Përkujtojmë sot një datë me rëndësi të veçantë për çështjen kombëtare shqiptare: përvjetorin
e themelimit në Bukuresht të shoqërisë “Bashkimi”, më 4 dhjetor 1906, në të
cilën vetëm 6 vjet para shpalljes së Pavarësisë, u shkrinë shoqëritë “Diturija” (pasardhëse
e “Dritës) dhe “Shpresa”. Në vijim të veprimtarisë patriotike, nisur nga “Drita”
qysh pas Lidhjes së Prizrenit, shoqëria e re do të mbetej një nga vatrat më të rëndësishme
të botimit të librave në gjuhën shqipe. Librat, përgatitur prej atdhetarësh punëtorë,
dilnin një nga një nga shtypshkronja e saj e dërgoheshin në të katër anët e Shqipërisë
e të botës, që nga Amerika deri në Kinë, duke përhapur kështu kudo idenë e madhe të
Shqipërisë së mosvrame. Lexoheshin me etje të madhe dhe ngjallnin ndër zemra ndjenjën
e kombësisë, dëshirën për një Rilindje e për një Atdhem, duke u bërë burim i pashtershëm
i idealit të ri të popullit shqiptar. Nga kjo shoqëri nisi fushata e sulmi për përdorimin
e gjuhës shqipe në shkollat e Shqipërisë e po nga kjo, veprimtaria për të përhapur
kudo vargjet dhe notat e Himnit të Flamurit, krijuar po në gjirin e saj nga ai, që
qe deri në vdekje, shpirti i lëvizjes së shqiptarëve të Rumanisë, Asdreni. Po kjo
shoqëri do të dërgonte më 28 nëntor për të ngritur Flamurin Kombëtar në Vlorë një
delegacion të përbërë nga 6 patriotë nga më të dalluarit e të flakët, ndërmjet të
cilëve, Luigj Gurakuqin, që do të luanin, më pas, një rol të dorës së parë për organizimin
e shtetit shqiptar në fasha.