2014-11-26 17:07:14

Olen Çezari në Romë: “klandestinët” në Auditoriumin “Parku i Muzikës”


Ndoshta pak shqiptarë kanë nevojë t’u kujtojmë kush është Olen Çezari, violinisti nga Durrësi, që shumë e vlerësojnë si artist të jashtëzakonshëm. Megjithatë, dy-tri penalata mbi mjeshtrin që erdhi në Itali në moshën 14 vjeçare, u diplomua me nota të shkëlqyera në Akademinë prestigjoze të Shën Çeçiles, duke u bërë violinisti më i ri i diplomuar, në historinë e konservatorit romak, na duken të arsyeshme. Një vit pas Romës, e pret Mozarteum-i i Salisburgut, pas të cilit, çdo veprimtari kthehet në sukses. Bashkëpunon me muzikantë të mëdhenj italianë e ndërkombëtarë, nga Bob Dylan tek Michel Petrucciani, nga Leny Ravitz tek Maroon 5, e pastaj, Lucio Dalla, Claudio Baglioni, Sergio Cammariere, Ana Oxa, Zucchero e të tjerë. I bie violinës kudo, edhe para shën Gjon Palit II, duke merituar gjithnjë çmime të rëndësishme. Albumi i tij i parë si autor muzike quhet “Unexpected” (I papritur) dhe të çon me anë të muzikës, në anë të ndryshme të botës. Vetë Olen Çezari dhe orkestra e tij me emër domethënës “International Clandestine Orchestra” (Orkestra Ndërkombëtare Klandestine) është nesër, në orën 21, në Sallën Sinopoli të Auditoriumit “Parku i Muzikës” në Romë. Grupi shumëetnik i përbërë nga gjashtë muzikantë, me gjashtë kombësi të ndryshme, - të gjithë të famshëm në fushën e tyre - do të japë një koncert, me sfond pamje nga detet e oqeanet, ku ndjehet prejardhja nga Durrësi e violinistit virtuoz, por edhe shija e hidhur, që i ka mbetur nga mbytja e mijëra emigrantëve, të cilët e kanë varrin në fundin e detit. “Shpirtit të tyre ia kushtojmë koncertin tonë”, thotë Olen Çezari, i cili erdhi të na takojë në Radio Vatikan. Ja ç’na tha: RealAudioMP3








All the contents on this site are copyrighted ©.