2014-12-22 16:30:56

Françesku: duhet rrëmimi i ndërgjegjes, për të fituar mbi sëmundjet kuriale


Kuria Romake të jetë “model i vogël i Kishës”. Është porosia e Françeskut, drejtuar bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë në Vatikan, të cilët i priti në Sallën Klementine për urimet e Krishlindjes. Papa numëroi pesëmbëdhjetë lloje sëmundjesh kuriale që, tha, kërkojnë mjekim durimtar e këmbëngulës, për t’u shëruar. E ndërmjet këtyre sëmundjeve, po kujtojmë vetëm disa: rivaliteti, vetmburrja, koordinimi i dobët, alzheimeri shpirtëror, e akoma, funksionalizmi e sëmundja e rretheve të mbyllura.RealAudioMP3
Nga ana e anëtarëve të Kuries, Papën e përshëndeti kardinali dekan, Angelo Sodano.

Nuk mund të arrihet tek Krishtlindja, pa rrëmuar ndërgjegjen. Kjo, kujton Françesku, vlen për të gjithë e edhe më shumë duhet të vlejë për ata, që punojnë në Kurien Romake e që jetojnë në lidhje të ngushta me Selinë Apostolike. Do të ishte e bukur, pohoi në krye të fjalimit, të mendosh për Kurien Romake, si për një model të vogël të Kishës, domethënë, si korp i shëndoshë e plot gjallëri, i bashkuar në harmoni të plotë me Krishtin:
Duke qenë Kuria trup i gjallë, nuk mund të jetojë pa u ushqyer e pa u mjekuar. Në të vërtetë Kuria, ashtu si Kisha, nuk mund të jetojë pa lidhje jetike e të fuqishme me Krishtin. Një anëtar i Kuries, që nuk ushqehet ditë për ditë me këtë shujtë, bëhet burokrat (formalist, funksionalist, zyrtarist); shermend që thahet, vdes e flaket tutje”.
Gjithsesi, vijoi Papa, ajo që duhet kujtuar mirë, është se “Shpirti i Hyjit bashkon e shpirti i djallit ndan”. E pikërisht këtu e ka zanafillën ky katalog sëmundjesh kuriale, që Papa Françesku i numëron si ndihmë për ta kremtuar, pastaj, të përgatitur mirë, Sakramentin e Pajtimit me Zotin.
Sëmundja e parë është ajo, që e shtyn njeriun ta ndjejë veten të pavdekshëm, të paprekshëm, të pazëvendësueshëm. Ky kompleks i të zgjedhurve, vijoi, rrjedh shpesh nga sëmundja e pushtetit:
Një vizitë e zakonshme në varreza do t’ju ndihmonte të shikoni emrat e shumë njerëzve, që mendonin se ishin të pavdekshëm, të paprekshëm, të domosdoshëm! Është sëmundja e pasanikut të pamend të Ungjillit, që mendonte se do të jetonte në amshim (cfr. Lk 12,13-21) e edhe e atyre që shndërrohen në padronë, që e ndjejnë veten mbi të gjithë e jo në shërbim të të gjithëve”.
Vjen, më pas, sëmundja e martalizmit a e punës së tepruar që, siç i ndodh Shën Martës, na bën ta lëmë disi mënjanë Jezusin, pjesën më të mirë. E rëndë, edhe sëmundja e ngurtësimit mendor e shpirtëror që, shpjegoi, na bën ta humbasim ndjeshmërinë njerëzore, tejet e nevojshme për të qarë, me ata që qajnë e për t’u gëzuar, me ata që gëzojnë. Më pas u ndalua tek planifikimi i tepruar e tek fuksionalizmi:
Kur apostulli e planifikon gjithçka me hollësitë më të vogla e beson se ka bërë një planifikim të mirë, punët përparojnë e ai bëhet, kështu, llogaritar a ekonomist”
Ta përgatisësh gjithçka mirë, nënvizoi, është e nevojshme, por pa rënë në tundimin për ta mbyllur e për ta drejtuar lirinë e Shpirtit Shenjt, që mbetet gjithnjë më e madhe, më fisnike se çdo planifikim njerëzor. Nuk mund ta “mbyllësh në kafaz” Shpirtin Shenjt, shtoi Papa, jashtë tekstit zyrtar, për të kritikuar, më pas, sëmundjen e koordinimit të dobët e të alzheimeri shpirtëror, domethënë, të atyre që, duke pasë humbur kujtesën e takimit me Zotin, bëhen gjithnjë më shumë skllevër të idhujve, të cilët i skalisin me duart e tyre. Duke u nisur prej këndej, Françesku i thotë ‘jo’ sëmundjes së rivalitetit e të vetëmburrjes, kur dukja, ngjyra e veshjeve, dekoratat, bëhen qëllimi kryesor i jetës. Këta, na kujton Shën Pali, janë armiqtë e Kryqit të Krishtit. Papa ndalohet, më pas, edhe mbi atë, që e quan sëmundje e skizofrenisë ekzistenciale:
