2014-11-30 15:39:04

Kontributi i misionarëve në zhvillimin e kulturës shqiptare në shekullin XVIII


Në emisionin e sotëm të ciklit, mbështetur mbi studimin: “Katolikët në Perandorinë otomane në shekullin XVIII”, fryt i pendës së historianit jezuit atë Gjon (Giovanni) Sale, botuar në revistën e mirënjohur të jezuitëve italianë “Civiltà Cattolica”, numri 3921, muaji nëntor 2013, po ju njohim me Kontributin e misionarëve në zhvillimin e kulturës shqiptare në shekullin XVIII.

Duke pasë vënë në krye të këtyre emisioneve, bazuar kryesisht tek studimi “Katolikët në Perandorinë otomane në shekullin XVIII”(Civiltà Cattolica”, n. 3921, muaji nëntor 2013) fryt i pendës së historianit jezuit atë Gjon Sale, titullin “Shekulli XVIII-shekull misionar”, nuk mund të mos e pëfundojmë me “Ndihmesën e misionarëve në zhvillimin e kulturës shqiptare”, me të cilën historiani jezuit nuk merret, sepse nuk është objekt i studimit të tij.
Pa hyrë në hollësira historike, kujtojmë se kjo ndihmesë u kufizua kryesisht në rilindjen e kulturës dhe të letërsisë shqipe ndër katolikët e veriut.
Kleri katolik shqiptar, të gjithë e dimë, ishte i pari e i vetmi në Shqipëri, që i dha dinjitet gjuhës së shkruar shqipe. Buzuku, Bardhi, Bogdani, Kazazi... e të tjerë, janë dëshmuesit e pamohueshëm të kësaj veprimtarie kulturore-letrare, që zgjati plot dy shekuj. Por dimë edhe se me Kazazin kjo veprimtari ndërpritet. I dërmuar nga persekutimi, kleri shqiptar vijon të japë më shumë prova martirizimi, sesa shkrimi. Po fara e hedhur nuk humbet e flakëza e ndezur nuk shuhet. Pishtari rroket nga misionarët e huaj, për të kaluar përsëri, pakëz më vonë, në dorë të shqiptarëve, me një shkëlqim të ri.
Veprimtaria e misionarëve të huaj në shekullin XVIII nis me emrin e françeskanit, atë Bernardo da Quinzano, misionar në Shqipëri, në vitet 1636-1649, përkthyes dhe botues i një Doktrine (1675), që vijon të mbetet e pazbuluar, në pritje të studiuesit të mësuar e të zellshëm.
Pas tij kujtohet françeskani Leo da Cittadella, misionar në Shkodër më 1671, autor i Dictionarium epiroticum, mbetur në dorëshkrim, ende i pagjetur.
Një “Vocabolario albanese-italiano e italiano-albanese” gegërisht, në dorëshkrim i misionarit bazilian, Nilo Katalano, nga Messina (1637-1694), kryeipeshkëv i Durrësit, ishte pronë e poetit Zef Schiro.
Ndërsa në shekullin XVIII, françeskani Fracesco Maria da Lecce, me “Osservazioni grammaticali nella lingua albanese” (1716) i fali gjuhës shqipe të parën gramatikë të shtypur, duke lënë në dorëshkrim një Dizionario italiano-albanese. Bibliografia shqiptare përmend edhe ndonjë dorëshkrim tjetër të këtij shekulli, që përdorej për mësimin e gjuhës shqipe në kuvendet italiane.
Deri këtu, vërejmë vetëm hapat e para, të druajtura, por që i hapën rrugën rilindjes së vërtetë dhe periudhës së dytë të lëvizjes kulturore katolike në Shqipëri, e cila zu fill me ardhjen e jezuitëve.
Të thirrur prej kryeipeshkvit të asokohshëm të Shkodrës, imzot Luigi Guglielmi-t, që dëshironte të themelonte një seminar, sidoqë gjenerali i jezuitëve, atë Gjon Roothan ngurronte t’ia hynte kësaj pune, ardhja e misionarëve qe me të vërtetë dramatike. Etërit e parë, që mbërrijtën më 1841 në Shkodër, qenë atë Zef Guagliata, atë Vinçenc Basile dhe atë Salvator Bartoli, që hapën menjëherë, ndonëse me shumë pak nxënës, seminarin, për të cilin edhe kishin ardhur. Por më 1843 fanatizmi turkoman e shembi seminarin dhe i detyroi jezuitët të largohen. Më 1854 u shemb edhe ndërtesa e dytë e nisur nga jezuiti atë Klaud Stanisav Neri. Atëhere u dukën në skenë konsujt, për të cilët folëm më sipër. Konsulli francez, anglez e ai austriak dolën, me anijet e tyre, në grykë të Bunës, u dhanë fund pështjellimeve në qytet dhe ndihmuan për rihapjen e seminarit. Kështu jezuitët u vendosën në Shkodër, ku nisën veprimtarinë e tyre kulturore-letrare, që zgjati gati një shekull.








All the contents on this site are copyrighted ©.