2014-11-25 15:51:13

Papa organizon një konferencë për Haitin, 5 vjet pas tërmetit


Papa Françesku ka vendosur të organizojë një konferencë për Haitin në Vatikan, pesë vjet pas tërmetit, që krijoi probleme të jashtëzakonshme, në një vend të varfër, i cili akoma nuk e ka ngritur kryet. Ati i Shenjtë synon të mbajë gjallë vëmendjen botërore për këtë katastrofë humanitare, por edhe dëshiron të konfirmojë afërsinë e Kishës me popullin haitian. Konferenca, njofton në një komunikatë Këshilli Papnor “Cor Unum”, do të mbahet më 10 janar 2015, në bashkëpunim me Komisionin Papnor për Amerikën Latine dhe me ipeshkvijtë vendas.
Ndërkaq, që sot e deri më 29 nëntor, kryetari i Këshillit Papnor “Cor Unum”, kardinali Robert Sarah, ndodhet për vizitë në Haiti, për të përuruar shkollën “Notre Dame des Anges” në Leogane, ndërtuar falë punës së Kishës lokale dhe koordinimit të nunciaturës apostolike – shenjë e dukshme se Kisha Katolike nuk e ka harruar popullin haitian e vazhdon të sigurojë ndihmën e saj për rindërtimin e vendit. Kujtojmë se tërmeti shkaktoi 230 mijë viktima e përfshiu, në nivele të ndryshme, 3 milion vetë, të cilët humbën gjithë ç’kishin. Kardinali Sarah do të takohet me Karitasin, me rregulltarët e laikët katolikë, por edhe me autoritetet haitiane, përfshirë presidentin e vendit, duke iu çuar të gjithëve inkurajimin e Papës Françesku.







All the contents on this site are copyrighted ©.