2014-11-28 15:24:36

Françesku në Ankara: të drejtat dhe liria fetare për të gjithë, bazë për paqen


Papa u nis sot, rreth orës 09.00 për Turqi. Është shtegtimi i tij i gjashtë apostolik. Etapa e parë e shtegtimit, Ankaraja, ku arriti rreth orës 13.00.
Vizitën e parë e bëri në Mauzoleun e Atatürk-ut, për të shkuar, pastaj menjëherë, në Pallatin presidencial “Ak Saray” ku për ta pritur kishte dalë presidenti i Republikës, Rexhep Taip Erdoan, shoqëruar nga një regjiment kalorësie. Papa i drejtoi rojës së nderit fjalët “Përshndetje, ushtarë”, në gjuhën turke.
Këtu Françesku u takua me autoritetet, të cilave u drejtoi fjalimin e parë në tokën turke.
Foli për Turqinë, si për një vend të pasur, me gjurmë nga qytetërimet e lashta, urë natyrore, që lidh dy kontinentet dhe kulturat e ndryshme; tokë e Shën Palit i cili, në këto troje, themeloi disa bashkësi të krishtera; truall i shtatë Koncileve të para të Kishës; vend i pranisë së asaj, që tradita e quan “Shtëpia e Marisë”, pranë Efezit, cak devocioni, ku rrajnë shtegtarë nga të katër anët e botës, e jo vetëm të krishterë, por edhe myslimanë.
Më pas vuri theksin mbi arsyet, që e shtynë të bëjë këtë vizitë në tokën turke:
Vizita është vijim i dialogut plot nderim e respekt, që patën bërë i Lumi Pali VI, Shën Gjon Pali II e Benedikti XVI, dialog i përgatitur e i favorizuar nga veprimtaria e Delegatit të asokoshëm Apostolik, imzot Angelo Giuseppe Roncali e nga Koncili II i Vatikanit”.
Në vijim Papa kujtoi se ndjehet fort nevoja e dialogut, për të thelluar njohjen e për të vlerësuar shumë gjëra, që i bashkojnë të dyja palët e, njëkohësisht, edhe ndryshimet, duke çuar, kështu, përpara, angazhimin për ndërtimin e paqes së qëndrueshme, të bazuar mbi respektimin e të drejtave themelore e të detyrave, që lidhen me dinjitetin e njeriut:
“Për këtë qëllim, është themelore që qytetarët myslimanë, hebrenj e të krishterë- si në dispozitat ligjore, ashtu edhe në zbatimin e tyre - të gëzojnë të njëjtat të drejta e të respektojnë të njëjtat detyra”.
Liria fetare dhe liria e shprehjes, të garantuara për të gjithë, bëhen mjete paqeje, tha Papa. E, menjëherë pas, duke zgjeruar horizontin, kujtoi mbarë Lindjen e Mesme, prej vitesh teatër luftërash vëllavrasëse, që duket sikur lindin njëra tjetrën e të krijojnë përshtypjen se e vetmja përgjigje, që mund t’i jepet luftës e dhunës, duhet të jetë përherë një luftë tjetër e një dhunë tjetër.
Ndërsa, theksoi me forcë Papa, duhen përdorur ndershmërisht e vendosmërisht të gjitha mjetet, për të arritur objektivat konkrete, në shërbim të paqes e të zhvillimit të qëndrueshëm:
Një kontribut i rëndësishëm mund të vijë nga dialogu ndërfetar e ndërkulturor, për t’i dhënë fund, kështu, çdo forme të fundamentalizmit e të terrorizmit, që e poshtërojnë rëndë dinjitetin e gjithë njerëzve dhe e përdorin fenë si mjet për të arritur qëllime të caktuara, që nuk kanë të bëjnë fare me të”.
Papa i ftoi gjithë besimtarët t’i kundërvënë fanatizmit e fundamentalizmit solidaritetin, që ka në themel respektin e jetës njerëzore, lirinë e kultit e lirinë për të jetuar sipas etikës fetare, përpjekjen për të garantuar gjithçka është nevojshme për jetën dinjitoze dhe kujdesin për ambientin natyror:
“Për këtë kanë nevojë, me urgjencë të veçantë, popujt dhe shtetet e Lindjes së Mesme, për të ndryshuar rrugë e për të çuar përpara procesin e paqësimit, duke hequr dorë nga lufta e nga dhuna e duke vijuar rrugën e dialogut, të së drejtës e të drejtësisë. Jemi dëshmitarë të konflikteve të rënda. Në Siri e në Irak, posaçërisht, ushtrohet dhuna terroristike, shkelen ligjet humanitare më fillestare lidhur me të burgosurit dhe me grupe të tëra etnike; vërehen persekutime të rënda, posaçërisht në dëm të grupeve të vogla, të krishterëve e jazidëve sidomos, e jo vetëm të tyre, por edhe të qindra mijëra njerëzve të tjerë, që detyrohen të braktisin shtëpitë e atdheun, për të shpëtuar jetën e për t’i qëndruar besnikë fesë së tyre”.
Së fundi Papa nënvizoi bujarinë e Turqisë ndaj mijëra refugjatëve:
Bashkësia ndërkombëtare ka detyrim moral ta ndihmojë në këtë drejtim. Sepse nuk mund të mbetesh indiferent përballë shkaqeve, që përgatitën këtë tragjedi”.
Është e ligjshme ta ndalosh agresorin e padrejtë, por pa harruar kurrë respektimin e së drejtës ndërkombëtare, e, sidomos, pa ia besuar rrugëzgjidhjen e problemeve, vetëm armëve:
“Burimet ekonomike nuk duhen përdorur për armatime, por për luftën kundër urisë e sëmundjeve, për zhvillimin e qëndrueshëm e mbrojtjen e krijimit, për zhdukjen e formave të shumta të varfërisë e të përjashtimit nga radhët e shoqërisë”.
Turqia, me historinë e vet të pasur, me pozitën gjeografike të favorshme e me rëndësinë e saj në zonë, ka një përgjegjësi të madhe; rrugëzgjidhjet e saj, shembulli i saj kanë vlerë të veçantë. Mund të ndihmojnë shumë në favorizimin e takimit të qytetërimeve e në gjetjen e udhëve të drejta për paqen e progresin.
Kështu u shpreh Papa në takimin me autoritet turke e më pas bisedoi me presidentin Erdoan, me kryeministrin Davutoglu e kreun e Diyanet, departamentit për çështjet fetare e autoritete të tjera.










All the contents on this site are copyrighted ©.