Zbulim arkeologjik: në Ramallah vendvarrosja e Shën Shtjefnit
Arkeologu palestinez Salah Hussein al Hudeliyya, në krye të skuadrës së studiuesve
të angazhuar në fushatën e gërmimeve dhe të kërkimeve pranë zonës arkeologjike të
Khirbert El Tireh (dy kilometra larg nga qyteti palestinez i Ramallahut) konfirmoi
rigjetjen e gjurmëve, që krijojnë mundësitë për ta idetifikuar këtë zonë arkeologjike
me vendvarrosjen e Shën Shtjefnit, martir i parë i krishterë. Kërkimet, realizuar
nga arkeologë palestinezë dhe izraelitë, që bëjnë pjesë në një projekt të mbështetur
nga Al Quds University, janë përqendruar rreth mbetjeve të një kompleksi të madh bizantin,
që përfshin një kishë e një manastir. “Në një nga mjediset e studiuara, deklaroi arkeologu
në mediat vendase, rimarrë nga agjencia Fides, u ndeshëm me një mbishkrim, që tregon
se kjo kishë u ndërtua për nder të apostullit e kryediakonit Shën Shtjefni, martir
i parë, varrosur këtu në vitin 35 pas Krishtit”. Projekti i studimit do të krijojë
kushtet për t’i vijuar kërkimet arkeologjike në këtë zonë edhe për pesë vjet. Një
seksion i gjerë i zonës arkeologjike i përket patriarkanës greko-ortodokse të Jeruzalemit.
Është e natyrshme ta parashikosh radhitjen e sitit arkelogjik në itineraret e shtegtimit
në Tokën e Shenjtë. Nuk mund të mos kujtojmë se ky është lajm, që meriton edhe
vëmendjen e shqiptarëve, sidomos të shkodranëve, sepse i lidhur ngushtë me traditën
e krishterë të qytetit, që e ka zgjedhur pikërisht Shën Shtjefnin si Pajtor. Shën
Shtjefnit i qe kushtuar katedralja, ngritur për nder të martirit të parë në kështjellën
e Rozafës; Shën Shtjefnit, edhe katedralja e sotme e qytetit. Shtjefën e Stefan quhen
shumë banorë katolikë, që mbartin brezni në brezni kujtimin e Martirit të parë, varrosur
në Khirbet El Tireh.