2014-11-25 15:25:39

Papa në Parlamentin Evropian: dinjiteti trashendetal i njeriut, bazë e politikave të Evropës


Jashtë Vatikanit sot, Papa Françesku, i cili vizitoi për herë të parë Institucionet Evropiane në Strasburg e mbajti dy fjalime të gjata e intensive në selinë e Parlamentit Evropian dhe në atë të Këshillit të Evropës, mbledhur në sesion solemn. E na pëlqen ta fillojmë tregimin tonë për këtë udhëtim apostolik, me lajmin se përveç të mëdhenjve të Evropës e përveç fjalimeve të rëndësishme, Ati i Shenjtë i kushtoi kujdes dhe u takua edhe me një zonjë të moshuar gjermane, e cila e pati mbajtur në shtëpi për dy muaj në vitin 1986. Quhet Helma Schmidt dhe ia hapi shtëpinë Papës së ardhshëm, kur Horhe Mario Bergolio studionte në Boppard të Gjermanisë. RealAudioMP3
Çasti i dytë, që na pëlqen të vemë në dukje, është momenti, kur Papa Françesku përmendi, ndër të tjera, nevojën e integrimit në Bashkimin Evropian me një identitet të përcaktuar mirë. Në selinë e Parlamentit, sot paradite, në orën 11.15, Ati i Shenjtë përmendi Ballkanin, i ndërgjegjshëm për gjendjen, pas vizitës së tij në Shqipëri:
“Vetëdija e identitetit personal është e nevojshme edhe për të dialoguar pozitivisht me shtetet, që kanë kërkuar të hyjnë e të bëjnë pjesë në Bashkimin Evropian në të ardhmen. Mendoj sidomos për ata të zonës ballkanike, për të cilët hyrja në Bashkimin Evropian do të thotë përgjigje për idealin e paqes në një rajon, që ka vuajtur jashtëzakonisht nga konfliktet e së kaluarës”.
Por fjalimi drejtuar Evropës “së drobitur” dhe “të vetmuar” ishte i shumëanshëm, gjithnjë me qëllimin për ta shkundur nga apatia, duke i kujtuar rolin e protagonistes botërore, identitetin e saj si mbrojtëse e dinjitetit trashendental të njeriut, duke i tërhequr vëmendjen për zgjidhjen e problemeve të të varfërve, të emigrantëve, të të persekutuarve, të të moshuarve e të të rinjve, duke i kërkuar të rigjejë rrënjët e veta të krishtera, që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në 2000 vjetët e fundit. “Jo pa konflikte e gabime”, komentoi Papa Françesku, ndërsa fliste për marrëdhëniet e kontinentit me krishterimin, por gjithnjë “udhëhequr nga dëshira për të punuar për të mirën e të gjithëve”. E prej këndej nis mesazhi i shpresës dhe i inkurajimit i Atit të Shenjtë për 500 milion evropianë:
“Inkurajim për t’u kthyer në bindjen e fortë të etërve themelues të Bashkimit Evropian, të cilët dëshironin një të ardhme të bazuar në aftësinë për të punuar së bashku në kapërcimin e ndarjeve e në favorizimin e paqes e të bashkimit ndërmjet gjithë popujve të kontinentit”.
Në qendër të këtij procesi politik ambicioz, kujtoi Papa, ishte besimi tek njeriu, jo aq si qytetar, as si subjekt ekonomik, por në njeriun si person të pajisur me atë që Ati i Shenjtë e quajti “dinjitet trashendental”, pra, që vjen prej Zotit. Papa Françesku e shpjegoi hollësisht konceptin e dinjitetit trashendental, mbi të cilin u bazua krejt fjalimi i tij para parlamentarëve evropiane, duke theksuar si ka ndikuar ai pas Luftës II Botërore, në kuptimin e në vënien e bazave për qëndrime e ligje, që i kanë shoqëruar popujt evropianë në udhën e ndërgjegjësimit për të drejtat e njeriut e për planin e bashkimit të Evropës në një shpirt të vetëm. Të drejta e vlera, që sot, vuri në dukje Ati i Shenjtë, keqkuptohen e keqinterpretohen:
“Vërtet, ku është dinjiteti, kur mungon mundësia për të shprehur lirisht mendimin, ose për të shpallur pa probleme fenë? Cili dinjitet është i mundur, pa një kornizë juridike të qartë, që kufizon mbizotërimin e forcës e bën të fitojë ligji mbi tiraninë e pushtetit? Ç’dinjitet mund të ketë vallë një burrë apo një grua, që bëhen objekt i çdo lloj diskriminimi? Ç’dinjiteti mund të ketë njeriu, që nuk ka as bukë e as minimumin për të jetuar e, edhe më keq, nuk ka punën, që i jep dinjitet?”
