2014-12-11 16:34:20

Më 14 e 15 shkurt, Koncistori për krijimin e kardinajve të rinj


Përfundoi sot java e mbledhjes së Këshillit të nëntë kardinajve këshilltarë, që filloi të martën e kaluar. Drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi, foli për këtë sot, gjatë një takimi. Atë Lombardi njoftoi edhe se më 14 e 15 shkurt do të mbahet Koncistori për krijimin e kardinajve të rinj.
Sesioni i takimeve të nëntë kardinajve, në të cilin merr pjesë edhe Papa Françesku, përfundoi sonte. Në qendër të punimeve, vërejtjet e bëra me rastin e takimit të krerëve të dikastereve, më 24 nëntorin e kaluar. Ndërmjet tyre, kriteret e përgjithshme, që frymëzojnë punën e reformës së Kuries si dhe disa propozime të posaçme, si ai i riorganizimit dhe i përqendrimit të disa Këshillave Papnore. Një nga temat e tjera, që u prek, ka të bëjë me Komisionin për mbrojtjen të miturve. Anëtarët e Komisionit, tha Atë Lombardi, ka shumë mundësi të jenë 18, për të garantuar një përfaqësi gjeografikisht sa më të gjerë.
Drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit njoftoi, më pas, se më 9 deri më 11 shkurt do të organizohet mbledhja plenare e Këshillit të nëntë kardinajve. Me këtë rast do të bëhet një rilexim i përgjithshëm i gjendjes aktuale të formulimeve të orientimeve dhe të propozimeve për reformën e Kuries, në mënyrë që të mund të paraqiten në Koncistorin e Kolegjit të kardinajve, në program për 12 e 13 shkurtin e ardhshëm. Më pas atë Lombardi dha edhe një njoftim tjetër të rëndësishëm:
“E pyeta shprehimisht Atin e Shenjtë, sot paradite, e m’u përgjigj se mund ta them që ditët e ardhshme, më 14 e 15 – ka mundësi të parashikojmë edhe një Koncistor për krijimin e kardinajve të rinj”.
Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari lidhur me kardinajtë e rinj, atë Lombardi, në përfundim, shtoi:“Përsa u përket kardinajve të rinj, siç e dimë, kjo varet nga Papa, që do të na i thotë në kohën e duhur, kur do të ketë vendosur. Sipas traditës, kjo bëhet një muaj përpara. Emrat do të na i thotë Papa, kur ta shohë të arsyeshme”.







All the contents on this site are copyrighted ©.