Papa, paolinëve: mos imitoni media, që kërkojnë spektakël me çdo kusht
Të krishterët kanë për detyrë të kumtojnë Ungjillin, pa përjashtuar askënd. Papa Françesku
priti në Vatikan pjesëmarrësit e Shtegtimit të Familjes Paoline, në 100-vjetorin e
themelimit nga i Lumi Giacomo Alberione. Qe rasti për të folur mbi praninë e tyre
në media e për mënyrën e shpalljes së Lajmit të Mirë. Sekreti i ungjillëzimit, nënvizoi
Ati i Shenjtë, është në fjalët e Jezusit, “falas keni marrë, falas jepni”: “…që do të
thotë ta komunikosh Ungjillin sipas stilit të Ungjillit, pra falas, pa biznese. Gëzimi
për dhuratën e marrë, për hir të dashurisë së pastër, komunikohet me dashuri. Falas
e me dashuri. Vetëm ai që e ka provuar atë gëzim mund ta komunikojë, madje, nuk mund
të mos e komunikojë, sepse e mira ka gjithnjë prirjen të komunikohet… Duke e kumtuar,
e mira ngjit e zhvillohet”. Ati i Shenjtë këshilloi t’u kumtohet Ungjilli
atyre që nuk e njohin Jezu Krishtin, ose atyre që e kanë refuzuar gjithnjë, pasi mund
ta kërkojnë Zotin fshehtas e me nostalgji për Fytyrën e Tij. Duhet kumtuar edhe dashuria
për unitetin në Kishë: “E gjithë puna juaj, zelli apostolik, duhet të jetë
plot me këtë dashuri për bashkim. Kurrë mos favorizoni konfliktet, kurrë mos imitoni
si majmunë ato media komunikimi, që kërkojnë vetëm spektaklin e konfliktit e shkaktojnë
shkandull në shpirt. Favorizoni gjithnjë unitetin në Kishë, bashkimin që Jezusi i
kërkoi Atit si dhuratë për nusen e vet”.