2014-12-05 14:55:59

Nata e festës së Shën Nikollit


Sonte besimtarët katolikë kremtojnë natën e festës së Shën Nikollit, ipeshkëv. Pra, Kisha katolike kremton sonte natën e festës liturgjike të Shën Nikollit, ipeshkëv i Mirës në Azi të Vogël (Turqia e sotme), në shekullin e IV, një ndër shenjtorët e dëshmitarët e Krishtit më të nderuar nga besimtarët e krishterë si dhe ata shqiptarë, të të gjitha krahinave e madje edhe të besimit islam. Shën Nikolla u dallua për fenë e gjallë në Mësuesin Hyjnor, Jezu Krishtin dhe posaçërisht për kujdesin e ndihmën për të varfrit, siç pohojnë shumë tregime e gojëdhëna që flasin për bamirësinë e dashamirësinë e tij ndaj nevojtarëve. Prandaj shën Nikolla është për të gjithë ne shembull i bamirësisë ndaj të varfërve, mbrojtës i të vërtetave të fesë së krishterë dhe i dinjitetit të çdo njeriu, dëshmitar i guximshëm i fesë në Zotin.
Edhe ndër shqiptarë, shumë njerëz thirren me emrin Nikollë, emër që duke iu përshtatur gjuhës shqipe, njihet me trajtat: Kolë, Koli, Kole dhe Lec.
Kulti i nderimit të shën Nikollit ndër shqiptarë është i lashtë, qysh përpara pushtimit turk, siç dëshmojnë një sërë dokumentesh dhe vërtetojnë edhe gërmadha të Kishave të shumta kushtuar Shenjtit në tokat shqiptare. Kështu, në dokumentet e Farlatatit, shkruan në shekullin XVIII, lexojmë: “Në krahun ku ndodhet Kisha e Zojës së Këshillit të Mirë, pak më nga jugu, prapa kështjellës, dukej një Kishë madhështore me gurë të skalitur, shiheshin rrënime e shumë mure akoma në këmbë.....Ishte Kisha e Shën Nikollit....Turqit nuk guxonin të preknin aty asnjë send...aq i madh ishte nderimi për Shenjtin”.
Gjithnjë sipas Farlatit, andej lumit Bunë, në lagjen që quhej “Te Buen”, pak më larg nga Kisha e famshme e Shën Sergjit e Bahut, ka qenë një tjetër Kishë kushtuar Shën Nikollit, muret e së cilës ishin të mbuluara me afreske që përkujtonin mrekullitë e shenjtit.....”.
“Duke ndjekur rrjedhën e lumit Buene, te gryka e detit, ka qenë ndërtuar një Kishë e mrekullueshme e Shën Nikollit të Barit, me gurë të skalitur”, shkruhet në dokumentet e Farlatit. Ndonëse autoritetet pushtuese turke e kishin ndaluar rreptësishtë – në kremtimin liturgjik të Shenjtit merrte pjesë edhe një shumicë besimtarësh myslimanë. Devocioni për shën Nikollin ishte aq i madh, sa famullitari i vendit jetonte vetëm me lëmoshat që mblidheshin ditën e festës. Emrin e kësaj Kishe, më vonë e mori fshati, duke u quajtur “Shën N’koll”. Kështu shën Nikolli hyri edhe në toponomastikën shqiptare.
Një tjetër Kishë e Shën Nikollit ka qenë ngritur që para pushtimit turk në Shkodër, në lagjen Rus, sot e rindërtuar shumë bukur, pas rrënimit të saj të plotë bërë nga komunistët.
Po sigurisht që Kisha më e njohur e shën Nikollit në trevat shqiptare është Kisha Katedrale në Lezhë, seli e Kuvendit të famshëm të Princave shqiptarë të shekullit XV, vendvarrosje e heroit të kombit shqiptar Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Kisha kushtuar nderimit të shën Nikollit kemi edhe në Kosovë, ajo e bashkësisë famullitare të fshatit Velezhë të Prizrenit, ndërtuar nga dom Nikollë Mini. Po kështu edhe në rrethinën e Ulqinit të Malit të Zi e shumë kapela tjera.
Tradita të bukura e prekëse lidhen me kremtimin e festës së Nikollit në treva shqiptare. Me këtë rast është traditë ndër katolikë të Shqipërisë të flijohet një gjel ( këndes ); ndër shqiptarë të Kosovës – një qengj. E sidomos është traditë që sonte, natën e së kremtes së Shën Nikollit, familjarët para se të darkojnë së bashku e me miq, të ndezin qiriun e Shën Kollit, të këndojnë këngën e lashtë “Sa punë të mëdha e mrekulli, që ka ba Shejti Shën Kollë” dhe t’i lutën Zotit së bashku përmes ndërmjetësimit të Shenjtit të mrekullive.
Pra, të gjithë atyre që e lusin këtë festë, për shumë mot, me ndërmjetësimin e Shën Nikollit, Zoti Atë ua dhuroftë hire e bekime Hyjnore e ua të plotësoftë dëshirat e mira.
Kanga e Shën Nëkollit.

