2014-12-07 14:13:56

Katolikët, në Perandorinë otomane në shekullin XVIII-XIX: një shekull veprimtari misionare, me kontribute të shquara kulturore-letrare


Në emisionin e sotëm të ciklit, mbështetur mbi studimin: “Katolikët në Perandorinë otomane në shekullin XVIII”, fryt i pendës së historianit jezuit atë Gjon (Giovanni) Sale, botuar në revistën e mirënjohur të jezuitëve italianë “Civiltà Cattolica”, numri 3921, muaji nëntor 2013, do të flasim për një shekull veprimtari misionare, me kontribute të shquara kulturore-letrare në trojet shqiptare.

Veprimtaria kulturore e jezuitëve në Shkodër nis me veprat e tre themeluesve të parë të misionit të urdhërit në trojet shqiptare.
Më 1845 atë Zef Guagliata dhe atë Vinçenc Basile, që të dy sicilianë, vetëm pas pak vjetësh qëndrimi në Shqipëri, botojnë në Shtypshkronjën e Propagandës, secili nga një libër shqip: Guagliata “Dottrina e kerctèn” e Basile, “Rruga e Parisit(Parrizit)” . Ndjekin, më pas, në po atë Shtypshkronjë, disa botime të tjera misionarësh italianë, që po i kujtojmë, për të plotësuar kuadrin e kësaj veprimtarie të parë kulturore: Dario Bucciarelli, françeskan, boton “Udha e shejtes kryq (1832); Bonaventura da Francavilla, françeskan, “Confesione pratica italo-epirotica”; Gaetano Bruschi, jezuit, “Moj’ i Majit (1864); Tomaso Marcozzi, françeskan, “Urát” (1867).
Fakti që misionarët e huaj i vihen mësimit të shqipes dhe e mësojnë sa ta flasin dhe ta shkruajnë si të ishin shqiptarë, nuk duhet të na çudisë fare, sepse një nga detyrat kryesore të misionarit ka qenë e është të mësojë gjuhën e vendit ku do të zhvillojë apostullimin. Por atje ku gjuha shkruhet rrallë e për mall ose nuk ka ende dëshmi të denja shkrimi, veprat e misionarit, të vetmet në qarkullim, sadoqë fetare, ia kalojnë apostullimit të thjeshtë e marrin vlerë krejt të posaçme për fillimet e zhvillimit kulturor-letrar të vendit të misionit. Në këto kushte, detyra e misionarit bëhet edhe më e vështirë. Atij i duhet të hyjë në palcën e gjuhës së vendit, e edhe të përgatisë mjete për mësimin e gjuhës nga misionarët e ardhshëm, e nga nxënësit vendas. Kështu, paralelisht me përhapjen e fesë, qëllimi kryesor i misionarit, krijohen edhe kushtet për të vënë themelet e kulturës së vendit të misionit: caktohet alfabeti, hapen shkolla, përpilohen tekste për mësim, gramatika, fjalorë, për të lindur, pastaj, edhe veprat e para të mirëfillta të kulturës së vendit të misionit.
Ndërkaq, ndërmjet misionarit e popullit të vendit krijohen lidhje, që i kalojnë caqet kulturore, lidhje njerëzore, dhimbsurie, kujdesi për vendin e misionit dhe banorin e tij, aq sa për misionarin, vendi i misionit bëhet atdhe i dytë, nëmos, atdheu i tij i vetëm, të cilit i kushton jetë e vepra.Për vepra të tjera, krijuar në fillim nga misionarët e huaj, pastaj nga nxënësit e tyre vendas, do të flasim në emisionin e ardhshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.