2014-12-14 11:38:34

Katolikët në Perandorinë otomane në shekullin XVIII-XIX: Lulëzimi i veprimtarisë kulturore-misionare


Në emisionin e sotëm të ciklit, mbështetur mbi studimin: “Katolikët në Perandorinë otomane në shekullin XVIII”, fryt i pendës së historianit jezuit atë Gjon (Giovanni) Sale, botuar në revistën e mirënjohur të jezuitëve italianë “Civiltà Cattolica”, numri 3921, muaji nëntor 2013, sot do të flasim për lulëzimin e veprimtarisë kulturore-letrare të misionarëve në trojet shqiptare.

Nga gjysma e dytë e shekullit XIX veprimtaria e atyre që jetonin jashta Shqipërisë, rreth Propagandës së Fesë, pas një banimi të gjatë në vend, kryqëzohet me atë të misionarëve të vendosur në Shqipëri. Po qëllimi është i njëjtë: përforcimi i fesë dhe përhapja e saj, që çoi në lërimin e shqipes. Pas veprave fetare, të kujtuara më sipër, vijnë veprat kulturore-mësimore. Më 1866 një misionar observant, Francesco Rossi da Montalto, pas pesëmbëdhjetë vjetësh qëndrimi në Shqipëri, boton pranë Propagandës një gramatikë 350 faqesh “Regole gramaticali della lingua albanese”: Në të njëjtin vit, gjithnjë në Romë, del vëllimi i parë i Fjalorit të tij italisht-shqip (Vocabolario italiano-epirotico) me 953 faqe, ndërsa më 1875, vëllimi i dytë shqip-italisht (Vocabolario epirotico-italiano) me 1400 faqe. Në fushën asokohe fare pak të lëruar të leksikologjisë shqipe, ky fjalor do të mbetet shtyllë dhe pasqyrë e pazëvendësueshme edhe sot e kësaj dite, e thesarit leksikor dialektor të Shkodrës. Arsyet, që e shtynë atë Rosin t’ia hyjë një pune të tillë të vëshirë, meritojnë të njihen: janë fetare, sigurisht, por edhe humanistike e, sidomos, kulturore. Deshi misionari, të tërhiqte vëmendjen e Evropës së kulturuar. Deshi që Evropa ta njihet e ta vlerësonte popullin e vogël, që e fliste këtë gjuhë të lashtë, të sulmuar në shekuj nga hordhi fjalësh të huaja! Në luftë të ashpër për të jetuar, e rrethuar nga gjuhë të kultivuara, si ajo greke dhe e pushtuar për shumë kohë nga gjuha latine, nga ajo arabe, perse e turke. Ç’qëndresë heroike ajo e fjalëve shqipe, që mbetën gjallë pas aq ndeshjesh në fushën e betejave gramatikore.
Ndërkaq pishtari i kulturës kalon në duar të reja: nga seminari i misionarëve jezuitë e nga shkolla françeskane, dalin nxënësit e parë shqiptarë e, me ta, shkrimtarët e parë katolikë vendas. Atëhere veprimtaria kulturore nis lulëzimin sa përmes pendave të priftërinjve të huaj, aq edhe të atyre vendas, në bashkëpunim të ngushtë njëri me tjetrin, sepse nën dritën e të njëtit binom: “Për Fe e Atme!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.