Sa punë të mëdhaja e mrekulli
Qi ka bâ Shejti Shën Nkollë,
Difton qiella me lumni
E gjithë bota s’pranë tue folë.
Lundërtari tue vozitë
e skamnori që lypë bukë,
kangë e lavde s’rrinë pa qitë;
Si shtegtari që ban rrugë.
Si i pasë, si ai që s’ka,
N’pasët ndoj smundje a çdo idhnim,
Fill te i lumi pa ia dá
N’ ujë t’ Shën Nëkollit gjenë shërim.
Qysh se leu n’ kët botë ky fmí,
Kje si hylli që shkelxen,
Kje si drita tanë mirsí
Gjindja u mbushen me gazmend.
Ai kje i pastër si bilur,
I dha trupit të madh shtërngim
E n’e prende e n’e merkurr
gji nuk merr, ban agjinim.
Tue u rritë me shumë urtí,
Shpejt e ngjiten prindja në shkollë;
E nji të madhe mrekullí
Hin e ban Shejti Shën Nëkollë.
Kur prej shkollës po kthente n’ shpí
Hasë nji grue që ish’ tue dekë
E ky djalë plot me dashtëní
tue i bâ kryq prej dekës e hjekë.
Adeodati, djalë dishiri,
Kje grabitë e çue në mergim
E i Shën Nëkolli prej Misiri
Për ajrí e çon në lirim.
Tri kuleta janë dërgue
Ndër tri vajza mbetun shkret,
Prej dritorjet shkon me i çue,
E ato me nderë i qet.
Tre fmí të mbytun prej mizorit,
Shtî n’ nji sheke copë e grimë,
I ktheu në jetë pa kurrfarë zorit
I Shën Nëkolli me ‘i bekim.
Fushë e male, tokë e dét,
Uj e zjarm e diell e hanë,
Sa fuqí mbi dekë e jetë
Ka Shën Nëkolli, diftue e kanë.
Dridhet ferri prej idhnimit,
Kur Shën Nëkolli n’ ball flakron,
Hikë shejtani pre tmerimit
Kur i k’shteni ndihmë kërkon.
Por nji të madhe porosí
O i Shën Nëkollë, nji të madhe nderë
Na fal t’ gjithve si dhantí
Ndore tande t’ jemë përherë.
E n’at ditë që të jetë shenjue
Prej kso jete na me u hjekë,
Ndore tande kjoshim lshue
Ku gjithmonë na kjeme pshtetë.
O i Shën Nëkollë plot me dashtní,
Shpirtënt tonë ti na i kujtò,
Prap po të bâjmë ket porosi:
ti n’at’ jetë të gjith na pshtò!
Marrë nga ‘Katekizmi i Kishës katolike’.







All the contents on this site are copyrighted ©.