2014-11-28 11:00:05

Papa u nis për në Turqi: sot takimi me autoritetet politike në Ankara


Papa u nis sot, rreth orës 09.00 për Turqi. Është shtegtimi i tij i gjashtë apostolik. Etapa e parë e shtegtimit, Ankaraja, ku do të arrijë rreth orës 13.00. E takimi i parë, ai me autoritetet: presidentin Erdogan, kryeministrin Davutoglu e kreun e Diyanet, departamentit për çështjet fetare. Nesër do të shkojë në Stamboll.RealAudioMP3

Shtegtimi VI apostolik i Papës në Turqi është thellësisht ekumenik, pa harruar bashkësinë e vogël katolike të vendit, që pret ta takojë Françeskun nesër, në katedralen e Shpirtit Shenjt, në Stamboll, me dëshirën që të rrijë sa më shumë me Kryebariun.
Nëse dita e sotme do t’i kushtohet plotësisht takimeve me autoritetet, dy ditët e tjera Papa do të jenë ditë takimi me Bartolomeun I.
Papa e Bartolomeu do të kalojnë së bashku çaste të rëndësishme, që do të vënë theksin mbi dëshirën për të ecur sa më shpejt drejt bashkimit të plotë të të krishterëve të cilët, në këto troje, ndeshin shumë vështirësi, gjë që e ka pakësuar shumë praninë e tyre: rreth njëqind mijë, në gjirin e një popullsie prej 75 milionë banorësh.
Françesku shtegton drejt një vendi me tensione të forta, edhe për shkak të luftës e të dhunës, që troket në portat e tij, ku janë dyndur një milion e gjysëm refugjatë irakianë e sirianë, të ikur nga vende në flakë e nga përparimi i vazhdueshëm i xhihadistëve.
Takimi i fundit i Papës, para se të largohet nga Turqia, do të jetë ai me të rinjtë e oratorit. Për ta, shpjegojnë salezianët, do të jetë një inkurajim i madh: tek Papa shikojnë Atin, Kryebariun e dëshmitarin e madh të dramës së tyre.








All the contents on this site are copyrighted ©.