2014-11-26 14:41:12

Dita e parë Ndërkombëtare e lutjes kundër trafikut të njerëzve


Dita e parë ndërkombëtare e lutjes dhe e reflektimit kundër trafikut të njerëzve do të kremtohet në të gjitha dioqezat e famullitë e botës, në grupe e në shkolla, më 8 shkurt 2015. Jo rastësisht, në këtë datë Kisha Katolike kremton festën liturgjike të shën Jozefina Bakitës, skllave sudaneze, e cila, kur u bë e lirë, ia kushtoi jetën Zotit si murgeshë kanosiane. U shpall shenjte në vitin 2000. Nisma promovohet nga Këshilli Papnor për Drejtësinë e Paqen dhe nga Bashkimet Ndërkombëtare (femërore e mashkullore) të Eprorëve të Përgjithshëm.
Kisha dëshiron kështu të sensibilizojë opinionin publik për fenomenin e të reflektojë mbi gjendjen globale të dhunës e padrejtësisë, në të cilën janë përfshirë shumë njerëz, që nuk mund ta ngrenë zërin, nuk i llogarit askush, nuk janë askush, trajtohen thjesht si skllevër.
Sipas të dhënave zyrtare, viktimat e trafikut të njerëzve arrijnë në 21 milion vetë në të gjithë botën. Shfrytëzohen për qëllime seksuale, për punë të detyruar, për transplantimin e organeve, flaken në rrugë si lypës, përdoren për punët e shtëpisë, detyrohen të martohen me zor, janë objekt i birësimeve të paligjshme dhe të formave të tjera të skllavërimit modern.
Çdo vit, trafiku i njerëzve përfshin 2,5 milion viktima të tjera. Pse nuk ndalet? Sepse kjo veprimtari kriminale siguron një xhiro prej 32 miliard dollarësh në vit, duke u radhitur në “biznesin” e tretë më fitimprurës, pas trafikut të drogës dhe atij të armëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.