2014-12-23 16:38:01

Përkujtohet prifti, që pagëzoi Nënë Terezën, në 100 vjetorin e kalimit në amshim


Në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, më 20 dhjetor me një Akademi Shkencore është përkujtuar meshtari, mësuesi e atdhetari i madh nga Stublla e Vitisë, don Zef Ramaj, në 100 vjetorin e kalimit në amshim.
Në përshëndetjen e tij, don Albert Jakaj tha se, si famullitar i Stubllës, vendlindjes së Don Zefit dhe si meshtar, ndjehem dyfish i nderuar për faktin se po hapen shtigje për njohjen e veprës së tij. Prandaj, e përgëzoj këtë nismë, me bindjen se figura e don Zefit do të ndriçohet edhe më shumë me ngjarje të ndryshme sepse kështu njohim rrënjët tona kombëtare e kishtare. ‘Mbi të gjitha, kështu njomim kujtesën, për çka kemi nevojë më shumë se kurrë’, tha don Alberti.

Më pastaj, foli don Lush Gjergji për kontributin e don Zefit në arsimimin e brezave dhe çështjen kombëtare “Një aspekt tjetër që spikaste në jetën dhe shërbimin meshtarak të Don Zef Ramajt ishte kujdesi, përkrahja dhe puna e palodhshme për shkollën shqipe pranë famullisë “Zemra e Krishtit”. Ai e dinte fare mirë se dija dhe edukimi janë shtylla të nevojshme dhe të domosdoshme për njeriun, familjen dhe shoqërinë tonë, sidomos pas territ shumëshekullor dhe sundimit turko-otoman, i cili na kishte stërlodhur dhe rrezikuar në çdo aspekt të jetës”, tha don Lushi, duke sjell në mendje se Don Zef Ramaj e pagëzoi Gonxhe Bojaxhiun, më pas të Lumën Nënë Tereze duke na folur edhe për dëshminë e saj:“Kam lindur në natën mes 26 dhe 27 gusht 1910. Para apo pas mesnatës, nuk e di, e as që ka rëndësi. Prindërit e mi fill në mëngjes më kanë sjellë në kishën “Zemra e Krishtit” në Shkup, ku më ka pagëzuar famullitari i atëhershëm Don Zef Ramaj. Prandaj është mirë që të shënohet datëlindja ime më 27 gusht, sepse atë ditë jam pagëzuar, kam lindur për Zotin”, nënvizoi don Lushi.

Kumtesa paraqiten edhe prof. Nuri Bexheti, Sarë Gjergji, Albert Ramaj dhe Bejtullah Destani, të cilët ndriçuan lartë figurën e tij, sepse sipas tyre, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në histori dhe ardhmëri. Me ketë rast u bë edhe promovimi i librit kushtuar Don Zef Ramajt, me autor Albert Ramaj.
Më vonë siç me njoftoi don Albert Jakaj, në Stubëll të Vitisë është bërë përurimi dhe bekimi i Memorialit të don Zefit, nga ipeshkvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji, ndërsa zbulimin e kanë bërë disa anëtarë të familjes. Këtë vepër e ka ndërtuar skulptori i mirënjohur, Agron Bytyçi. Ceremonia e gjithë kësaj dite ka kulmuar me kremtimin e Meshës së Përshpirtshme, celebruar nga Shkëlqesia e Tij, Imzot Dodë Gjergji.







All the contents on this site are copyrighted ©.