Liturgjia e Fjalës së Zotit e Natës së Shenjtë të Krishtlindjes
Sonte të krishterët kremtojnë me gëzim Lindjen e Shëlbuesit të njerëzimit. Në këtë
Natë të Shenjtë kundrojmë mbi tokë misteret e Krishtit Zot. E liturgjia
e Fjalës së Zotit e Natës së Shenjtë të Krishtlindjes na tregon se shenja e Zotit
është foshnja, që na thërret të jemi solidarë me fëmijët, sidomos ata që vuajnë. Ai
është Shpëtimtar, dritë Hyjnore që erdhi në botë (Ungjilli) për t'ia ndriçuar
rrugën popullit që ecte në errësirë e banonte në një tokë të zhytur në natë (1
Lexim). Në këtë Natë shfaqet hiri i Zotit që sjell shpëtimin për të gjithë njerëzit:
Krishtin. Ai erdhi në botë për ta dhuruar vetveten për ne, për të na nxjerr e shpëtuar
nga çdo e keqe, madje edhe nga vdekja. Të gjithë ata që i përkasin Atij, ata që prej
Tij janë shëlbuar duhet të angazhohen e të jenë të zellshëm në vepra të mira, të drejta
dashurie.
Krishtlindja pohon se paqja e vërtetë zbriti tek ne nga qielli. Sonte
Liturgjia e Fjalës na tregon mrekullitë që Zoti bëri për njerëzimin, duke dërguar
të Birin e Tij Jezus në kohë e në histori. Të gjithë le të pranojmë se jemi mëkatarë
e të falim njëri-tjetrin nga thellësia e zemrës, për t'i bërë vend Emanuelit në shpirtin
tonë. Liturgjia e Fjalës
Leximi
i parë Is 9, 1-3.5-6 Hebrenjtë nën sundimin e asirjanëve luteshin kështu: “Ardhtë
një njeri për ne në portat e qytetit!”. Është thirrja e një populli të shtypur dhe
të braktisur që pret njeriun e shpëtimit. Dhe njeriu i shumëpritur vjen mes nesh,
por është një foshnje, i varfër dhe i padobishëm. Në vend që të na ndihmojë Ai kërkon
ndihmë prej nesh. Është një foshnje që na kërkon që të angazhohemi me të gjitha forcat
tona për paqen dhe dinjitetin e njeriut.
Lexim prej Librit të Isaisë profet
Populli
që ecte në errësirë, pa një dritë të madhe; për banorët, që jetonin në krahinën e
hijes së vdekjes, zbardhi drita plot shkëlqim. Ti e shtove gëzimin, e madhërove harenë;
ata gëzohen në praninë tënde si njerëzit që i gëzohen korrjes, si gëzohen kur ndajnë
prenë. Sepse ti e theve si ditën e Madianit zgjedhën e tij të rëndë, guzhmën e krahut
të tij, e shkopin e atij që e dëbonte përpara. Sepse na lindi një foshnjë, fituam
një djalë. Në krahun e tij u vu shenja e mbretërisë. Për emër do të quhet: Këshilltar
i mrekullueshëm, Hyj i fortë, Atë i amshueshëm, Princ i Paqes. E madhe do të jetë
mbretëria e tij dhe paqja s’do t’ ketë mbarim mbi fronin e Davidit e mbi mbretërinë
e tij, që ai do ta forcojë e do ta bëjë të fuqishme në të drejtë e në drejtësi. Qysh
tash e për amshim do ta bëjë këtë dashuria e madhe e Zotit të Ushtrive. Fjala e
Zotit.
Psalmi 95 Sot për ne lindi Shëlbuesi, Krishti Zot
Këndoni
Zotit një këngë të re! Mbarë toka le t’i këndojë Zotit! Këndoni Zotit, bekojeni
emrin e tij.
Shpalleni si një ditë për ditë
shpëtimin e tij, kumtojeni
ndër paganë lavdinë e tij, ndër mbarë popujt mrekullitë e tija!
Galdo, o
qiell! Gëzo, o tokë! Le të buçasë deti me ç’ka në të, le të gëzojë fusha me
ç’gjendet në të, le të gërthasin me hare lëndët e pyjeve.
Leximi i dytë
Tit 2, 11-14 Në këtë natë nuk festojmë vetëm lindjen mallëngjyese të një foshnjeje
ardhur në botë në varfërinë e një stalle. Shën Pali pohon se kjo foshnje është Hyji
që është bërë i dukshëm, është shpëtimi ynë. Ai është njeriu Jezus që pranon lirisht
të japë jetën për dashuri, për të na pajtuar me Atin.
