2014-11-28 11:35:46

Ankaraja


Ankaraja, emri i së cilës vjen nga fjala “angora”, leshi me fije të gjata i deleve vendase, ka 4.400.000 banorë. Është kryeqytet politik i vendit, që nga viti 1923, kur Mustafa Kemal Atatürk e zgjodhi, kryesisht për shkaqe strategjike, si seli e institucioneve politike dhe administrative të Republikës së sapolindur turke. Qyteti nisi të zgjerohet rreth vitit 1928, mbi bazën e një plani të saktë urbanistik, hartuar nga arkitekti austriak H. Jansen, në formë tetëkëndëshi, me udhë të gjera e të drejta e me shumë hapësira të blerta. Më pas u ndërtuan edhe pallatet hijerënda të ministrive, të përfaqësive diplomatike, të bankave e të institucioneve kulturore. Në dhjetëvjeçarët e fundit qyteti vijon të zgjerohet me shpejtësi marramendëse me një mori lagjesh popullore, duke kaluar nga 300 mijë banorë, që kishte më 1950, në 5 milionë banorë, që ka aktualisht. Shumë i përhapur fenomeni i shtëpive të ndërtuara brenda një nate.Qyteti është i pasur me institucione kulturore: këtu mund të soditësh Muzeun e Qytetërimeve Anatolike, ku mund të admirohen koleksione me interes të jashtëzakonshëm; pastaj, Muzeun Etnografik,Termet romake (shek III pas K.) dhe Kështjellën, rrethuar me mure të 600-tës, sot nën kujdesin e UNESKO-s.Historia e lashtë e qytetit nis rreth viteve 750-500 para Krishtit, gjë që e dëshmon zbulimi i një numri të madh varresh të kësaj periudhe, rreth Muzeut të Atatürkut. E vendosur përgjatë Rrugës së madhe mbretërore persiane, kjo zonë u pushtua nga grekët, romakët, bizantinët, persianët, arabët, turqit, kryqtarët, mongolët, otomanët. Duke kaluar nga një pushtim në tjetrin, rreth vitit 1414 qyteti u kthye në një qendër të vogël, pa rëndësi. E kur Atatürk-u e zgjodhi (1920) si qendër të rezistencës kundër pushtimit grek, ishte qytezë e vogël, me 30 mijë banorë, e rrethuar nga stepat dhe e njohur vetëm për sektorin e punimit të leshit, me emrin e mirënjohur “angora”.







All the contents on this site are copyrighted ©.