2014-11-28 13:35:38

Stamboll, atë Masedu: katolikët presin inkurajimin e Papës


Nesër, Papa Françesku do të kremtojë meshën në katedralen e Shpirtit Shenjt në Stamboll. Kjo meshë do të ketë karakter ndër-ritual. Famullitari i katedrales, saleziani Nicola Masedu, na tregon ç’pret bashkësia katolike nga Ati i Shenjtë:RealAudioMP3
Para së gjithash, presim fjalë inkurajimi nga Papa: zakonisht, kur e dëgjojmë, gjithmonë na inkurajon. Tani që vjen këtu, shpresojmë të sjellë me vete frytet që dëshirojmë, pra, paqe, më shumë drejtësi, vëllazërim, më shumë gatishmëri për dialog… Nuk vjen vetëm për latinët: vjen për katolikët, që janë edhe armeno-katolikë, siro-katolikë, kaldeas. Papa vjen për të gjithë. Vërtet, për këtë vizitë, vinë edhe nga Anadolli, ku njerëzve u vjen keq që Papa nuk mund të shkojë as në Izmir e as në Efes… Ne presim edhe të kuptohet kush është krishteri i vërtetë, e të mos përshkruhet ai siç do të dëshironin ta imagjinojnë të tjerët, ose siç ka frikë ndokush. Të jetë imazh ungjillor, imazh i hapjes, i mikpritjes, i vëllazërimit, i gatishmërisë. Sikur ne latinëve të na sigurohej edhe njohja juridike, do të na bënte shumë mirë: do të na lejonte të punonim më të qetë e më frytshëm.
Mosnjohja juridike nga ana e shtetit ju nxjerr shumë pengesa, apo jo?
Kjo do të ndryshonte nëse do të na njihnin, sepse do të mund të punonim edhe me një numër më të madh njerëzish e do të kishim më shumë projekte. Për shembull, puna jonë si salezianë ka të bëjë me fushën e edukimit: edukim shpirtëror, shoqëror, kulturor. Kemi dy shkolla. Veçantia, që zgjon edhe admirimin e njerëzve, është puna në favor të refugjatëve irakianë, sidomos mësimi i gjuhës angleze, që për ta është e domosdoshme. Kështu, kemi hapur një shkollë për ta. Pjesa më e madhe janë kaldeas katolikë, por, kohët e fundit, kanë ardhur edhe rreth 30 e më shumë sirianë. Kemi edhe ndonjë mysliman, që frekuenton pa probleme. Pra, nëse gjykojmë nga e-mail-et që marrim, nga letrat, kartolinat e nga telefonatat, ky shërbim vlerësohet shumë.








All the contents on this site are copyrighted ©.