2014-12-21 12:31:57

Koha e Ardhjes, kohë e pritjes, e përtëritjes. Meditime për çdo ditë: 21 dhjetor


Vetmia pa vetmi
Si shtegtarë që ecin drejt cakut, ndjehemi paksa të vetmuar, por jo të izoluar, aq më pak, të braktisur. Brenda nesh kemi një mori pranish, një mori fytyrash. Ardhur nga të katër anët, nga viset ku jetuam, ku deshëm, ku vuajtëm, ku punuam.RealAudioMP3
Kujtesa është si peshtaf, që ruan kohën e kaluar, për të ndriçuar, me vezullime, ditët që do të vijnë. Natyrisht nuk ruan gjithçka: zgjedh me kujdes çka meriton të ruhet, çka t’i flet zemrës e mendjes me zërin e kujtimit. E kur ia hap kapakun, si me fotograme, të zbulon çastet që ke kaluar në botën tënde.
Çaste vetmie e pasigurie. Pasuar nga çaste me frymëmarrje krijuese. Çaste izolimi të thellë e çaste bashkimi me turmën gazmore, që jeton brenda e jashtë teje. Për të mos u ndjerë kurrë vetëm.
Jeta e mirë shpirtërore nuk jetohet duke u izoluar nga realiteti i sotëm, e as nga i djeshmi. Përkundrazi, jeta të fton të hapësh sytë për të parë mirë gjithçka të rrethon e të jesh i vetëdijshëm për gjithçka ndodh rreth teje. Derisa ngjarjet që jetove, zërat që dëgjove, situatat që përballove, të shndërrohen në kujtime, në mendime, në lutje, në kundrim.
Të jesh gjithnjë zgjuar në hapësirën e vetmisë së mirë, të ndihmon të hysh deri në thellësi të ngjarjeve personale ose të njerëzve, të afërt e të largët, pa rënë në interpretimet e cekta shkak-pasojë të ngjarjeve të jetuara.
Thelbi i shpirtit tim më kujton se gjithçka shndërrohet në ftesë për të ecur nëpër jetë me përgjegjësi të plotë ndaj vetes e të tjerëve. Në miqësi të përhershme me Zotin. Mos harro se kjo miqësi të zgjat jetën: mbi këtë tokë e në qiell!
.Kah ti, prej humnerës,
po e çoj zërin, o Zot;

2. o Zot, dëgjoje zërin tim!
Veshët e tu të jenë hapur
për britmën e lutjes sime.

3. Po nuk i harrove, o Zot, fajet,
Zot, para tejet kush mund të qëndrojë?

4. Por pse pranë teje është ndjesa,
plot nderim të gjithë do të shërbejmë.

5. Unë në Zotin shpresën e mbështes,
shpirti im në fjalët e tija shpreson.

6. Zemra ime veç Zotin dëshiron,
më tepër se rojet e natës agimin.

7. Rojet agimin e presin me afsh,
më me afsh Izraeli pret Zotin,
pranë Zotit pse gjindet përdëllimi,
i sigurtë pranë tij është shëlbimi,

8. Izraelin prej fajesh shpërblen. (Psalmi 130)










All the contents on this site are copyrighted ©.