2014-12-18 17:31:03

Liturgjia e Fjalës së Zotit e së Dielës së 4-të të Ardhjes


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotin të Liturgjisë Hyjnore të Meshës Shenjte të së dielës, kësaj herët takohemi me Letrën javore që Zoti na dërgon me rastin e dielës së 4-të të kohës së Ardhjes, kohës që përgatit zemrat tona për kremtimin e pranimin e denjë të Lindjes së Krishtit, Shëlbuesit të mbarë njerëzimit.
Liturgjia Hyjnore, në përgjithësi, më këtë javë, në pragun e Krishtlindjes, merr trajtën e një udhëtari që hap pas hapi i jep zemër vetes për t’ia mbërrijë cakut ku don të mbërrin, tek Shpella e Betlehemit të jetës sonë konkrete, sepse pikërisht në jetën tonë konkrete e të përditshme, Ungjilli dhe Kisha na thërrasin ta gjejmë e të takohemi me Foshnjën Hyjnore, me Zotin e Mishëruar, me Zotin që merr natyrën e që vjen në historinë tonë njerëzore, në njërën anë, për të na ofruar veten, jetën e tij Hyjnore, të vërtetën e dashurinë dhe në anën tjetër për të na çliruar nga robërimi i mëkatit e nga vdekja e përjetshme.
Pra, dëgjues të nderuar, pak ditë para kremtimin të Kërshëndellave, në Letrën e tij javore, që janë leximet biblike të kësaj së diele, Zoti na udhëheq në zbërthimin e kuptimit të domethënies së thellë të Misterit të Lindjes së Krishtit.
Kemi premtimin, besnikërinë e vazhdueshme ndaj tij dhe realizimin e tij. Premtimi është dëshira e Zotit për shpëtimin e njerëzimit me dashuri; në leximin e parë të kësaj së diele, kemi një shenjë ‘hyjnore’ para zemërgursisë së Akazit mbret që don ta shpëtojë popullin me intriga të politikës.
Besnikëria ndaj premtimit hyjnor bëhet përfundimtare dhe totale në Mishërimin e të Birit Hyjnor, Jezu Krishtit ‘ të lindur nga fisi i Davidit’ për kah trupi njerëzor( mishi)’ ( Rm 1,2). Dhe, së fundi, realizimi plotësohet sipas modalitetit të Emanuelit, do të thotë të ‘Zotit që çdo ditë është me ne’.
Qysh nga krijimi Zoti është i pranishëm në ngjarjet e krijesave të veta, mirëpo plotësia e kësaj pranie kryhet ( realizohet) në mënyrë të patejkalueshme e përfundimtare në lindjen e në historinë njerëzore të Jezusit të Nazaretit, Birit të Zotit e Birit të lindur nga gruaja. Po ku është ‘Zoti me’?
Para dëftimit të Emanuelit ekziston një vështirësi e madhe epokale. Ishte shumë më thjeshtë e kishte më shumë dëgjim, binde kur kultura ‘ sakrale’ – ‘e shenjtë’ lejonte të ‘shihej Zoti’ kudo: ‘Zoti me ne’ duhej ( shfaqej) gati një diçka e zakonshme; sot, në epokën e shekullarizimit, të shkristianizimit, Zoti shpesh mohohet, apo bëhen përpjekje për ta mbyllur në ‘kantinë’, ‘podrum’ apo ‘sakresti’. Sot njeriu ndjehet i ‘gjithëpushtetshëm’ e më vështirësi e njeh, e dallon, e kupton praninë e Zotit. Edhe para problemit të së keqes: njeriu nuk i lutët Zotit Shpëtimtar, por mbyllet edhe më tepër në vete, në perspektiven e tmerrshme të mohimit të Zotit. Kështu, Emanueli ‘ Zoti-me-ne’ për shumë njerëz është bë tepricë e ditëve të veçanta, sikur është për shembull, Krishtlindja e afërt.
