2014-12-22 16:55:38

Koha e Ardhjes, kohë e pritjes, e përtëritjes. Meditime për çdo ditë: 22 dhjetor



Ëmbëlsi pa cak
Secili nesh ka në zemër ëmbëlsi e rebelim.
Ka forca që e nxisin të luftojë për paqen e forca që e ngacmojnë , duke e ushqyer me agresivitet, inat, dëshirë për hakmarrje, që vjen e vjedh gjumin e pafajshëm.
Kur ndjehemi mirë, kur mendimet e afshet fashite, shpirti pushtohet nga një ëmbëlsi misterioze. Mbi të zbret paqja.
Përvojë e thellë, e këndshme, e ëmbël, qetësuese për zemrën. Të duket sikur i hap portën zërit, që zbret nga lart e thotë: “Zoti është zanafilla e dashurisë, banon në zemrën tënde, është qendra e jetës sate”.
Nuk duhet t’i shkrijmë energjitë e forcat për çka nuk vlen, për çka na shkatërron ne e na nxit t’i kthejmë në gërmadha edhe të tjerët.
Ta drejtojmë këtë forcë kah brigjet e jetës; ta lidhim spirancën për zemër, ku gjithçka mund të bëhet ëmbëlsi e dritë.

Për të gjetur këtu vendin e mëshirës e të përdëllimit, për vete e për të tjerët.
Shën Françesku e quan “vendi i lavdërimit” që, duke nisur nga thelbi, lartohet drejt Atij, Krijuesit shenjt e të gjithëpushtetshëm, që banon në qiell e në të gjitha skajet e dheut, duke e takuar, kështu, në zemrën e vet.

Lavde Zotit të tejet të lartë
Ti je shenjt, o Zot, Hyj i vetëm
që bën mrekulli.
Ti je i fortë, Ti je i madh, ti je Shenjt,
Mbret i qiellit e i tokës.
Ti je një i vetëm në Tre Vetje, Zot, Hyj i hyjnive.
Ti je i mirë, çdo e mirë, e mira e pambaruar.
Zot Hyj, i gjallë e i vërtetë,
Ti je dashuri, je dhimbsuri, je urti,
Ti je përvuajtëri, je durim,
Ti je bukuri e butësi,
Je siguri e je prehje,
Galdim je e gëzim, Ti je shpresa jonë,
Ti je drejtësi, Ti je përkora,
Je pasuria jonë që na mjafton.
Je bukuri e butësi,
Mbrojtësi e rojtari ynë.
Ti je fortesa, Ti je freskia,
Ti je shpresa jonë, Feja jonë,
Dashuria jonë,
Ëmbëlsia jonë e plotë,
Ti je jeta jonë e pasosur,
o Zoti i lum e i madhnueshëm,
Ti Hyj i gjithëpushtetshëm,
shëlbuesi ynë i mëshirshëm.
(Shën Françesku)








All the contents on this site are copyrighted ©.