2014-12-19 14:27:52

Atë Kantalamesa: Zoti na do e kjo është paqja e zemrës


Për ta ruajtur paqen, gjëja e parë për të cilën duhet të jemi të sigurt, është se Zoti na do. E pohoi atë Kantalamesa në predikimin e tretë të Kohës së Ardhjes, mbajtur në praninë e Papës e të Kuries Romake, kushtuar temës: “Paqja, fryt i Shpirtit”.RealAudioMP3
Predikatari kujtoi parandjenja mistike të rrufeshme, praktika të rrepta asketike, udhë të ndryshme, përshkuar me të njëtin qëllim: për të arritur paqen e shpirtit. Dy mijë vjet histori kristiane kanë parë shumë Shenjtorë e mendimtarë në kërkim të vazhdueshëm të saj, e Predikatri kujtoi disa prej atyre, që lanë gjurmë të pashlyeshme në traditën shpirtërore të Kishës.
Paqja është në vendin e tretë, kujtoi.
Shën Pali, kur flet për frytet e Shpirtit, e radhit paqen në vendin e tretë, pas dashurisë e gëzimit, para mirëdashjes, mirësisë, zotërimit të vetvetes. E kjo do të thotë se për të gjetur paqen, njeriu duhet të jetë i mëshirshëm, i durueshëm, i përvuajtur, paqësor.
Edhe Shën Agostini tregon një nga udhët, që duhet përshkuar, për të fituar paqen e shpirtit: vendi i prehjes sonë, shkruan, është vullneti i Zotit; në qiell ky vend do të jetë “Vetë Hyji” Njeriu prehet në vullnetin e Tij.
E famshme, për të përshkuar udhën e paqes, është edhe doktrina e indiferencës së shenjtë, e Shën Injacit të Lojolës. Kjo doktrinë i lë mënjanë pëlqimet personale. Prej këndej, çka i jep paqe zemrës, është përkimi i plotë me vullnetin e Zotit.
Sipas veprës së famshme “Të përngjamët e Krishtit”, shpirti gjen paqe vetëm kur ndjek Krishtin, pa pyetur fare ç’bëjnë të tjerët.
Duke folur, pastaj, për luftën e korpit kundër shpirtit, që mund ta rrënojë paqen e brendshme, predikatari theksoi se shpirti mund ta fitojë betejën me përpjekjet tona, që bëhen të mundshme përmes pranisë e Shpirtit Shenjt.
Nëse paqja do t’u akordohej njerëzve për vullnetin e tyre të mirë, atëhere pak e kush do ta meritonte. Po me që akordohet për vullnetin e mirë të Hyjit, përmes hirit hyjnor. u dhurohet të gjithëve. Mund ta gëzojmë, pra të gjithë, nënvizoi atë Kantalamesa.
“Paqja është siguria se Zoti na do!” ishte lajtmotivi kryesor i këtij predikimi, në prag të Krishtlindjes, që u mbyll me fjalët e Shën Terezës së Avilës:
“Mos u trazo për asgjë, as mos u tremb nga askush: gjithçka kalon. Hyji nuk ndryshon; durimi fiton gjithçka; atij që ka Zotin, nuk i mungon asgjë. Vetëm Zoti mjafton!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.