Papa Françesku në Diyanet: krerët fetarë të denoncojnë dhunimin e të drejtave
Menjëherë pas takimit me autoritetet dhe me kryeministrin e Turqisë, Papa Françesku
shkoi në presidencën e Çështjeve Fetare të vendit, apo “Diyanet”, siç quhet në turqisht.
Pikërisht presidenti i Diyanetit e priti Papën Françesku për ta shoqëruar fillimisht
në studion e tij për një takim privat me krerët myslimanë e pastaj, në Sallën, ku
Ati i Shenjtë u foli krerëve politikë e fetarë, myslimanë e të krishterë, të pranishëm
në vendin ku ka qenë edhe Benedikti XVI, në nëntor 2006. E Papa Françesku vuri
në dukje menjëherë marrëdhëniet e mira ndërmjet feve: “Marrëdhëniet
e mira dhe dialogu ndërmjet krerëve fetarë kanë rëndësi të madhe. Ato përfaqësojnë
një mesazh të qartë, drejtuar bashkësive, për të shprehur faktin se respekti i ndërsjellë
dhe miqësia janë të mundshme, pavarësisht nga ndryshimet. Kjo miqësi, përveçse është
vlerë në vetvete, merr domethënie të veçantë e rëndësi të mëtejshme në kohë krizash
si kjo e jona, kriza, që, në disa zona të botës, kthehen në drama të vërteta për popullsi
të tëra”. Luftrat, tensionet, konfliktet ndëretnike e ndërfetare, uria dhe
varfëria, që dhjetojnë miliona njerëz, dëmet shkaktuar ambientit: ishin këto imazhet,
me të cilat Papa Françesku përshkroi gjendjen, për të hyrë më në thellësi në disa
situata të veçanta të Lindjes së Mesme. Ati i Shenjtë përmendi vuajtjet e patreguara
të fëmijëve, të nënave, të të moshuarve e të refugjatëve, që pësojnë dhunë të çdo
lloji: “Vërtet tragjike është gjendja në Lindjen e Mesme, sidomos në Irak e
Siri. Të gjithë vuajnë nga pasojat e konflikteve dhe gjendja humanitare është shqetësuese
në kulm. …Për shkak të një grupi ekstremist e fundamentalist, bashkësi të tëra, sidomos
të krishterët dhe jazidët – por jo vetëm ata – kanë vuajtur e vazhdojnë të vuajnë
nga dhuna çnjerëzore, për arsye të identitetit të tyre etnik e fetar. Janë dëbuar
me forcë nga shtëpitë e tyre, u është dashur të braktisin çdo gjë për të shpëtuar
jetën e për të mos e mohuar fenë. Dhuna ka goditur edhe vendet e shenjta, monumentet,
simbolet fetare dhe trashëgiminë kulturore, si të dëshirohej të zhduket çdo gjurmë,
çdo kujtim i tjetrit”. S’kishte si të fliste më qartë se kaq, Papa Françesku,
për pasojat shkatërrimtare të luftës së nisur nga integralistët e të vetëquajturit
“Shtet Islamik”. Jeta e njeriut, denoncoi Papa, është e shenjtë, prandaj dhuna e justifikuar
me anë të fesë meriton dënimin më të madh, pikërisht sepse Zoti i Gjithpushtetshëm
- emrin e të cilit e zënë në gojë kot fundamentalistët - është Hyj i jetës dhe i
paqes. Nga të gjithë ata, që thonë se e adhurojnë, nënvizoi Papa, bota pret të jenë
njerëz të paqes, pavarësisht nga ndryshimet. Pastaj iu drejtua krerëve fetarë e politikë: “Denoncimi
duhet pasuar nga puna e përbashkët për të gjetur zgjidhje të përshtatshme. Kjo kërkon
bashkëpunimin e të gjitha palëve: qeveri, krerë politikë e fetarë, përfaqësues të
shoqërisë civile e, burra e gra vullnetmirë. Në veçanti, prijësit e bashkësive fetare
mund të japin një kontribut të çmuar, sipas vlerave të pranishme në traditat e tyre
përkatëse”. Ne, myslimanët e të krishterët, vijoi më tej Papa Françesku, trashëgojmë
thesare të paçmueshme shpirtërore, të cilat i kemi të përbashkëta, pavarësisht nga
tradita specifike e secilit. E këto janë adhurimi i Zotit të mëshirshëm, Abrahami
si pikë referimi, lutja, lëmosha, agjërimi… Janë elemente, theksoi Ati i Shenjtë,
që nëse jetohen me sinqeritet, mund ta shndërrojnë jetën e njerëzve, duke krijuar
kështu, një bazë të sigurtë për dinjitetin e për vëllazërimin ndërmjet tyre. Ky thesar
i përbashkët shpirtëror duhet promovuar edhe përmes dialogut ndërfetar, tha Papa,
sepse na ndihmon të mbrojmë vlerat morale, paqen e lirinë edhe në shoqëri: “Njohja
e shenjtërisë së njeriut, nga të dyja palët, është bazë për dhembshurinë e përbashkët,
solidaritetin e ndihmën konkrete ndaj më të vuajturve. Përsa i përket kësaj, dua të
shpreh vlerësimin tim për ç’po bën populli turk, mysliman e të krishterë, për qindra
mijëra të ikurit nga vendet e tyre, për shkak të konflikteve. E ky është shembull
konkret se si mund të punojmë së bashku për t’u shërbyer të tjerëve, shembull për
t’u inkurajuar dhe përkrahur”. Papa vlerësoi edhe bashkëpunimin e “Diyanet”-it
me Këshillin Papnor për Dialogun Ndërfetar, duke uruar që ai të vazhdojë edhe në të
ardhmen për të mirën e të gjithëve. E së fundi, kërkoi e premtoi lutje për të pranishmit
e për popullin turk. Nesër, Ati i Shenjtë do të zhvendoset nga kryeqyteti i Turqisë,
Ankara, në Stamboll, ku fillimisht do të vizitojë xhaminë e Sulltan Ahmetit e pastaj,
muzeun e Shën Sofisë, apo të Dijes Hyjnore. Veprimtaritë më të rëndësishme të ditës
së nesërme janë mesha në Katedralen e Shpirtit Shenjt dhe lutja ekumenike në Kishën
Patriarkale të shën Gjergjit, në Fanar.