2014-12-18 13:51:18

Ndërmjetësimi i Selisë së Shenjtë për Kubën. Letrat e Papës për Obamën dhe Kastron


Ngjarja është gur kilometrik në histori. Pas 55 vjet tensionesh ndërmjet ishullit komunist dhe superfuqisë amerikane, Uashingtoni dhe Havana rilidhin marrëdhënie. Akulli shkrihet me kontributin themelor të Selisë së Shenjtë, e cila garantoi mbarëvajtjen e bisedimeve. Madje, qe vetë Papa Françesku, që ndërhyri personalisht për të favorizuar zgjidhjen e një problemi të vjetër e tepër të ndërlikuar. Sinjali u dha me lirimin e afaristit amerikan Alan Gross, i cili mbahej që prej pesë vjetësh në burg në Kubë, si edhe me lirimin për arsye humanitare të tre agjentëve kubanë, të burgosur në SHBA-të.
Ishte pikërisht Papa Françesku, ai, që shkroi dy letra, në fillim të kësaj vere: njërën për presidentin kuban Raul Kastro dhe tjetrën për atë amerikan, Barak Obama, duke i nxitur të dy të zgjidhin problemet e tyre të përhershme. Në tetor, në mënyrë krejtësisht të rezervuar, u takuan në Vatikan një delegacion nga Kuba dhe një nga SHBA-të. Objektivi: normalizimi i marrëdhënieve. Ndërmjetësim ky, që dha fryte të bukura, të cilat u bënë të njohura dje e sot. Lajme me peshë epokale, si rilidhja e marrëdhënieve diplomatike dhe hapja e selisë diplomatike amerikane në Havanë. E në perspektivë, fundi i embargos e bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve për çështje të ndryshme, përfshirë luftën kundër krimit dhe fshirjen e Kubës nga lista e zezë e shteteve terroriste.
Papa Françesku shprehu sot kënaqësinë e tij të thellë për vendimin historik të Uashingtonit e të Havanës, që kapërcyen kështu vështirësitë e së kaluarës. Në notën e Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit vihet në dukje rruga e ndjekur nga Papa për t’i afruar të dyja vendet. Por edhe vetë presidentët e tyre nënvizojnë rolin e Selisë së Shenjtë në bisedimet, që përfunduan pozitivisht. Raul Kastro falënderoi sot Vatikanin e, në veçanti, Papën Françesku, për ndërmjetësimin e tij në dialogun me SHBA-të. “Dua të falënderoj Papën Françesku për rolin e tij në afrimin ndërmjet SHBA-ve dhe Kubës” – tha Obama, nga ana e tij. Jo më larg se të hënën, Sekretari amerikan John Kerry pati një bisedë njëorëshe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin. Në atë rast, duke kujtuar rezultatin e mirë të ndërhyrjes së Selisë së Shenjtë në krizën kubane, ai shprehu dëshirën që Vatikani dhe Papa të favorizojnë zgjidhje humanitare të përshtatshme edhe për mbylljen e burgut të sigurisë maksimale në Guantanamo, në bazën detare amerikane, pikërisht në Kubë.







All the contents on this site are copyrighted ©.