Lexim prej Letrës
së shën Palit apostull drejtuar Titit
Fort i dashur, u duk hiri i Hyjit
që u sjell shëlbimin të gjithë njerëzve. Ai na mëson t’i biem mohit besimit dhe dëshirave
të shekullit për të jetuar në këtë botë urtisht, drejtësisht dhe përshpirtërisht,
duke pritur shpresën e lumtur dhe ardhjen e lavdisë së të madhit Hyj dhe Shëlbuesit
tonë, Jezu Krishtit. Ai e flijoi vetveten për ne që të na shpërblejë nga çdo paudhësi
dhe ta pastrojë popullin që Atij i përket, që të jetë plot zell për të kryer vepra
të mira. Fjala e Zotit.
Aleluja, aleluja. Ja, unë po ju sjell
një lajm të mirë: gëzim të madh për mbarë popullin! Sot ju lindi Shëlbuesi – Krishti
Zot! Aleluja, aleluja.
Ungjilli Lk 2, 1-14 Në një fshat të panjohur
të Judesë, të shtypur nga romanët, lind një foshnje, shenjë e shpresës. Lindja e Jezusit
nuk merret vesh nga të mëdhenjtë e kësaj bote, por njihet nga një grup barinjsh si
Mesia i shumëpritur. Lindja e tij është realizimi i profecive të vjetra, dhe shpallja
e një ngjarjeje të ardhme: Pashkët e çlirimit.
Leximi i Ungjillit shenjt
sipas Lukës Në atë kohë, Cezari August dha urdhër të bëhej regjistrimi i popullsisë
së mbarë botës. Ky ishte regjistrimi i parë, kur Kuirini ishte qeveritari i Sirisë.
Të gjithë shkonin të regjistrohen, secili në qytetin e vet. Kështu edhe Jozefi, mbasi
ishte prej shtëpisë dhe prej fisit të Davidit, u ngjit, prej qytetit të Nazaretit
të Galilesë, në Jude, në qytetin e Davidit që quhet Betlehem, për t’u regjistruar
bashkë me Marinë, fatin e vet, që ishte shtatzënë.
Tashti, ndërsa ata po gjendeshin
atje, i erdhi koha të lindë. Ajo lindi djalin e vet – të parëlindurin, e mbështolli
në shpërgënj dhe e vendosi në grazhd, sepse në bujtinë nuk pati vend për ta. Në atë
vend ishin disa barinj, të cilët e kalonin natën përjashta për të ruajtur grigjën
e vet. Engjëlli i Zotit u afrua tek ata dhe lavdia e Zotit u shndriti e ata u trembën
për së tepërmi. Engjëlli u tha: “Mos kini frikë! Ja, unë po ju sjell një lajm të mirë:
gëzim të madh për mbarë popullin! Sot, në qytet të Davidit, ju lindi Shëlbuesi – Krishti
Zot! Dhe, ja shenja për ta njohur: do të gjeni një foshnje të mbështjellë me shpërgënj
e të vënë në grazhd.” Engjëllit menjëherë iu bashkua një ushtri e madhe qiellore,
që madhëronte Hyjin e brohoriste: “Lavdi Hyjit në më të lartin qiell e paqe mbi tokë
njerëzve, që i ka për zemër!”Fjala e Zotit.
Programin tonë radiofonik
kushtuar Natës së Shenjtë të Krishtlindjes, mund ta dëgjoni edhe këtu..... Homelia e
Papës Benediktit të XVI në Meshën e Krishtlindjes në mesnatë në Vatikan 2006! Të
dashur vëllezër dhe motra, porsa dëgjuam në Ungjill fjalën që Engjëjt në Natën
e Shenjtë u thanë barinjve e që tani Kisha na e thotë ne me gëzim të madh: “Sot në
qytetin e Davidit lindi një Shëlbues, që është Krishti Zot. Ja shenja për ju: do të
gjeni një fëmijë të mbështjellur në shpërgënj që rri në një grazhd. (Lk 2,11s). Asgjë
të mrekullueshme, të jashtëzakonshme, asgjë të madhërueshme që t’u jepet si shenjë
barinjve. Do të shohin vetëm një fëmijë të mbështjellur ndër shpërgënj, i cili si
të gjithë fëmijët ka nevojë për kujdeset e së ëmës. Një fëmijë që ka lindur në një
stallë dhe prandaj nuk është në një djep, por në një grazhd. Shenji i Zotit është
fëmija dhe nevoja e tij për ndihmë në varfërinë e vet. Vetëm me zemër barinjtë do
të munden të shikojnë se te ky fëmijë është kthyer në realitet premtimi i Isaisë profet
që dëgjuam në leximin e parë: “Një fëmijë është lindur për ne, na është dhënë një
bir. Mbi shpatullat e tija ka shenjën e mbretërimit.” (Is 9,5). As ne nuk na është
dhënë një shenjë tjetër. Engjëlli i Zotit nëpërmjet mesazhit të Ungjillit, na grishë
edhe ne që të vihemi për rrugë me zemër për të parë foshnjën që pushon në grazhd. Shenja
e Zotit është thjeshtësia. Shenja e Zotit është foshnja. Shenja e Zotit është Ai që
bëhet i vogël për ne. Kjo është mënyra e tij për të mbretëruar. Ai nuk vjen me
fuqi e madhështi të jashtme. Ai vjen si një foshnje – i pambrojtur e dhe nevojtar
i ndihmës sonë. Nuk don të na mposht me anë të forcës. Na e heq frikën e madhështisë
së Tij. Ai na kërkon dashurinë tonë prandaj edhe bëhet foshnje. Nuk do asgjë tjetër
nga ne përveç dashurisë sonë, përmes së cilës mësojmë të hyjmë në mendjen e Tij dhe
në vullnesën e Tij - mësojmë të jetojmë me Të dhe të zbatojmë me Të edhe përvujtëninë
e të hequrit dorë, që është pjesë e thelbit të dashurisë. Zoti u bë i vogël në mënyrë
që ne Ta kuptonim, Ta mirëprisnim, Ta donim.
