Rabini Skorka për trafikun e njerëzve: maksimumin e dënimit për skllavëruesit
Pati jehonë në të gjithë botën, takimi i javës së kaluar ndërmjet feve në Vatikan,
që solli nënshkrimin e Deklaratës së përbashkët kundër trafikut të njerëzve. Papa
Françesku dhe 11 përfaqësues të feve të botës e quajtën skllavërimin modern “krim,
që lëndon njerëzimin”, u kërkuan besimtarëve dhe qeverive të bëjnë gjithçka për ta
çrrënjosur këtë plagë të rëndë, që e kanë mbi trup rreth 30 milion vetë. Ndër nënshkruesit
e dokumentit historik, edhe rabini hebre Abraham Skorka, rektor i Seminarit Rabinik
Latinoamerikan të Buenos Ajresit, mik i Atit të Shenjtë. Ja ç’na tha në mikrofonin
tonë: Kjo firmë ka rëndësi të jashtëzakonshme në këtë çast, sepse, fatkeqësisht,
siç përmendi dikush këtu, vazhdojmë të jetojmë në një realitet skllavërimi, si ajo
e dymijë vjetëve më parë. Njerëzimi, që ka arritur një zhvillim teknologjik kaq të
madh, që i kupton shumë gjëra në nivelin shkencor, nuk mund të pranojë, në asnjë mënyrë,
asnjë lloj skllavërie. Sot, kemi skllavërim, sepse shfrytëzojmë punën e njerëzve,
kemi trafik organesh e shumë forma të tjera, që bëhen gjithnjë e më të sofistikuara.
Kjo nuk duhet të bëjë pjesë në realitetin njerëzor. E jona është britmë, që shpresoj
të jehojë fort, në të gjitha nivelet, që të merren masat e nevojshme e të dënohen
të gjitha format e skllavërisë si krim, që lëndon njerëzimin, pavarësisht nga numri
i viktimave. Edhe sikur një person i vetëm të çohet drejt skllavërimit, përgjegjësit
duhen penalizuar me maksimumin e dënimit. Duhet të jetojmë në një botë më të mirë.
Zoti na i ka dhënë aftësitë mendore e ato duhen shoqëruar me etikën e Biblës.