Pakistan, tmerr në botë: 132 fëmijë vriten nga talebanët
Pakistani u zgjua sot me tmerr, pas masakrës së shëmtuar të ditës së djeshme, ku gjetën
vdekjen 148 vetë, ndër të cilët 132 fëmijë, shumica nën 15 vjeç. 124, të plagosurit,
ndër të cilët 121, fare të rinj. Sulmi i talebanëve dhe mbajtja peng e fëmijëve të
shkollës, ku i çojnë bijtë ushtarakët pakistanezë të Peshauarit, zgjati shtatë orë
e përfundoi me vrasjen e gjashtë terroristëve. Pakistani përjetoi 11 shtatorin
e vet. Gazetat e quajnë ngjarjen e djeshme, sulm kundër së ardhmes së vendit, kundër
bijve e bijave të tij të rinj. Sot është e para e tri ditëve të zisë, shpallur nga
Islamabadi për të nderuar kujtimin e viktimave të atentatit më të përgjakshëm e brutal,
që ka përjetuar ndonjëherë vendi. Edhe Afganistani, nga ku vijnë talebanët, e quajti
aktin, “kundër Islamit”. E megjithatë, nga shtabi i përgjithshëm i talebanëve ngrihet
një kërcënim edhe më i madh: ç’ndodhi është vetëm një e njëmijta e planeve, që kanë
ndërmend terroristët, të cilët punojnë me strategjinë “edhe ata (ushtarakët) duhet
të ndjejnë të njëjtën gjendje shpirtërore si familjet tona”. Fjala është për operacionet
ushtarake kundër talebanëve në veri të Uaziristanit dhe të humbjeve, që kanë shkaktuar
ato në gjirin e talebanëve. Atentati qe përgjigjja e terroristëve e preku pikërisht
fëmijët e ushtarakëve. Kisha Katolike ka organizuar mbrëmje lutjesh në gjithë
Pakistanin dhe bën ftesë për bashkim. “E vetmja rrugë, e vetmja përgjigje e mundshme
ndaj masakrës së tmerrshme të Peshauarit është rizbulimi i unitetit të vendit; është
rizbulimi i asaj bërthame humaniteti e bashkëjetese, e cila shërben si themel i kombit;
është mesazhi i fuqishëm i bashkimit kundër dhunës e terrorizmit, që duhet të niset
jo vetëm nga qeveria, por nga zemra e çdo qytetari pakistanez”: kjo ishte deklarata
e drejtorit ekzekutiv të Komisionit “Drejtësi e Paqe” të ipeshkvijve të Pakistanit,
Cecil Shane Chaudhry. Ndërkaq, ne ia drejtuam mikrofonin kreut të Aleancës për Pakicat
Pakistaneze, Paul Bhatti: Është tmerr. Të thuash se të bën ta ndjesh veten
keq, është pak. Është diçka e pakonceptueshme, kundër çdo mësimi fetar, kundër çdo
ideologjie njerëzore. Do të doja që shteti pakistanez, në veçanti qeveria aktuale,
të marrë masa serioze për ta çrrënjosur këtë lloj dhune, e cila nuk është vetëm kundër
Pakistanit, por kundër mbarë botës, kundër njerëzimit. Sipas jush, ç’mund
të bëjë më tepër qeveria? Duhet të ndryshojë strategji? Terroristët ishin gjashtë,
jashtëzakonisht të përgatitur e kjo nuk haset vetëm në veri të Pakistanit, por në
të gjithë vendin. E ky është fryti i atyre shkollave të fshehura, në të cilat u bëhet
fëmijëve lavazhi i trurit, në mënyrë që ata të jetojnë, të vrasin e të vdesin në emër
të ideologjisë së terrorizmit. Deri tani, nuk kemi parë hapa konkrete nga ana e qeverisë.
Ajo duhet të angazhohet në identifikimin e këtyre shkollave e në çrrënjosjen e kësaj
ideologjie; duhet të identifikojë fëmijët, të cilët, të parët, janë viktima të saj.
Por këtë s’e ka bërë askush. Gjithnjë dënojnë, por duhet identifikuar baza e kësaj
urrejtjeje, e kësaj dhune, e cila, sipas meje, fillon në institucionet, ku rriten
fëmijët, që më pas, kthehen në terroristë. Para këtij sulmi, kaq të shëmtuar, kërkohet
edhe angazhimi i bashkësisë ndërkombëtare, me hapa konkrete, me strategji me afat
të gjatë e të mesëm. Përndryshe, nuk do të dalim kurrë nga kjo gjendje.