Etërit e Kishës në përkthimin
greqisht të Besëlidhjes së Vjetër, gjenin një fjalë të profetit Isaia, që edhe Pali
e citon, për të na treguar sesi rrugët e reja të Zotit ishin paralajmëruar qysh në
Besëlidhjen e Vjetër. Aty thuhej: “Zoti e ka bërë Fjalën e vet të shkurtër, e ka shkurtuar.”
(Is 10,23; Rom 9,28) Etërit e interpretonin në një mënyrë të dyfishtë. Vetë Biri
është Fjala, Logos-i; Fjala e Amshuar është bërë e vogël – aq e vogël sa të hyjë në
një grazhd. Është bërë foshnje në mënyrë që Fjala për ne të bëhet e kapshme. Kështu
Zoti na mëson t’i duam të vegjlit. Na mëson kështu të duam të ligështit. Na mëson
kësisoj respektin përballë fëmijëve. Foshnja e Betlehemit e drejton shikimin tonë
nga të gjithë fëmijët që vuajnë dhe të abuzuar nëpër botë, ata që kanë lindur si edhe
ata që nuk kanë lindur. Drejt fëmijëve që, si ushtarë, udhëhiqen për në një botë dhune,
drejt fëmijëve që duhet të lypin, drejt fëmijëve që vuajnë nga mjerimi dhe uria, drejt
fëmijëve që nuk provojnë asnjë lloj dashurie. Te të gjithë këta është Foshnja e Betlehemit
që na tërheq vëmendjen. Na tërheq Zoti që është bërë fëmijë. Le të lutemi në këtë
natë që rrezatimi i dashurisë së Zotit t’i përkëdhelë të gjithë këta fëmijë, dhe le
t’i kërkojmë Zotit që të na ndihmojnë që të bëjmë pjesën tonë, në mënyrë që të respektohet
dinjitetit i fëmijëve, që për të gjithë të lindë drita e dashurisë, për të cilën njeriu
ka më shumë nevojë sesa për gjërat materiale të nevojshme për jetesë. E me këtë
mbërritëm te domethënia e dytë që Etërit vinn në dukje të shprehja: “Zoti e ka shkurtuar
Fjalën e vet.” Fjala që Zoti na përçon në librat e Besëlidhjes së Vjetër, ishte bërë
përgjatë shekujve e gjatë. E gjatë dhe e ndërlikuar jo vetëm për njerëzit e thjeshtë
dhe analfabetë por madje edhe më tepër për njohësit e Shkrimit Shenjtë, për të urtit
që natyrisht ngatërroheshin në hollësira dhe në problemet që buronin, duke mos arritur
thuajse që të gjenin më një vizion të përgjithshëm. Jezusi e bëri “të shkurtër” Fjalën
– na bëri të shohim thellësinë e saj më të madhe dhe unitetin. Gjithçka na mëson Ligji
dhe profetët është përmbledhur – thotë – te fjalët: “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë
zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, e me gjithë mendjen tënde.. Duaje të afërmin
tënd si vetveten.” (Mt 22, 37-40). Kjo është e gjitha – krejt besimi përmblidhet në
këtë akt të vetëm dashurie që përqafon Zotin dhe njerëzit. Por menjëherë lindin pyetje:
si mundemi Ta duam Zotin me gjithë mendjen tonë kur e kemi të zorshme ta gjejmë me
aftësinë tonë mendore? Si Ta duam me gjithë zemrën dhe shpirtin tonë nëse kjo zemër
mezi arrin Ta shohë nga larg e percepton shumë gjëra kontradiktore në botë, të cilat
e fshehin fytyrën e Tij përballë nesh? Te kjo pikë takohen dy mënyrat me të cilat
Zoti “e ka bërë të shkurtër” fjalën e Vet. Ai nuk është më larg. Nuk është më i panjohur.