“Është sëmundja e atyre, që jetojnë një jetë të dyfishtë, fryt i hipokrizisë, tipike për mediokritetin e për zbrazjen progresive shpirtërore, të cilën diplomat, as titujt akademikë, nuk mund ta mbushin. Sëmundja godet shpesh ata që, si e braktisin shërbimin baritor, kufizohen me punë burokratike, duke humbur, kështu, lidhjen me realitetin, me njerëzit e gjallë”.
Kthesa e madhe, vërejti në vijim, është urgjente dhe e domosdoshme për këtë sëmundje të rëndë. Më pas Ati i Shenjtë rikujtoi e dënoi me forcë thashethemet, murmurimat, përgojimet. Është sëmundja e njerëzve të ulët, theksoi, të cilët, duke mos pasur guxim të flasin drejtpërdrejt, shpërrallojnë pas shpine. E, porositi: “Larg terrorizmit të thashethemeve!”. Edhe një herë, Papa dënoi, pastaj, sëmundjen e atyre, që e kanë zakon t’i hyjnizojnë eprorët, që i mbulojnë me lëvdata deri në neveri, thjesht për të përfituar prej tyre:
Janë viktima të karrierizmit e të oportunizmit, nderojnë njerëzit, jo Zotin (cfr. Mt 23.8-12)- Njerëz, që e jetojnë shërbimin duke menduar vetëm për çka do të marrin e kurrë për çka duhet të japin. Njerëz shpirtvegjël, të palum, të frymëzuar vetëm nga egoizmi i tyre fatal”.
Kjo sëmundje, vijoi Papa, mund t’i prekë dhe eprorët, kur i lavdërojnë bashkëpunëtorët e tyre thjesht për t’i nënshtruar. Vjen, pastaj, sëmundja e indiferencës ndaj të tjerëve e ajo e fytyrave me pamje mortore, e njerëzve të vrazhdë e të thartë me të tjerët. Në të vërtetë, vërejti, rreptësia teatrale dhe pesimizmi shterp janë shpesh herë simptoma të frikës e të pasigurisë në vetvete:
Të mos e humbasim, pra, shpirtin gazmor, plot me humor, madje edhe me autoironi, që na bën njerëz të këndshëm, edhe në situatat më të vështira. Sa mirë na bën përherë një dozë humorizmi”.
Papa i ftoi anëtarët e Kuries të thonë lutjen e humorit të mirë, shkruar nga Shën Tomas More. Për t’u shëruar, shtoi, edhe sëmundja, që të shtyn të grumbullosh. Diçka ndodh, shpjegoi, kur apostulli kërkon ta mbushë zbrastësinë ekzistenciale të zemrës, duke grumbulluar pasuri materiale, jo për nevojë, por për t’u ndjerë i sigurt:
Dikur jezuitët spanjollë e përshkruanin Shoqërinë e Jezusit si ‘kavaleri e lehtë e Kishës'. Më kujtohet transferimi i një jezuiti të ri, që ngarkonte në kamion gjithë pasurinë e vet: bagazhe, libra, sende, dhurata… i ndjekur nga syri i një jezuiti plak, që tha, me buzë në gaz: 'A kjo qenka kavaleria e lehtë e Kishës, a?’. Shenjat e kësaj sëmundjeje duken veçanërisht kur mbartim plaçkat”.
Sëmundje, vërejti Papa, janë edhe “rrethet e mbyllura”, ku përkatësia ndaj grupit bëhet më e fortë se ajo ndaj Korpit e, nganjëherë, edhe se ajo ndaj vetë Krishtit. Sëmundje, kjo, që me kalimin e kohës i skllavëron anëtarët, duke u bërë kancer e shkak shkandujsh.
Së fundi, sëmundja e përfitmit sipas mendësisë së botës, kur apostulli e shndërron shërbimin në pushtet. Është sëmundja e atyre, që bëjnë çmos ta shumëfishojnë pushtetin e, për t’ia arritur këtij qëllimi, janë të aftë t’i nxjerrin namin e keq të tjerëve, deri në gazeta e në revista. Këto sëmundje, reflektoi Papa, janë rrezik për çdo të krishterë e mund të godasin si në nivel individual, ashtu edhe në atë të bashkësisë. Vetëm Shpirti Shenjt, nënvizoi, mund të shërojë çdo sëmundje, të mbështesë çdo përpjekje të sinqertë pastrimi e çdo vullnet të mirë pendese:
Shërimi është edhe fryt i vetëdijes së sëmundjes dhe vendimit personal e komunitar për t’u mjekuar, duke e mbartur me durim e ngulm mjekimin”.
Papa, që u kërkoi të gjithëve ta lusin Virgjërën Mari t’i ndihmojë për shërimin e plagëve të mëkatit e për Kishën e Kurien, që të jenë të shëruara e shëruese, e përfundoi fjalën me një mendim, kushtuar rolit të meshtarëve:
Një herë lexova se ‘meshtarët janë si aeroplanët; flitet për ta, vetëm kur rrëzohen, duke harruar se ka mjaft që fluturojnë. Shumë i kritikojnë e pak luten për ta’. Është frazë shumë simpatike, por edhe shumë e vërtetë, sepse skicon rëndësinë dhe delikatesën e shërbimit tonë meshtarak si dhe të keqen, që mund t’i shkaktojë një meshtar i vetëm, i cili “bie”, mbarë Korpit të Kishës”.











All the contents on this site are copyrighted ©.