2014-12-21 15:38:14

Françesku në Engjëllin e Tënzot: Jezusi troket e ne nuk kujtohemi


T’i përgjigjemi me një ‘po’ personale, të sinqertë, dhuratës së çmuar të Krishtlindjes, që sjell paqe. Për këtë na fton Françesku në të Dielën e katërt e të fundit të Kohës së Ardhjes. Sa herë Jezusi kalon në jetën tonë, ose dërgon një engjëll, e ne nuk e vëmë re fare, kujtoi Papa, duke iu drejtuar mijëra besimtarëve, mbledhur sot rreth Shpellës sugjestive të Betlehemit dhe Bredhit madhështor kalabrez, që stolisin Sheshin e Shën Pjetrit. Të lirë nga çdo mendësi e botës, ishte ftesa e Papës, t’ia hapim portat Krishtit!RealAudioMP3

Mbi të gjitha, Françesku u kërkoi besimtarëve të meditojnë për rrëfimin ungjillor të Lajmit, që mori Maria nga Engjëlli Gabriel.
“T’ia ngulim sytë kësaj vashe të thjeshtë të Nazaretit, në çastin kur gatitet t’i përgjigjet mesazhit hyjnor me atë ‘po’, që do t’ia ndryshonte rrjedhën historisë së botës e jetës së secilit prej nesh.
Maria, shpjegoi Papa, me fenë që dëshmon, bëhet model për ne. E na tregon si duhet të përgatitemi për Krishtlindje, me mendje e zemër në gatishmëri të plotë për ta pritur Fjalën e Zotit. Kur përgjigjet “Ja ku jam” plot fe, Maria nuk e di ku do ta çojë udha, nuk mendon për heshtat, që do t’ia shporojnë zemrën, nuk kujton rreziqet, që mund t’i dalin para. E vetëdijshme se është Zoti ai, që po e kërkon, i beson me gjithë zemër e lëshohet e tëra në krahët e dashurisë së Tij.
Ajo di ta njohë kohën e Hyjit.
Maria na mëson ta shfrytëzojmë çastin e favorshëm, në të cilin Jezusi kalon në jetën tonë e kërkon një përgjigje të gatshme, bujare.
Fjala, që gjeti strehë në kraharorin virgjëror të Marisë, në kremtimin e Krishtlindjes vjen e troket përsëri në zemrën e çdo të krishteri.
Secili nga ne është i thirrur të përgjigjet, si Maria, me një ‘po’ personale e të sinqertë, duke e lëshuar veten plotësisht në dorë të Zotit e të mëshirës së Tij.
Sa herë kalon Jezusi në jetën tonë”, vërejti Françesku:
“… E sa herë na dërgon një engjëll, e sa herë ne nuk e vëmë re fare, sepse jemi të zënë, të zhytur në mendimet tona, në punët tona e, madje, këto ditë, edhe në përgatitjen e Krishtlindjes, aq sa të mos kujtohemi fare për Jezusin, që kalon e na troket në portën e zemrës, duke na kërkuar strehë, duke pritur një ‘po’ nga ana jonë, ashtu si pohimi i gatshëm i Marisë”.
Kur dëgjon në zemrën tënde fjalët: “Po unë dua të jem më i mirë… më e mirë… Po unë jam penduar për atë që kam bërë….”: është vetë Zoti, që të troket. E të bën të ndjesh dëshirën për të qenë më i mirë, dëshirën për të qenë më pranë të tjerëve, më pranë Hyjit… Nëse ti e ndjen këtë, ndalu! Është Zoti aty! E shko e lutu, a ndoshta, edhe rrëfeju, për t’u pastruar pakëz nga bërsitë: kjo bën mirë. Por, kujtoju mirë, eh? “Nëse ti ndjen nevojën për t’u përmirësuar, është Ai, që troket: mos e lërë të kalojë pa u ndjerë!”.
Në misterin e Krishtlindjes, pranë Marisë, kujtoi Papa, është edhe prania e heshtur e shën Jozefit.
Shembulli i Marisë e i Jozefit është për ne të gjithë ftesë për ta pritur me zemër të hapur Jezusin që, për dashuri, u bë vëllai ynë.
Dhurata më e çmuar e Krishtlindjes, është paqja; e Krishti është paqja jonë e vërtetë. “E Krishti troket në zemrat tona për të na dhuruar paqen, paqen e shpirtit. T’ia hapim portat Krishtit!”.
Në fund të lutjes, Papa ia besoi të gjithë prindërit Jezusit:“… për të jetuar një Krishtlindje me të vërtetë të krishterë, të lirë nga çdo mendësi e botës, të gatshëm për ta pritur Shëlbuesin, Hyjin për ne!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.