Papa: mos bini në dëshpërim para së keqes, por jetoni me shpresë
Edhe në mesin e vështirësive më të mëdha, i krishteri nuk duhet të bjerë në dëshpërim.
Këtë theksoi Papa Françesku në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës. Ati
i Shenjtë vuri në dukje se “korrupsioni” e “shpërqendrimi” na largojnë nga Zoti. Babilonia dhe
Jeruzalemi. Në homelinë e tij, Papa mori shkas nga këto dy qytete për të cilat flet
Libri i Zbulesës dhe Ungjilli i shën Lukës. Të dyja pjesët e liturgjisë së sotme na
kujtojnë fundin e botës. Dy qytetet e pranuan Zotin, por pastaj u larguan prej Tij
e u shembën. Qyteti i Babilonisë ra për shkak të korrupsionit, është simbol i mëkatit
dhe i së keqes, pasi ndjehej zot i botës dhe i vetvetes. Kështu ndodh edhe sot me
njerëzit e korruptuar, theksoi Ati i Shenjtë: “Sepse korrupsioni të jep disi
lumturi, të jep pushtet e të bën të ndjehesh i kënaqur me vetveten: nuk i lë hapësirë
Zotit, për kthimin e zemrës. Qyteti i korruptuar… E kjo fjalë, ‘korrupsion’, sot,
na thotë shumë: jo vetëm korrupsion ekonomik, por korrupsion me mëkate nga më të ndryshmet;
korrupsion me atë shpirtin pagan, me atë shpirtin e kësaj bote. Korrupsioni më i shëmtuar
është [mbizotërimi] i shpirtit të kësaj bote!” Kjo kulturë e korruptuar të
bën të ndjehesh në Parajsë, të duket vetja i fuqishëm, ke gjithçka, por kjo lloj kulture
“qelbet nga brenda”, tha pa doreza, Papa Françesku. Babilonia përfaqëson simbolikisht
çdo qytet, çdo shoqëri, çdo kulturë, që kur largohet nga Zoti e nga dashuria për të
afërmin, kalbet nga brenda. Ndërkaq, Jeruzalemi bie për një arsye tjetër. Jeruzalemi
është nusja e Zotit, por nuk e kupton kur Dhëndërri Hyjnor i vjen për vizitë, nuk
e ka mendjen aty e, për këtë arsye, e bën Hyjin të derdhë lot: “Babilonia bie
për shkak të korrupsionit; Jeruzalemi, për shkak të shpërqendrimit, sepse nuk e pret
Zotin, që vjen ta shpëtojë. Nuk e ndjente nevojën e shpëtimit. Kishte shkrimet e profetëve,
të Moisiut e këto i mjaftonin. Ama ishin shkrime të mbyllura! [Jeruzalemi] nuk i linte
vend shpëtimit: i kishte portat e mbyllura për Zotin! Hyji trokiste në derë, por askush
s’ishte i gatshëm ta priste, ta dëgjonte, ta linte veten të shpëtohej prej Tij. E
kështu, bie…” Këto dy shembuj, vazhdoi Papa Françesku, mund të na nxisin të
mendojmë për jetën tonë: a jemi të ngjashëm me Babiloninë e korruptuar, apo me Jeruzalemin
e hutuar? E megjithatë, nënvizoi Ati i Shenjtë, të dyja leximet e sotme nuk e lënë
njeriun pa shpresë. Jezusi na fton ta ngremë kryet e të mos trembemi nga paganët.
Këta kanë kohën e tyre e duhet t’i durojmë, ashtu siç duroi Zoti Mundimet e veta: “Kur
mendojmë për fundin, me gjithë mëkatet tona, me gjithë historinë tonë, mendojmë edhe
për banketin që do të na jepet falas, e kështu, e ngremë kryet. S’ka dëshpërim: ka
shpresë! Por realiteti është i shëmtuar: ka shumë e shumë popuj, qytete e njerëz,
që vuajnë; shumë e shumë luftra, urrejtje, zili, mondanitet shpirtëror e shumë korrupsion.
Po, është e vërtetë! Gjithçka do të bjerë! T’i lutemi Zotit për hirin që të jemi të
përgatitur për banketin, që na pret, gjithnjë me kokën lart”.