2014-12-20 17:25:12

Koha e Ardhjes, kohë e pritjes, e përtëritjes. Meditime për çdo ditë: 20 dhjetor


Ta jetosh dhimbsurinë
Jam i bindur se secili nga ne e ka në shpirt aftësinë për t’i kushtuar vëmendje të tjerëve, vëmendje të vërtetë, të dhimbsur.
Është copëza e qiellit, që të kujton dhuratën, të cilën Zoti e vu fshehurazi në zemër të çdo njeriu.
Dhimsuria është pasojë e krijimit. Krijuesi e krijoi njeriun sipas shembëlltyrës së vet, pavarësisht nëse do ta besonte apo do ta mohonte.
Megjithatë, nuk është ndjesi e lehtë. Në përpjekjen për ta ushtruar, njeriu has një mori pengesash: nga mbivlerësimi i vetvetes, tek temperamenti i sertë, nga mungesa e dëshirës për ta njohur tjetrin, tek paaftësia për të krijuar lidhje të reja, nga agresiviteti, tek frika se mund të mos pëlqehet, se mund të mbetet i fyer e të mbyllet më keq në vetvete.
Pavarësisht nga këto pengesa të panumërta, askush nuk ëshë aq i varfër, sa të mos mundë ta shijojë të paktën një çast dhimbsurie.
Dhimbsuria mund të shprehet me gjeste të vogla, me një shikim të vëmendshëm mbi njeriun e ligshtë, të sëmurë. Me një fjalë dashamire thënë atij, të cilin e ke vështirë ta pranosh; me një çast kujdesi e ndjeshmërie ndaj të njohurit a të panjohurit, që ka nevojë për ty, me një shikim plot mëshirë mbi syrin, që të shikon shtrembër.
Dhimbsuria nuk është ndjenjë që vërshon brenda teje: nuk vjen përnjëherësh. Do të ishte e pabesueshme. Ajo lind në shpirt pak nga pak.
Në Betlehem na pret një shembull i qartë dhimbsurie: I Gjithëpushtetshmi bëhet i vogël, i pambrojtur.
E na bën, ndoshta, të zbulojmë se dhimsuria nuk ndalet tek një sjellje e thjeshtë, e fisme e njerëzve, por të shtyn t’i ngjasësh Ferishtes së Betlehemit – nga Grazhdi, tek Kryqi.

“Kur ishte ende larg, i ati e pa, u pushtua nga dhimbsuria, i doli përpara, iu hodh në qafë e e puthi”.(Ungjilli sipas Lukës, Lk. 15,20).

“Të flasësh për dhimsurinë e Hyjit, do të thotë të flasësh për Jezusin. Jezusi është mbartës i kësaj mirësie të Atit, që e mbështjell botën mbarë. Mishërimi nuk është zgjedhje individuale, sepse Hyji në Jezusin zgjedh njerëzimin. Njerëzit janë mishërim i dhimbsurisë së Hyjit: kjo është përgjegjësia jonë e mirëpërcaktuar”.
(Arturo Paoli)







All the contents on this site are copyrighted ©.