiejt e larta e paqe mbi tokë njerëzve vullnetmirë”. I ulën armët e nisën të bisedonin, t’i shtrëngonin dorën njëri-tjetrit, të përqafoheshin, nga llogorja në llogore. Madje kremtuan edhe një Meshë të përbashkët, duke dalë nga dheu, ku kalbeshin së gjalli prej kohe. Atëherë nisi shkëmbimi i urimeve, tingujt e këngëve të përmallshme të vendeve të tyre të krishtera. Studiuesit e kësaj ngjarjeje të pazakontë, shikojnë në të “Rrënjët e krishtera të Evropës”, që nisën të lulëzojnë paprimtas në mes të tmerrit të luftës, ku humbën jetën më se 9 milionë luftëtarë e 7 milionë viktima civile. Rrënjë, një pjesë e mirë e të cilave u dëmtua rëndë nga Lufta I Botërore.
Disa nga letrat e familjeve të ushtarëve anglezë, që e dëshmojnë këtë episod, u botuan në vëllimin “Armëpushimi i Krishtlindjes-letra nga fronti”. Mund të lexohen në faqen e internetit .
Mësim i çmuar, 100 vjet pas Luftës së Madhe, në një botë ku ka shpërthyer prej kohe lufta e tretë, për të cilën flet aq shumë Papa Françesku.











All the contents on this site are copyrighted ©.