2014-11-30 15:40:04

Koha e Ardhjes, kohë e pritjes, e përtëritjes: meditime për çdo ditë


Koha e Ardhjes, është kohë e pritjes, e përtëritjes. E kurrë kohë amullie, kurrë kohë e zbrazët. Pa pritje nuk mund të kuptohet dëshira për t’u takuar. S’ka takim, pa pritje…
Pritja është kryesisht ndjesi shpirtërore. Edhe nëse përjashta mund të mos ketë asgjë të veçantë, në thellësi të shpirtit ndjejmë dëshirën e çuditshme për ta zbukuruar gjithçka për rreth nesh, që të mund ta presim denjësisht atë, që vjen. E që të mos ndjehemi vetëm.
Pritja e zhduk vetminë e frika shndërrohet në gëzimin e takimit
Pritja, duke hyrë në jetën e shpirtit, i hap të gjitha portat, për qiellin e tokën. Nën hijen e sendeve shpirti kërkon Zotin, kërkon komunikimin me jetën. Shpirti, që pret, ka etje për Zotin e për shokun. E deri mendimi i të sosurit vjen me hapa të lehta, butësisht, si Ai që po pret.
Në përvojën e fesë, të gjithë besimtarët e jetojnë kohën e pritjes, të cilën Liturgjia e Ardhjes na e paraqet si përgatitje për takim e shprehje të gatishmërisë për ta pritur Zotin. Nësa ai vjen përvujtërisht, në kërkim të njeriut, që ta përtërijë miqësinë dhe besën e dhënë, si dhuratë e festës së dhuratave.
Koha e pritjes hap para nesh një shteg të çmuar, atë që çon në risimin e zemrës, të mendjes, të kujtesës e të vullnetit. Synon të na bëjë të vetëdijshëm për takimin me Atë, që duke qenë pambarimisht i madh, bëhet fare i vogël, pambarimisht i lartë, bëhet fare i përulur, për të arritur, kështu, në zemrën e çdo krijese: me Jezu Krishtin. Zërat e jashtme të botës ushtojnë e rruga ndahet më dysh. Gjysma akull e gjysma diell. Ecim kah dielli me përvojën e fesë, duke shfletuar së bashku 25 faqe me reflektime të shkurtëra për udhën e pritjes, të lutjes, të kujtesës, të të gjitha dëshirave, që fshihen në shpirtin tonë.
Nuk ka ndonjë rend të posaçëm në radhitjen e tyre. I vendosëm si etapa të përditshme të një shtegtimi, drejt vendit të takimit me Atë, që na paraprin e që i pret të gjithë ata, të cilët e kërkojnë! Atëhere errësira, e sulmuar nga drita e pritjes, davaritet, duke i lënë vendin një muzgu të ndritur, kur njeriu që pret, arrin te caku: te Shpella e Betlehemit.








All the contents on this site are copyrighted ©.