2014-12-16 14:13:14

Papa Françesku: shpëtimi është për zemrën e përvuajtur, që i beson Zotit


Zoti e shpëton “zemrën e penduar”, ndërsa ata që nuk besojnë në Të, “dënojnë” vetveten. Kështu tha Papa Françesku në homelinë e meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan.
Përvuajtëria e shpëton njeriun para syve të Zotit, krenia, e humb atë. Çelësi i gjithë kësaj është zemra. Ajo e të përvuajturit është e hapur, di të pendohet, e pranon kritikën, ndryshon e beson në Zotin. Zemra e kryelartit, në të kundërt, është arrogante, e mbyllur, nuk e njeh turpin dhe nuk e dëgjon zërin e Zotit. Një pjesë nga Sofonia Profet dhe Ungjilli i sotëm i sugjeruan Papës një reflektim paralel. Të dyja tekstet, vërejti, flasin për “gjykimin” nga i cili varet shëlbimi, ose dënimi.

Përvuajtëria, udha e vetme
Situata e përshkruar nga Sofonia Profet është ajo e një qyteti rebel, në të cilin, megjithatë, ka një grup që pendohet për mëkatet e veta. Ky, nënvizoi Ati i Shenjtë, është “populli i Zotit”, që përmban në vetvete tri karakteristika: përvuajtërinë, varfërinë, besimin në Zotin. Por, në qytet, vuri në dukje Françesku, ka nga ata, që nuk pranuan të ndreqen, nuk e lanë veten në dorën e Zotit. Atyre u takon dënimi:
“Këta nuk mund ta fitojnë Shëlbimin. Janë të mbyllur ndaj Shëlbimit. ‘Do të lë në gjirin tënd një popull të përvuajtur e të varfër; do të ketë besim në emrin e Zotit’, për gjithë jetën. E kjo, edhe sot, apo jo? Kur shohim popullin e shenjtë të Zotit, që është i përvuajtur, që ka për pasuri fenë në Hyjin, besimin në Zotin – popullin e përvuajtur, të varfër, që e lë veten në dorën e Zotit: ky shpëtohet, kjo është rruga e Kishës, apo jo?Duhet të ecë në këtë rrugë, jo në rrugën tjetër, që nuk e dëgjon zërin e Zotit, nuk e pranon ndreqjen që vjen prej Tij e nuk i beson Hyjit”.

Sinqerisht të penduar, jo hipokritë
Skena e Ungjillit është ajo e ndryshimeve ndërmjet dy bijve, që i ati i dërgon të punojnë në vresht. I pari nuk pranon, por pastaj pendohet e shkon; i dyti i thotë të atit se do të shkojë, por në të vërtetë, e gënjen. Jezusi ua tregon këtë histori krerëve të popullit, duke pohuar qartas se janë pikërisht ata, që nuk deshën ta dëgjojnë zërin e Zotit, i cili fliste përmes shën Gjon Pagëzuesit, prandaj, në Mbretërinë e Qiellit, do të kapërcehen nga publikanët e prostitutat, të cilat i besuan shën Gjonit. E shkandulli që shkaktoi ky pohim, vuri në dukje Papa Françesku, është i njëjtë me atë të shumë të krishterëve të sotëm, që e ndjejnë veten të përsosur vetëm sepse shkojnë në meshë e marrin Kungimin. Por Zoti ka nevojë për tjetër gjë:
“Nëse zemra jote nuk është penduar, nëse nuk e dëgjon Zotin, nëse nuk e pranon ndreqjen e nuk beson në Të, ti ke një zemër të papenduar. Por këta hipokritë, që shkandullohen për fjalët e Jezusit mbi publikanët e prostitutat, e fshehtas shkojnë tek ato, ose për të shfryrë pasionet, ose për biznes – ama gjithçka fshehurazi – ndjeheshin të pastër! E këta Zoti nuk i do”.

Të ofrojmë, madje, edhe mëkatet
Ky gjykim, pohoi më tej Papa, na jep shpresë, por me kusht, që të kemi guxim për t’ia hapur zemrën Zotit pa rezerva, duke vënë në dorën e Tij si dhuratë “listën” e mëkateve. E për ta shpjeguar këtë, Ati i Shenjtë kujtoi historinë e atij shenjti, që mendonte se i kishte dhënë gjithçka Zotit, me bujari të patregueshme:
“E dëgjonte Zotin, ndiqte gjithnjë vullnetin e Tij, i jepte Hyjit e Zoti i tha: ‘Po ti, akoma nuk ma ke dhënë një gjë”. E ai i varfëri, që ishte aq i mirë, iu përgjigj: ‘O Zot, çfarë nuk të kam dhënë? Të kam dhënë jetën, punën për të varfërit, punën për katekizmin, punë këtu, punë atje…’. ‘Jo, jo, akoma s’më ke dhënë një gjë’. ‘Po çfarë o Zot?’. ‘Mëkatet e tua’. Kur të gjithë ne të jemi në gjendje t’i themi Zotit: ‘O Zot, këto janë mëkatet e mia – jo vetëm të atij e të këtij, por të miat… Janë të miat. Merri Ti e kështu, unë do të shpëtoj’ – kur të jemi në gjendje ta bëjmë këtë, do të jemi një popull i mrekullueshëm, ai ‘popull i përvuajtur e i varfër’, që ka besim në emrin e Zotit. Hyji na dhashtë këtë hir”.








All the contents on this site are copyrighted ©.