Papa Françesku, rregulltarëve: mos kini frikë të përtërini strukturat
Nuk duhet të kemi frikë t’i përtërijmë strukturat, të cilat na pengojnë ta dëgjojmë
zërin e atyre, që presin Ungjillin: këto ishin fjalët e Papës Françesku në asamblenë
e përgjithshme të Kongregatës për Institutet e Jetës së Shuguruar, që mbahet këto
ditë në Romë, me temë “Verë e re në shirqe të reja”. Kujtojmë se të dielën, me fillimin
e Kohës së Ardhjes, nis edhe Viti i ri liturgjik, të cilin Kisha ia kushton pikërisht
jetës së përkushtuar për Zotin. Pas Koncilit
II të Vatikanit, kujtoi Ati i Shenjtë, Institutet rregulltare janë përpjekur të venë
në jetë përtëritjen shpirtërore, karizmatike dhe institucionale, që kërkoi ai. Kjo
i nxiti njerëzit të gjejnë përgjigje të reja për ftesën e Jezusit, i cili u thotë
të lënë gjithçka për ta ndjekur e për të shpallur Ungjillin: “Nuk duhet të
kemi frikë për të lënë ‘shirqet e vjetra’. Pra, t’i përtërijmë ato qëndrime e ato
struktura që, në jetën e Kishës e në jetën e përkushtuar, i shohim si të papërshtatshme
për t’iu përgjigjur kërkesave të Zotit sot, në mënyrë që të ecë përpara Mbretëria
e Tij në botë: strukturat, që na japin mbrojtje të rreme e që e kushtëzojnë dinamizmin
e dashurisë së krishterë; qëndrimet, që na largojnë nga grigja ku jemi dërguar e na
pengojnë ta dëgjojmë thirrjen e njerëzve në pritje të Lajmit të Mirë të Jezu Krishtit”. Papa
numëroi dobësitë, që vërehen sot, në jetën rregulltare: kundërshtimet për çdo lloj
ndryshimi, zvogëlimin e forcës së saj tërheqëse, numrin e konsiderueshëm të atyre,
që largohen nga kuvendet: “E kjo më shqetëson! Më thotë diçka lidhur me përzgjedhjen
e kandidatëve, me formimin e tyre e pastaj vjen misteri i çdo njeriu, por këto dy
gjërat e para duhet t’i vlerësojmë mirë”. Ati i Shenjtë vuri në dukje dobësinë
e disa rrugëve për formimin e rregulltarëve, apo edhe rendjen pas detyrave institucionale
në dëm të jetës shpirtërore, ose integrimin e vështirë të kulturave e brezave të ndryshëm,
duke përfunduar me ekuilibrin problematik ndërmjet ushtrimit të autoritetit dhe përdorimit
të pasurive: “Më shqetëson edhe varfëria, eh! Unë i bëj publicitet familjes
sime, por Shën Injaci thoshte se varfëria është nëna dhe muri i jetës rregulltare.
Është nënë varfëria, jep jetë, ndërsa muri të mbron nga bota”. Papa Françesku
vuri në dukje disa kritere orientuese për jetën e rregulltarëve si: origjinaliteti
ungjillor i vendimeve, besnikëria ndaj karizmës, përparësia e shërbimit, kujdesi për
të vegjlit e të brishtët, respekti për dinjitetin e çdo njeriu. E pastaj, nënvizoi
rëndësinë e lutjes: “Ne rregulltarët jemi shuguruar për t’i shërbyer Zotit
e për t’u shërbyer të tjerëve me Fjalën e Zotit, apo jo? Për ju lutem, thuajuni anëtarëve
të rinj se lutja nuk është humbje kohe, adhurimi i Hyjit nuk është humbje kohe, lavdërimi
i Zotit nuk është humbje kohe. Nëse ne rregulltarët nuk ndalemi çdo ditë para Zotit
për t’u lutur pa kërkuar asgjë si këmbim, vera do të shndërrohet në uthull”. Ati
i Shenjtë vuri në dukje se Plenaria e Kongregatës është mbledhur në prag të Vitit
të Jetës së Shuguruar. Prandaj, i ftoi të pranishmit t’i luten Zotit, që këtë vit,
t’i ndihmojë të gjithë të shuguruarit të fusin “verë të re në shirqe të reja”: “Shën
Maria Virgjër ju shoqëroftë e nxjerrtë nga Zoti për ju hovin e ri të të ringjallurve
në Krishtin e guximin e shenjtë për të kërkuar udhë të reja”.