2014-12-18 09:37:43

Jemen, Australi, Pakistan: sulme kundër njerëzve të pambrojtur, të pafajshëm


Jemen, Australi, Pakistan: atentate të përgjakshme trandin shpirtin e botës, duke e nxitur t’i bëjë vetes shumë pyetje. Nuk kanë të bëjnë vetëm me dhimbjen e thellë për njerëz të largët, që masakrohen, por edhe me ardhmërinë e mbarë njerëzimit. Sepse atentatet fundamentaliste duken në horizontet e mbarë botës me pamjen e shpejtësinë e rrufesë, që më s’dihet ku e kë godet.
Shumë njerëz pyesin: “Pse gjithë ky gjak?”. “Kush vret?”. “E kush i mbron vrasësit?”. “E pse i mbron?”. Përgjigjet ia kërkuam Renzo Guolo-s, pedagog i sociologjisë së Islamit pranë Universitetit të Padovës:

Shiitët në shënjestër të al Kaedës
Përgjigje: - Edhe një herë, si në rrethana të tjera, viktimat janë të pafajshmit, kryesisht fëmijët. Goditet një shenjë, që shkakton emocione të thella mediatike. Njëkohësisht, për fat të keq, para syve të atentatorëve, që ka shumë mundësi të kenë qenë suniitë – këta nuk ishin fëmijë, por njerëz, që i përkisnin një bashkësie fetare të caktuar, asaj shiite. E kjo bashkësi sot po fiton gjithnjë më shumë terren në konfliktin, që ndan prej kohe Jemenin. E, si të tillë, duheshin dënuar, pavarësisht nga seksi e mosha. Në shënjestër, pra, ishin shiitët: pastaj se këta ishin të pafajshëm, apo jo, kjo s’kishte pikë rëndësie: rëndësi kishte të goditej armiku.

Pyetje: - Të çudit fakti që pasi vriten fëmijët, arrihet deri në atë pikë, sa akte të tilla dhune të shënohen si kapitull i ri i kundërvënies ndërmjet al Kaedës, me shumicë sunnite e milicëve shiitë…

Përgjigje: - Karakteri i këtij konflikti dramatik, që vishet me petk fetar, duhet parë lidhur ngushtë me faktin se kaedistët i konsiderojnë shiitët si heretikë, si femohues: i quajnë pa din e pa iman. Pavarësisht nga fakti se ata e konsiderojnë veten degë e islamit, ndonëse pakicë. Kjo është tragjedia e madhe e kohës; fakti që identiteti i tjetrit konsiderohet një lloj pasaporte për zhdukjen e tij fizike, kur nuk përkon me vizionin radikal; një lloj armiku, që duhet shkulur me gjithë rrënjë nga trojet ku i shkel këmba, sepse bëhet pengesë për realizimin e planeve politike e fetare të kundërshtarit. Nuk është, pra, çështje feje!

Roli i Arabisë Saudite dhe i Iranit
Pyetje: - Ç’mund të na thoni për al Kaedën sunnite e milicitë Houthi shiite?

Përgjigje: - Al Kaeda, në këtë rast, është degë e Aqap, edhe kjo degë alkaediste, që ndodhet në Gadishullin Arabik: në të bëjnë pjesë posaçërisht njerëz të dalë nga Arabia Saudite dhe disa jemenitë vendas, që luftojnë me vështrim të dyfishtë: një sy e kanë nga Jemeni, tjetrin, nga ngjarjet, që ndodhin në Arabinë Saudite, sepse kanë gjetur strehë në skajin jugor të Gadishullit Arabik.
Nga ana tjetër, milicitë Houthi janë shiite: shiitët kanë qenë gjithnjë të shtypur nga regjimet vendase sunnite e, prej këndej, kërkojnë autonominë politike dhe marrjen në dorë të pushtetit në shtetin qendror, pa harruar edhe coptimin territorial. Gjithsesi duhet pasur parasysh se lidhur me këtë ka përkime interesash. Për ta kuptuar më mirë: Arabia Saudite angazhohet sot në një luftë të ashpër kundër kaedistëve në planin e brendshëm, por i pengon shiitët, sepse i shikon si aleatë të ngushtë të Iranit, që në nivelin makro-rajonal, është armiku i saj kryesor në zonën e Gjirit. Kemi, pra, një konflikt të dyfishtë, që ka të bëjë me sunnitët e shiitët, por edhe me pushtetet konfesionale, ose që u bënë të tilla falë mbrojtjes së popullsive sunnite vendase, në një kontekst në të cilin ndeshja ka të bëjë edhe me konfliktin ndërmjet Arabisë Saudite dhe Iranit, që zhvillohet si në zonën e Gjirit, ashtu edhe, siç e dimë, ndërmjet Sirisë dhe Irakut.
Islam pa hjerarki
Pyetje: - Papa, duke pasur parasysh tragjeditë në Australi, në Pakistan e në Jemen, u lut që zemrat e dhunshme të pendohen e të bëjnë kthesë. Ç’vlerë kanë këto thirrje, këto qëndrime, përtej besojmës fetare, pikërisht përballë kundërvënieve si kjo që, për shembull, vërehet sot në Jemen?

Përgjigje: - Janë sigurisht të rëndësishme, sepse kanë të bëjnë me natyrën e përbashkët njerëzore. Por në rastin e Islamit, jemi para një problemi, që lidhet pikërisht me natyrën e me organizimin e tij socio-fetar: islami është fe pa qendër, pa hjerarki. E kjo ka pasoja të rënda, sepse brenda botës islamike, në këto dhjetëvjeçarë, po zhvillohet një lëvizje, që priret ta shpjegojë e ta vërë në diskutim traditën fetare përmes leximit të drejtpërdrejtë, shpesh të shtrembëruar, të teksteve, si në rastin e grupeve islamike radikale. Kjo i vë në krizë autoritetet fetare myslimane tradicionale, që nuk arrijnë ta imponojnë më, në ndonjë farë mënyre, atë që një herë e një kohë thirrej miratim i bashkësisë, shpjegim i doktrinës.









All the contents on this site are copyrighted ©.