Koha e Ardhjes, kohë e pritjes, e përtëritjes, meditime për çdo ditë: 16 dhjetor
Si ta vlerësojmë trupin Betlehem do të thotë “shtëpia e bukës”. Fjala
na kujton diçka shumë të çmuar, bukën e përditshme, që na e mban trupin gjallë. E
mendja na shkon tek trupi. Kurrë ndonjëherë, si sot, trupit nuk i është kushtuar
vëmendje kaq e madhe. I vlerësuar a i shfrytëzuar, i lartuar a i poshtëruar, sot
është në qendër të vëmendjes në shumë fusha të dijes e të jetës. Si u la mënjanë
një farë mosbesimi, që i shtynte njerëzit ta shikonin si vegël në dorë të djallit
e si pengesë për të ecur në rrugën e virtyteve më të kulluara e më të larta, lindi
prirja për ta vlerësuar më shumë e për ta pranuar si mjet i çmuar, krijim i përsosur,
pasuri, që duhet ruajtur me kujdes. Arrijmë, kështu, të njëjtësohemi me trupin,
a me korpin tonë: të mos themi më se kemi korp, por se “jemi korp”. Korp, që na kujton
ngrohtësinë e frymës. Rivlerësim dinjitoz: e shpreh, në gjithë thellësinë e vet,
aktin krijues, me të cilin njeriu u mendua e u dëshirua si një e tërë: me trup, mendje,
zemër, shpirt. Ta falënderojmë, prandaj sot Zotin, për trupin tonë: është dhuratë
e Tij, e mrekullueshme, e jashtëzakonshme. E të kujdesemi për të, me mirënjohje
të thellë. E kjo na kujton se jo gjithnjë e trajtojmë me respektin e duhur. Shpesh
e shikojmë si të mos ishte vetvetja: e lodhim tepër. E mundojmë. E çrregullojmë. E
përdorim dhe e shikojmë si send, si të mos na përkiste. E, si të ishte i detyruar
t’i nështrohej tekave tona, arrijmë deri atje, sa ta shfrytëzojmë. Madje edhe ta keqtrajtojmë
deri në shpërdorim. Mendoj se kur marr frymë, jetoj; kur ushqehem, fitoj energji,
që digjet pa flakë; kur ec, zbuloj gjallëri, e kur e respektoj trupin, rizbuloj edhe
dinjitetin tim.
“Hyji, Zot i paqes, ju shenjtëroftë krejtësisht
dhe e gjithë qenia juaj: shpirti, jeta, trupi, u ruajtë patëmetë për Ardhjen e Zotit
tonë Jezu Krishtit”(Shën Pali, Letra e parë Selanikasve 5, 23). “Po
qe se gjithësinë e pa fund mundi ta mbledhë në një Korp, si s’mundka
nga një korp me vrull ta shpërthejë Pafundësinë?”
(Alda Merini,
Piccoli canti. La presenza di Orfeo, në Fiore di poesia, 1951-1997, Einaudi, Torino
2014)