Kosova përkujton De Radën në 200 vjetorin e lindjes
Jubileu i 200-vjetorit të lindjes së poetit të madh arbëresh, Jeronim De Rada, zërit
romantik në letërsinë shqiptare dhe aktivistit të lëvizjes kombëtare shqiptare, Jeronim
De Rada, sivjet u përkujtua në mbarë botën shqiptare, e ditë më parë edhe në Kosovë,
me nismë shkencore.Jeronim de Rada cilësohet si njëri ndër ideatorët
më të mëdhenj letrarë e kombëtarë për kohën kur jetoi. Sjellja e një fryme të re letrare
dhe idetë e tij për formimin e një Shteti të qëndrueshëm shqiptar, sipas shumë studiuesve
të letërsisë shqiptare, e bëjnë De Radën prijës të këtyre rrymave. Po për përkujtimin
e Jeronim De Radës nga Kosova, të ndjekim shërbimin e Rabie Ibraj nga Prishtina.... Akademia e Shkencave
dhe Arteve të Kosovës, ditë më parë ka organizuar tryezë shkencore në përkujtim të
200 vjetorit të lindjes se rilindësit Jeronim De Rada, themeluesit të letërsisë dhe
kulturës arbëreshe. Në këtë ngjarje morën pjesë studiues nga Kosova, Shqipëria dhe
Italia. U tha me këtë rast se Letërsia Shqipe sivjet shënon një date mjaftë të rëndësishme
në historinë e saj, nga se poeti, publicisti, folkloristi, filologu dhe mësuesi, Jeronim
De Rada përfaqëson përsiatjet e një poeti e filozofi në kthimin e njeriut shqiptar
në identitetin e tij. Akademik Ali Aliu tha se Jeronim De Rada me “Parimet e Estetikës”,
ka përcjellë porosinë e përhershme tek shqiptarët për origjinën, rrënjët e etnisë
dhe gjuhën e bartur arbëreshe gjatë shekujve. “Jeronim De Rada është pa dyshim shkrimtar
i përmasave të mëdha. Këtë rrezatim e ka vepra që ka lënë, i këtyre lartësive është
besimi e vetëbesimi që ai kishte për mundësitë e veta, e kësaj lartësie është edhe
kauza, i tillë edhe ëndërrimi. Vjen i natyrshëm ky rrezatim testamentar, që ai ia
kishte përcaktuar vetës në botën Shqiptare-Arbëreshe të shekullit 19-të. Të parët
e De Radës me vete kishin marrë edhe një copë atdhe, një copë të gjallë të shpirtit
shqiptar dhe e kishin ruajtur për 400 vjet”, nënvizoi akademiku Aliu. Ndërsa anëtari
i jashtëm i ASHAK-së arbëreshi, Françesko Altimari tha se viti 1836, kur është botuar
poema “Këngët e Milosaos’, shënon një kthesë epokale të letërsisë shqipe, e cila falë
edhe kësaj poeme hyn edhe në modernen. Kjo poemë nuk mund të analizohet veçmas duke
ndjekur kronologjikisht dy botimet e shtypura, pasi ajo përfaqëson bërthamën e një
projekti letrar të veçantë deradian. Ai shtoi se vizioni poetik dhe ideologjik i poetit
arbëresh që u zgjerua e zhvillua dora-dorës, e shtyu ta parafytyronte dhe ta paraqiste
gjithë epokën e Gjergj Kastriotit me një metaforë të vetme qendrore që ai e quajti
‘Moti i Madh’. Prof. Altimari tha se De Rada do t’i rikthehet idesë fillestare të
‘romanit lirik të dyfishtë’, në fazën e fundit të krijimtarisë së tij, kur do të botojë
në Napoli në vitin 1898 vëllimin e dytë të poemës ‘Pasqyrë e shpirtit njerëzor’. Në
këtë tryezë paraqiten kumtesat e tyre edhe Sabri Hamiti, Floresha Dado, Alfred Uçi,
Pajazit Nushi, Ardian Marashi, Mark Marku etj. Në Prishtinë dit m par është shënuar
edhe një tjetër Jubile, 70 vjetori i themelimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës,
e cila para pak kohësh ka marrë emrin e të madhit, Pjetër Bogdani.