2014-12-21 12:30:52

SHBA-Kubë: kur Papët ndërtojnë ura


Kthesa historike në marrëdhëniet ndërmjet SHBA-së e Kubës – lidhja e marrëdhënieve diplomatike, favorizuar nga ndërhyrja e Papës Françesku dhe Selisë së Shenjtë – pati jehonë të jashtëzakonshme në të gjithë botën. Kishat e të dyja vendeve, menjëherë pas presidentëve Obama e Kastro, i shprehën mirënjohjen Atit të Shenjtë dhe vunë në dukje besimin në një të ardhme më të mirë për të dy popujt. Por rezultati i arritur javën e kaluar është fryt i një pune shumëvjeçare, filluar që me Papën Gjoni XXIII e vazhduar nga Gjon Pali II, Benedikti XVI e, tani së fundi, edhe nga Papa Françesku. Për 55 vjet me radhë, në gjithë periudhën gjatë së cilës copëza e detit që ndante Uashingtonin nga Havana dukej oqean, Papët, besnikë ndaj misionit të tyre, vunë me durim një gur mbi tjetrin për të ndërtuar urën, që tani e përuroi idealisht Papa amerikanolatin. Po citojmë vetëm fjalët më domethënëse, thënë prej tyre gjatë kësaj kohe. RealAudioMP3
Kush nuk e kujton “Krizën e raketave” në tetor 1962, kur Kuba u bë mollë sherri ndërmjet SHBA-ve dhe Rusisë. Nga valët e Radio Vatikanit, u ngrit zëri plot emocion i Papës Ronkali (Gjoni XXIII), i cili iu drejtua sidomos presidentit amerikan Kennedy dhe atij rus Krushov:
“Nous supplions tous les Gouvernants de ne pas rester sourds…
“Ne u përgjërohemi të gjithë qeveritarëve të mos e bëjnë veshin shurdh para kësaj britme të njerëzimit. Le të bëjnë gjithçka kanë në dorë për të shpëtuar paqen. Do ta shpëtojnë kështu botën nga mjerimet e luftës, pasojat e tmerrshme të së cilës nuk mund të parashikohen” (25 tetor 1962)
Jehona qe e jashtëzakonshme. Ishte sikur ndërgjegja e botës të kishte ngritur krye kundër makinës së luftës, vënë tashmë në lëvizje. E armët heshtën. Një vit më vonë, zëri i Papës shndërrohet në “Pacem in Terris”, Enciklika që edhe sot, është një nga dokumentet më prekëse për çmendurinë e luftës.
36 vjet më vonë, Papa Gjon Pali II shkon në Kubë. Në shenjë respekti, Fidel Kastro nuk paraqitet me uniformën ushtarak, por me një kostum blu. Duke theksuar se të krishterët në Kubë kanë të drejtë ta jetojnë lirisht fenë e tyre, shenjti i ardhshëm tha:
“Llamada a vencer el aislamiento, ha de abrirse al mundo y el mundo…”
“E thirrur të fitojë mbi izolimin, Kuba duhet të hapet për botën e bota duhet t’i afrohet Kubës, popullit dhe bijve të saj, që, pa dyshim, përfaqësojnë pasurinë më të madhe. Erdhi ora për të ndërmarrë rrugë të reja, që kërkohen nga kohët e reja në të cilat jetojmë, me afrimin e Mijëvjeçarit të Tretë të erës së krishterë!” (25 janar 1998)
Në vitin 2012, Benedikti XVI shkon në Kubë në gjurmët e paraardhësit, duke përsëritur “jo”-në e tij për embargon kundër Havanës, sepse sjell vetëm vuajtje për familjet. E më 28 mars, në aeroportin e kryeqytetit, thotë:
“Concluyo aquí mi peregrinación, pero continuaré rezando…
“E përfundoj sot shtegtimin tim, por do të vazhdoj të lutem me zjarr, që të vazhdoni udhën tuaj e që Kuba të bëhet shtëpia e të gjithëve e për të gjithë kubanët, ku të bashkëjetojnë drejtësia dhe liria, në atmosferën e vëllazërimit”.
Sot, liria e vëllazërimi i kubanëve me popullin amerikan, edhe falë Papëve, nuk është më utopi, por ka nevojë gjithnjë për ura, të cilat pa dyshim, Selia e Shenjtë do të kontribuojë të ndërtohen edhe në të ardhmen.







All the contents on this site are copyrighted ©.