Nuk është më i paarritshëm për zemrën tonë. Është bërë foshnje për ne dhe me këtë
ka larguar çdo dyshim. Është bërë i afërm me ne, duke çuar në vend kësisoj edhe shëmbëlltyrën
e njeriut që shpesh na shfaqet aq e pakëndshme. Zoti u dhurua për ne. Dhuroi Vetveten.
Merr kohë për ne. Ai i Amëshuemi, që është mbi kohën, merr kohën, lartëson kohën tonë
pranë Tij. Krishtlindja është bërë festa e dhuratave për të imituar Zotin që ka dhuruar
Vetveten për ne. Ta lëmë zemrën tonë, shpirti ynë dhe mendja jonë të preken nga ky
fakt! Ndërmjet shumë dhuratash që blejmë dhe marrim të mos harrojmë dhuratën e vërtetë:
t’i dhurojmë njëri-tjetrit diçka nga vetvetja! T’i dhurojmë njëri-tjetrit kohën tonë.
T’ia hapim kohën tonë Zotit. Kështu shkrihet ankthi. Kështu lind gëzimi, kështu krijohet
festa. E të kujtojmë nëpër bankete festive të këtyre ditëve fjalën e Zotit: “Kur shtron
një banket, mos fton ata që e din se do të të ftojnë, por fto ata që nuk janë të ftuar
nga askush dhe që nuk janë në gjendje të të ftojnë (cfr Lk 14, 12-14). Dhe kjo do
të thotë pikërisht edhe se kur ti për Krishtlindje bën dhurata, mos u dhuro diçka
vetëm atyre që e di se pastaj do të të bëjnë dhurata, por dhuroju atyre që nuk marrin
dhurata nga askush dhe që e di se nuk mund të të japin asgjë në këmbim. Kështu ka
vepruar vetë Zoti: Ai na fton në banketin e tij të dasmës që ne nuk mund t’ia shpërblejmë,
e që mundemi vetëm ta pranojmë me gëzim. Le ta imitojmë! Të duam Zotin dhe duke u
nisur nga Ai, edhe njeriun, që të rizbulojmë pastaj, duke u nisur nga njerëzit Zotin
në një mënyrë të re. Kështu na shfaqet në fund edhe një domethënie e tretë e pohimit
mbi Fjalën bërë “të shkurtër” dhe “të vogël”. Barinjve iu tha se do ta gjenin foshnjën
në një grazhd për kafshët, që ishin edhe banorët e vërtetë të stallës. Duke lexuar
Isainë (1,3) Etërit dolën në përfundimin se në grazhdin e Betlehemit ishin edhe një
kŕ e një gomar. Në të njëjtën kohë e interpretonin këtë tekst në kuptimin që në të
gjendej një simbol i judejve dhe i paganëve- pra i mbarë njerëzimit- të cilët kanë
nevojë secili në mënyrën e vet për një shëlbues: për atë Zot që u bë foshnje. Njeriu
për të jetuar ka nevojë për bukën, frytin e tokës dhe të mundit të tij. Por nuk jeton
vetëm me bukë. Ka nevojë për shujtë për shpirtin e tij. Ka nevojë për një kuptim që
t’a përplotësojë jetën e tij. Kështu për Etërit grazhdi i kafshëve u bë simboli i
altarit, mbi të cilin pushon Buka që është Krishti vetë, ushqimi i vërtetë për zemrat
tona. Dhe shohim edhe një herë, sesi Ai është bërë i vogël: në pamjen e përvuajtur
të ostes, të një copëze buke, Ai dhuron Vetveten. Për të gjitha këto flet shenja
që iu dha barinjve dhe që na jepet edhe ne. Foshnja që na u dhurua, fëmija në të cilin
Zoti është bërë i vogël për ne. Të lusim Zotin të na dhurojë hirin që në këtë natë
të vështrojmë grazhdin me thjeshtësinë e barinjve që të përftojmë kështu gazmendin
me të cilin ata u kthyen nëpër shtëpi (cfr Lk 2,20). Ta lusim të na japë përvujtërinë
dhe besimin me të cilin Jozefi vështroi foshnjën që Maria kishte lindur nga Shpirti
i Shenjtë. Le të lutemi që ta na lejojë ta shikojmë me atë dashuri me të cilën edhe
Maria e pati kundruar. E të lutemi kështu që drita që barinjtë panë, të na ndriçojë
edhe ne dhe që të përmbushet në të gjithë botën ajo çka engjëjt kënduan atë natë:
“Lavdi Zotit në lartësitë qiellore dhe paqe në tokë njerëzve që ai don”. Ashtu kjoftë!
((Homelia e Papës Benediktit të XVI në Meshën e Krishtlindjes në mesnatë në
Vatikan më 25.12.06. RV)