2014-12-19 14:42:24

Papa: Kisha të jetë nënë, jo afariste. Pushteti na bën shterpë


Kisha të jetë nënë, jo afariste. Kështu tha sot Papa Françesku në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, e fundit e këtij viti. Ati i Shenjtë vuri theksin në “Krijimin e ri”, përfaqësuar nga lindja e Jezu Krishtit, i cili i bën të reja të gjitha gjërat. Papa u nis nga leximet e sotme, që tregojnë për lindjen e Samsonit dhe të Gjon Pagëzuesit nga dy gra, që mendohej të ishin shterpë: RealAudioMP3
“Nga shterpësia, Zoti është i aftë të rifillojë një brez të ri, një jetë të re. E ky është mesazhi i ditës së sotme. Kur njerëzimi nuk di si të shkojë më përpara, vjen Hiri i Tënzot dhe Biri i Tij, pra, vjen Shpëtimi. E Krijimi i shterpëzuar i lë vendin Krijimit të ri…”
Ne presim pikërisht Atë, që është në gjendje t’i bëjë të reja të gjitha gjërat, presim risinë e Zotit. Kjo është Krishtlindja. Por si nëna e Samsonit, ashtu edhe Elizabeta, nëna e shën Gjon Pagëzuesit mbetën shtatzanë, sepse e lejuan Zotin të dikojë mbi to Shpirtin Shenjt. Edhe ne, këshilloi Papa, duhet t’ia hapim zemrën Shpirtit Shenjt, pasi të vetëm, nuk jemi në gjendje të bëjmë asgjë:
“E kjo më nxit të mendoj për nënën tonë Kishë; edhe për shumë shterpësi, që ka kjo Nënë: kur, për shkak të peshës së shpresës në Urdhërimet e Tënzot, për shkak të atij pelagjianizmi që na ka hyrë thellë në kocka të gjithëve, ajo bëhet shterpë. Beson se mund të lindë fëmijë…por jo, nuk mundet! Kisha është nënë, e bëhet nënë vetëm kur ia hap zemrën risisë së Zotit, forcës së Shpirtit Shenjt. Kur i thotë vetvetes: ‘Unë bëj gjithçka, por tani mbarova, nuk eci më!’ vjen Shpirti Shenjt”.
E ky mendim e bëri Papën të reflektojë më tej e më thellë mbi shterpësinë e Kishës e mbi fekonditetin e fesë:
“Sot është ditë për t’u lutur për Nënën tonë Kishë, për shterpësitë e shumta të Popullit të Zotit. Shterpësi egoizmi, pushteti… kur Kisha beson se mund të bëjë gjithçka, se mund t’i bëjë zap ndërgjegjet e njerëzve, se mund të ecë në rrugën e farisenjve, të saducenjve, në rrugën e hipokrizisë, eh, Kisha bëhet shterpë. Lutuni. Kjo Krishtlindje e haptë Kishën ndaj dhuratave të Zotit, që të befasohet nga Shpirti Shenjt e të jetë Kishë që bën fëmijë, Kishë nënë. Nënë. Shpesh mendoj se Kisha në disa vende, më shumë se nënë është afariste”.
Në fund, Papa Françesku iu lut Hyjit që ta bëjë të frytshme Kishën e vet, duke e lënë Nënë, si Maria.








All the contents on this site are copyrighted ©.