2014-12-17 14:36:16

Françesku: misioni i familjes është ta përmirësojë botën


Çdo familje e krishterë ta mikpresë e ta rrisë Jezusin në vatrën e vet familjare, në jetën e vet të përditshme, për ta bërë, kështu, më të mirë botën. Me këtë urim u nda sot Papa nga turmat, mbledhur për takimin e fundit të së mërkurës 2014, vit gjatë të cilit më se një milion e dyqindmijë vetë morën pjesë në katekizmin papnor.
Françesku e vijoi reflektimin kushtuar familjes, duke kujtuar se kjo temë do të trajtohet edhe muajt e ardhshëm, deri në Sinodin e tetorit 2015.
Çdo Shpellë Betlehemi na e jep këtë mësim në mënyrë të heshtur: ngjarja më e bukur në botë, që do ta ndante historinë në ‘para’ e ‘mbas’, nis në mënyrë krejt të padukshme për njerëzimin, në një rrethinë “famëkeqe” të perandorisë së pafundme.
Në këtë të mërkurë plot diell, që të kujtonte më shumë fundin e pranverës se fillimin e dimrit, një javë para Krishtlindjes, Papa hyri me hapa të lehta në shtëpinë e Familjes së Nazaretit e ia nguli sytë çdo skute, për të parë deri në thellësi çka shpesh i shpëton syrit njerëzor, edhe pse ka vlerë të paçmuar, shembullore.
Hyji zgjodhi një familje
E dhëna e parë është se, për t’i hapur udhën “fillesës së re” të historisë universale, Hyji vendosi, vërejti Papa, të lindte në një familje njerëzore. Historia më e shenjtë e më e mirë, vijoi, nisi në skajet e historisë së njerëzve të pushtetshëm e, në mënyrë edhe më të veçantë, Jezusi, Mesia, i ardhur për të shpëtuar botën, jetoi në gjirin e një familjeje, në një periferi të botës, për 30 vjet rresht.
Ndokush mund të na thotë: e po ky Zot, që paska ardhur të na shpëtojë, si shkoi e i humbi 30 vjet në këtë skutë famëkeqe? Humbi 30 vjet! E jo pse e detyroi kush, por pse deshi vetë. E zgjodhi ai vetë këtë skutë, këtë jetë. E nisi të ecë përkrah me këtë familje. Udhët e Hyjit janë misterioze! Por gjëja më e rëndësishme në këtë zgjedhje, është fa-mi-l-ja! E zgjedhja e saj nuk ishte humbje kohe, as kotësi, eh? Jetoi ndërmjet shenjtorëve të mëdhenj: Marisë, gruas më të shenjtë, më të papërlyer e Jozefit, burrit më të drejtë… Familja!
Familje, bëjini vend Jezusit
Në shekuj arti, letërsia, muzika provuan ta përfytyrojnë të zakonshmen e jashtëzakonshme të Nazaretit, duke e përshkruar me fjalë, duke e pikturuar me ngjyra, duke e kënduar me tinguj, kujtoi Papa, jetën normale familjare, ashtu si na e përshkruajnë Ungjijtë, në thjeshtësinë e tyre. Nëse do të kishin arritur ta bënin plotësisht, do të ishim prekur në zemër nga rrëfimi i Jezusit adoleshent; nënat do të kishin mësuar shumë nga kujdesi i Marisë e etërit, nga stili i jetës së Jozefit. Po edhe pa këtë rrëfim të hollësishëm, nga Shtëpia e Nazaretit arrin deri në kohët tona një mësim, të cilit nuk i kalon kurrë moda:
“Çdo familje e krishterë, ashtu siç bënë Maria e Jozefi, mund ta presë në gjirin e vet Jezusin, mund ta dëgjojë, të flasë me Të, ta ruajë, ta mbrojë, të rritet së bashku me Të. E kështu, mund ta bëjë shumë më të mirë botën”.
T’i bëjmë vend, pra, Zotit, në zemrat tona e në ditët tona. Kështu bënë edhe Maria e Jozefi, e nuk e patën aspak të lehtë: sa vështirësi iu desh të kalonin! Nuk ishte familje për sy e faqe, nuk ishte familje irreale. Familja e Nazaretit na angazhon ta rizbulojmë thirrjen dhe misionin e familjes, të çdo familjeje!
Familja e bën “normale” dashurinë
Larg nesh mendimi për ta shikuar si të rëndomtë jetën e Jezusit gjatë kësaj periudhe. Kjo kohë tregon sa bukuri mund të kenë lidhjet ndërmjet nënave, etërve e fëmijëve. E ashtu si patën në këto 30 vjet të gjata, përfundoi Françesku, kështu mund të ndodhë edhe në vatrat tona familjare: mund ta bëjmë normale dashurinë e jo urrejtjen, ta bëjmë të zakonshme ndihmën e anasjelltë e jo indiferencën a, ç’është më keq, armiqësinë.“Që asokohe, sa herë që një familje e ruan këtë mister, qoftë edhe në skajin më të humbur të botës, misteri i Birit të Hyjit, misteri i Jezusit, që vjen të na shpëtojë, është në veprim. Vjen ta shpëtojë botën. E ky është edhe misioni i madh i familjes: t’i bëjë vend Jezusit, që vjen; ta mikpresë Jezusin në familjen e vet, në fëmijët, në bashkëshortin a bashkëshorten, në gjyshin a gjyshen, sepse në ta është vetë Jezusi. Ta mirëpresim aty, që të rritet shpirtërisht në këtë familje. Zoti na e dhëntë këtë hir në këto ditë të fundit, para Krishtlindjes”.







All the contents on this site are copyrighted ©.