2014-12-19 14:45:09

Shenjtorët e javës


E diel 21 dhjetor, Kisha katolike kremton të dielën e 4-të e të fundit të Kohës së Ardhjes,
e po sot më 19 dhjetor kalendari përkujton Shën Pjetër Kanizi,
meshtar jezuit e doktor i Kishës dhe e Shën Mikea Profet. Nisi, kështu, një nga javët më gazmore të vitit, që i afrohet fundit plot vezullime, premtime e shpresa. Zoti vjen rishtas mes nesh, për të na rinuar ne e botën!
Liturgjia e ditës na sjell këtë reflektim: Krishti është shëlbuesi i vërtetë i njerëzimit e Maria ua dhuroi të gjithë atyre njerëzve që duan e dinë ta presin në zemër.

Të hënën më 22 dhjetor, kalendari përkujton festën e Shën Françeska Kabrinit,
virgjër, themeluese e misionareve të Zemrës së Krishtit. Liturgjia e së kremtes së saj na kujton se Zoti vijon të bëjë mrekulli gjithnjë e për të gjithë, por njeriu i përvujtë është i aftë ta pranojë dhuratën e Hyjit.
Të martën më 23 dhjetor, përkujtohet shën Gjoni i Ketit.
Ai me jetën dhe misionin e tij, na kujton se në rrjedhë shekujsh nuk kanë munguar kurrë lajmëtarët e Zotit, që na ndihmojnë ta njohim më thellë e ta jetojmë më përkushtueshëm fenë tonë. E dita e sotme na kujton edhe se, pas shtegtimit liturgjik njëvjeçar, jemi shumë pranë cakut: “Ta çojmë kokën lart, shpëtimi ynë është fare pranë!”.

Të mërkurën më 24 dhjetor, bie Nata e Madhe e Krishtlindjes.
Në këtë ditë, kur kalendari Kishtar përkujton edhe festën liturgjike të Shenjtoreve Tarsila e Irma, dëgjojmë sërish profecitë mesianike për Jezusin e falënderojmë Zotin, që vjen përsëri mes nesh. Hyji deshi të bëhej njeri, duke hyrë në historinë konkrete të njerëzimit. Gjenealogjia e gjatë e fisit të Jozefit na dëshmon se Jezusi Zot i përket popullit hebraik e mbarë njerëzimit.
Me 24 dhjetor kremtojmë lindjen e Foshnjës Hyjnore në Betlehem, kremtojmë festën kur Krishti fëmijë rilind në zemrat e njerëzve, në zemrat e atyre që besojnë e të atyre që nuk besojnë, sepse Zoti vjen në botë për të gjithë, duke u sjellë si dhuratë vetveten.

Të enjten më 25 dhjetor,
do të kremtojmë Lindjen e Zotit tonë Jezu Krishtit. Është Dita e Madhe e Krishtlindjes, Dita e festës së Mishërimit të Zotit kur gjithçka nis përtëritjen; errësira bëhet dritë e Engjëjt mbi Shpellën e Betlehemit këndojnë: “Lumni Zotit në qiej të larta e paqen në tokë njerëzve, që ai i do!”, ndërsa besimtarët rijetojnë mrekullinë e Betlehemit në Meshët e Mesnatës e të Ditës së Lindjes së Shelbuesit të botës, Jezu Krishtit Zot.
Të premten më 26 dhjetor,
Më 26 dhjetor
përkujtohet Shën Stefani, martiri i parë i Kishës. Ja çfarë shkruante për festën e tij Shën Fulgjenci i Ruspes: “Dje kremtuam lindjen në kohë të Mbretit tonë të amshuar, sot kremtojmë mundimin ngadhënjimtar të ushtarit. Dje, mbreti ynë, i veshur me trup njerëzor e duke dalë nga prehri i Virgjërës, denjoi të vizitojë botën; sot, ushtari, duke dalë nga tenda e trupit, hyri ngadhënjimtar në qiell”.

Të shtunën më 27 dhjetor, kalendari kujton Shën Gjonin ungjilltar. Biri i Zebedeut, vëllai i Jakobit, nxënësi i Gjon Pagëzuesit, është ndër të parët ndjekës të Jezusit. Është dishepulli i dashur, që, në darkën e fundit, vuri kryet në kraharorin e Jezusit. Dëshmitar i shndërrimit dhe i agonisë së Zotit, është i pranishëm tek këmbët e kryqit, ku Jezusi i besoi Nënën e vet. Bashkë me Pjetrin pa varrin e zbrazët të Krishtit dhe besoi në ringjalljen e Zotit.

Të dielën e ardhshme më 28 dhjetor, Kisha kremton solemnitetin e
Familjes Shenjte
– që në traditë njihet si ‘Konaku Shenjt’. Po më 28 dhjetor kalendari shënon kujtimin e martirëve të pafajshëm. Fëmijët e vrarë nga Herodi mbret i japin dëshmi Krishtit jo me fjalë, por me gjak. Ata na kujtojnë se martirizimi është dhuratë e Zotit.
Kujtojmë se Viti 2014 numëron ditët e fundit. Duke biseduar me ju, të dashur dëgjues, ndërmjet dy festave të mëdha të fundvitit, nuk mund të mos e mbyllim këtë faqe të parafundit të Kalendarit 2014, me urimin:
“Për shumë vjet Krishtlindjen e Gëzuar Vitin e Ri!”







All the contents on this site are copyrighted ©.