E Fjala e Zotit e dielës së 4-të e të fundit të Ardhjes, edhe një herë na thërret ta pranojmë mesazhin e shpëtimit me zemër të vendosur e vullnet të gatshëm ndaj çdo thirrje që Zoti na drejton. E Krishtlindja është rast për pastrimin dhe përforcimin e fesë sonë në Zotin e Dashurisë e të Jetës, e për largimin nga romantizmi i ndjenjave njerëzore e shpirtërore, sikur na ndihmojnë tre personazhet të cilët na i paraqesin leximet biblike:
- Izaia, profeti i largët, i cili ka jetuar 7 shekuj para Jezu Krishtit, të cilin e paralajmëronte e kumtonte me gëzim e paqe të cilat i parashihte prej së largu;
- Gjon Pagëzuesi, profeti i afërt që ishte dëshmitar i ardhjes së Mesisë e të cilin e pati treguar porosi “atë që vejnë pas meje” e të dielën e kaluar, duke thënë se ai ( Gjoni) nuk ishte drita, kështu në mënyrë indirekte pati thënë se ishte Jezusi “ drita e vërtetë që vjen në botë”.
- Maria e cila e barti në kraharor Mesinë.
Të mësojmë nga këta tre personazhe se si duhet dëgjuar, pranuar e mishëruar në jetën e përditshme Fjalën jetëdhënëse të Zotit e cila nga Shpella e Beltehemit ndriçon çdo njeri vullnet mirë.
LITURGJIA E FJALËS

Leximi i pare (2 Sam 7, 1-5.8-12.14.16)
Davidi do të ndërtojë një shtëpi për Hyjin, por Hyji deklaron se do të jetë ai që do të ndërtojë shtëpinë e Davidit. Lavdia e Hyjit nuk gjendet në monumentet e shenjta, por në njeriun, krijesë e bërë në shëmbëlltyrën e Hyjit. Davidi do të vendosë Hyjin mes katër mureve të tempullit; por Hyji është kudo atje ku njeriu kultivon dashurinë dhe jeton me shpresë.
Lexim prej Librit të dytë të Samuelit
Kur mbreti David zuri të banojë në shtëpinë e vet e kur Zoti i dha paqe gjithkund nga armiqtë e tij përreth, i tha Natanit profet: “A po sheh! Unë banoj në pallat prej cedri, ndërsa Arka e Hyjit qëndron e vendosur nën lëkura!” Natani i tha mbretit: “Gjithçka ke në mend të bësh, bëje patjetër, sepse Zoti është me ty.”
Porse, mu atë natë, Natanit i qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: “Shko e thuaji shërbëtorit tim Davidit: Kështu thotë Zoti: Po a thua ti do të më ndërtosh një shtëpi për të banuar? Tani kështu m’i thuaj shërbëtorit tim Davidit: Kështu thotë Zoti i ushtrive: Unë të kam marrë ty prej kullotave ku ruaje grigjat për të qenë prijës mbi popullin tim Izraelin, dhe qeshë me ty gjithkund ngado udhëtove, i zhbiva të gjithë armiqtë e tu para fytyrës sate, dhe emrin tënd e bëra të madh si emrin e të mëdhenjve që janë mbi tokë. Unë do t’ia caktoj popullit tim Izraelit një vend dhe aty do ta ngul dhe do të banojë në të dhe nuk do të endet më prej një vendi në një tjetër. Të mbrapshtit nuk do të guxojnë ta mundojnë më si më parë, prej ditës kur i caktova gjyqtarët mbi popullin tim, Izraelin, dhe do të të jap paqe prej të gjithë armiqve të tu. Edhe Zoti të parakallëzon se Zoti do të ta ndërtojë shtëpinë. Kur të jenë mbushur ditët e tua e të kesh pushuar pranë etërve të tu, do të të ngre një pinjoll tënd pas teje, që do të rrjedhë prej teje, dhe mbretërinë e tij unë do ta bëj të qëndrueshme. Shtëpia jote dhe mbretëria jote do të jenë përgjithmonë të qëndrueshme para meje. Edhe froni yt do të jetë i qëndrueshëm për amshim.” Fjala e Zotit!
Psalmi 89 (88)
Ref: Zoti është besnik për amshim
_____________
Dashurinë e Zotit gjithmonë do të këndoj,
brez pas brezi goja ime do të shpalle besnikërinë tënde.
