2014-12-25 11:10:23

Mesha e Natës. Papa: bota ka nevojë për dhimbsuri, butësi, mirësi


Hyji nuk e njeh shpërthimin e inatit e të padurimit: është gjithnjë pranë nesh, si babai i shëmbëlltyrës së djalit plangprishës, në pritje për ta parë nga larg birin e humbur. Këtë theksoi Papa në homelinë e Meshës të Natës së Krishtlindjes, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, me pamje madhështore feste.RealAudioMP3
Historia e shëlbimit dhe durimi i Hyjit
Duke rikujtuar historinë e shëlbimit, plot me tradhti njerëzish e popujsh, e qëndrimin e Zotit, Papa nënvizoi “ky është durimi i Hyjit”. Sa e vështirë është ta kuptosh këtë, komentoi pastaj, duke përsëritur disa herë me ton meditativ: “durimi i Hyjit”.
Hyji, që i kishte mbështetur të gjitha shpresat mbi njeriun e krijuar sipas ngjasimit e shëmbëlltyrës së Tij, priste. E priti gjatë, aq gjatë, sa në një farë pike duhet të kishte hequr dorë. Po ai nuk mund të hiqte dorë, sepse nuk mund ta mohonte vetveten. Prandaj, vijoi të priste me durim, përballë shthurjes së njerëzve e të popujve.
Populli, që ecte në errësirë, pa një dritë të madhe…
Derisa Natën e Betlehemit “Populli, që ecte në errësirë, pa një dritë të madhe; mbi ata që banonin në tokën e hijes së vdekjes, zbardhi drita”. (Is 9,1).
Me këtë profeci të Isaisë Profet e nisi homelinë Papa, për ta vijuar me kumtin e Ungjillit “Engjëlli i Hyjit u afrua tek barinjtë e lumnia e Zotit i shndriti” (Lk 2,9). Kështu e paraqet liturgjia e Natës së Shenjtë lindjen e Shëlbuesit, si dritë, që depërton kudo dhe davarit errësirën më të dendur. Prania e Zotit në mes të popullit të vet e shlyen barrën e disfatës dhe trishtimin e skllavërisë. Sjell gëzim e hare.
Edhe ne, në këtë natë të bekuar, erdhëm në shtëpinë e Hyjit nëpër errësirën që mbështjell tokën, kujtoi Papa, por të prirë nga flaka e fesë, që i shndriti hapat tanë e të frymëzuar nga shpresa për të gjetur dritën e madhe. Duke e hapur zemrën tonë, edhe ne kemi mundësi ta kundrojmë mrekullinë e këtij Fëmije-diell, që ndriçon horizontet, duke lindur mes nesh.
Mesazhi i madh: Hyji i dashuruar me vogëlsinë tonë.
Prej këndej, Papa kujtoi mesazhin e madh, që buron nga festa: “Ajo, që e prisnin të gjithë, që të gjithë e kërkonin me shpirt, nuk ishte tjetër veçse dhimbsuria e Hyjit: Hyji, që na shikon me sy plot dashuri, që e pranon mjerimin tonë. Hyji i dashuruar me vogëlsinë tonë.
Kjo Natë e madhe, vijoi të kujtonte Papa, me kundrimin e Krishtit Fëmijë të sapolindur e të vendosur mbi grazhd, na fton të reflektojmë: “Si e presim dhimbsurinë e Hyjit? E lëmë të na afrohet, të na përqafojë, apo e pengojmë?”. E edhe nëse përsërisim pambarimisht “Po unë e kërkoj Zotin”, duhet ta kemi mirë parasysh, nënvizoi Françesku, se gjëja më e rëndësishme nuk është ta kërkosh, por të mos e pengosh, kur vjen të të përkëdhelë me dashuri.
Arrogantët e krenarët nuk janë të aftë ta pranojnë Zotin
Dhimsuri, afërsi, butësi; kjo është lutja, që duhet t’ia drejtojmë Zotit, vijoi Papa, që të mund ta shikojmë dritën e madhe, atë të cilën e panë dymijë vjet më parë, ata që e kishin zemrën të pastër. E panë njerëzit e thjeshtë, të gatshëm për ta mirëpritur Hyjin. Përkundrazi, nuk e panë arrogantët, krenarët, ata që bëjnë ligje sipas kritereve të tyre personale, që ia mbyllin zemrat Zotit.
Në Meshë, muzika e Mozart: “Et incarnatus est”Gjatë kremtimit, me dëshirën e Papës, në çastin e Besojmës, u luajt “Et incarnatus est”(E Ai u mishërua) nga Mesha në Do minore e Mozart. E luajti orkestra Simfonike e Pittsburgh-ut, drejtuar nga drejtori austriak, Manfred Honeck. Zëri i solistes ishte i Chen Reis, soprano me origjinë izraelite. Këngë prekëse, që Papa e ndoqi në gjunj, në lutje.







All the contents on this site are copyrighted ©.