Sepse the: “Hiri im qëndron për amshim”,
në qiell është e themeluar besnikëria jote!
_____________
“Bëra besëlidhje me të zgjedhurin tim,
i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim:
Farën tënde do ta ruaj për amshim,
froni yt do të qëndrojë brez pas brezi.
_____________
Ai do të më thërrasë: ‘Ati im,
Hyji im, Qeta e shpëtimit tim!’
Për të gjithmonë do ta ruaj mëshirën,
Besëlidhjen me të kurrë s’do ta thyej.”
_____________
Leximi i dytë (Rom 16, 25-27)
Për shumë veta mister do të thotë diçka që s’kuptohet. Për ne misteri është Krishti. Ai është plani i Hyjit që është zbuluar përpara në Besëlidhjen e Vjetër nëpërmjet profetëve dhe më pas në Besëlidhjen e Re nëpërmjet personit të Krishtit. Krishti na është zbuluar neve me fjalë dhe shenja njerëzore për të na tërhequr drejt bindjes së besimit të lirë dhe të përgjegjshëm.
Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Vëllezër, Atij që mund t’ju forcojë – sipas Ungjillit tim dhe predikimit të Jezu Krishtit, sipas zbulesës së Misterit, të mbajtur fshehur për kohë të amshuara, por tani të shfaqur dhe, me anë të shkrimeve të profetëve, me urdhër të Hyjit të amshuar, të lajmëruar mbarë popujve paganë për t’i sjellë në dëgjesën e fesë – Një të vetmit Hyj, të gjithëdijshmit, i qoftë, nëpër Jezu Krishtin, lavdi në shekuj të shekujve. Amen. Fjala e Zotit!
ALELUJA, Aleluja.
Unë jam shërbëtorja e Zotit:
Më ndodhtë siç the ti!
Aleluja.
V Ungjilli (Lk 1, 26-38)
Engjëlli në emër të Zotit i kërkon Marisë të bëhet nëna e Mesisë. Nga ajo do të lindë Jezusi, Biri i Hyjit dhe i Marisë, dhe do të bëjë pjesë në pasardhësit e Davidit nëpërmjet Jozefit; mbretëria e tij do të jetë e amshuar. Premtimet e Hyjit që realizohen në Jezusin janë vepër vetëm e Hyjit dhe jo e njeriut, edhe pse Maria bashkëpunon me Hyjin.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë, Hyji i dërgoi engjëllin Gabriel në një qytet të Galilesë, që quhet Nazaret, te një virgjër, që ishte e fejuar për një njeri, që quhej Jozef, prej fisit të Davidit. Virgjëra quhej Mari.
Engjëlli hyri tek ajo dhe i tha: “Të falem, o Hirplote! Zoti me ty!”
Kjo fjalë e shqetësoi Marinë dhe zuri të mendojë: ç’do të thotë kjo përshëndetje.
Por engjëlli i tha: “Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit! Ja, do të mbetesh shtatzënë e do të qitësh në dritë një djalë e ngjitja emrin Jezus. Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Hyjit të tejet të lartë. Zoti Hyj do t’ia japë fronin e Davidit, atit të tij. Ai do të mbretërojë përgjithmonë mbi shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë mbarim.”
Atëherë Maria i tha engjëllit: “Si do të mund të ngjajë kjo, ndërsa unë jam virgjër?”
Engjëlli iu përgjigj: “Shpirti Shenjt do të zbresë në ty e fuqia e Hyjit të tejetlartë do të mbulojë me hijen e vet; prandaj ky fëmijë do të jetë i shenjtë – Biri i Hyjit. Dhe ja, Elizabeta, kushërira jote, edhe ajo, në pleqërinë e vet, pret t’i lindë djali. Ajo që mbahet beronjë, është në të gjashtin muaj. Vërtet, s’ka gjë të pamundshme për Hyjin!”
Atëherë Maria tha: “Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!”
Atëherë engjëlli u largua prej pranisë së saj. Fjala e Zotit!
Më hollësisht mund të dëgjoni këtu programin kushtuar liturgjisë së Fjalës së Zotit të dielës së 4-të të Ardhjes.....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.