Respekti për dinjitetin e njeriut kalon nga respekti i të drejtave të patjetërsueshme të tij e këtu, Papa lavdëron punën e Bashkimit Evropian, por vë në dukje edhe rreziqet e theksimit të të drejtave individuale – “individualiste”, shton pa letër – pasi njeriu nuk jeton i vetëm në këtë botë:
“…çdo njeri jeton në rrethana shoqërore, ku të drejtat dhe detyrat e tij janë të lidhura ngushtë me ato të të tjerëve dhe me të mirën e përbashkët të vetë shoqërisë”.
Para parlamentarëve, që merren çdo ditë me këto probleme, Papa shpjegoi ç’do të thotë të flasësh për dinjitet të vërtetë:
“…[do të thotë] ta shohësh njeriun jo si absolut, por si qënie shoqërore, që lidh marrëdhënie me të tjerët. Një nga sëmundjet më të përhapura, që shoh sot në Evropë, është vetmia, karakteristike për atë, që s’është i lidhur me askënd”.
Të rinjtë, të varfërit, emigrantët, kriza ekonomike: problemet në këto fusha, nënvizoi Papa Françesku, janë në bazën e mosbesimit të qytetarëve evropianë, të cilët përjetojnë lodhjen dhe plakjen e përgjithshme të shoqërisë. E Ati i Shenjtë denoncoi me forcë:
“Vihet re me keqardhje mbizotërimi i çështjeve teknike dhe ekonomike, në qendër të debatit politik, në dëm të një orientimi të vërtetë antropologjik. Njeriu rrezikon të reduktohet në ingranazhin e thjeshtë të një mekanizmi, që e trajton si të ishte mall për konsum, kështu që – siç vërejmë shpesh, fatkeqësisht – kur jeta nuk është më në funksion të këtij mekanizmi hidhet pa u merakosur shumë, si në rastin e të sëmurëve pa shërim, të të moshuarve të braktisur për të cilët nuk kujdeset askush, ose si në rastin e fëmijëve, që vriten para së të lindin”.
Përsa i përket punës, Papa kërkoi të bashkohet elasticiteti i tregut me qëndrueshmërinë e sigurinë e perspektivës për punë. Për emigrantët kërkoi politika të drejta, të guximshme, konkrete e të painteres. Ngriti gjithashtu zërin për kujdesin ndaj familjes, për respektin ndaj ambientit, ndaj Krijimit të Zotit, duke i thënë Evropës ta përdorë aftësinë e saj krijuese në gjetjen e zgjidhjeve, aftësi, që duhet ushqyer e formuar përmes edukimit e arsimimit. Shembujt nuk mungojnë, vërejti Ati i Shenjtë, duke përmendur zbulimin e burimeve alternative të energjisë.
Më pas, Papa Françesku denoncoi absolutizimin e teknikës, konsiderimin e jetës së njeriut si objekt shkëmbimi apo tregtie, shndërrimin e Detit Mesdhe në varrezë për të dëshpëruarit që kërkojnë një jetë më të mirë, persekutimin e pakicave fetare, sidomos ato të krishtera, kujtoi njerëzit e kthyer në skllevër, të vrarët, atyre që u pritet koka, që kryqëzohen, ose digjen të gjallë thjesht për faktin se janë të krishterë. E pa doreza shtoi: “…në heshtjen e turpshme e bashkëpunimin e shumë vetëve”.
E Ati i Shenjtë përmendi edhe një herë vlerat, që ndërtuan Evropën: dinjiteti, paqja, solidariteti, susidiariteti:
“Një Evropë, që nuk është më e aftë t’ia hapë zemrën përmasës transhendentale të jetës, është një Evropë, e cila, dalëngadalë, rrezikon të humbasë shpirtin, edhe atë ‘shpirt humanist’, që e do dhe e mbron aq shumë”.
E nëse ndokush nuk i ka fort të qarta rrënjët e Evropës, Papa foli edhe për të, duke i numëruar që nga “burimet e largëta, të cilat vijnë nga Greqia e nga Roma, nga nënshtresa kelte, gjermanike e sllave e – nënvizoi – deri tek krishterimi, që i plazmoi”. Pastaj, ftesa për të mos pasur frikë nga krishterimi:
“Në këtë kuadër, e konsideroj themelor, jo vetëm kontributin që ka dhënë krishterimi në të kaluarën për formimin shoqëroro-kulturor të kontinentit, por edhe, e sidomos, kontributin që synon të japë sot e në të ardhmen për rritjen e tij. Ky kontribut nuk përbën rrezik për laicitetin e shteteve dhe për pavarësinë e institucioneve të Bashkimit Evropian, por është pasurim”.
Papa Françesku vuri në dukje se Kisha është e gatshme të dialogojë haptas me institucionet evropiane, pasi është e sigurtë se Evropa do të dijë ta përdorë si duhet trashëgiminë e saj fetare, duke shfrytëzuar pasurinë e mundësitë e fesë, që e largojnë kontinentin edhe nga ekstremizmat e botës së sotme:
“…mendoj se Evropa është një familje popujsh, të cilët mund t’i ndjejnë pranë institucionet e Bashkimit, nëse ato do të dinë të kombinojnë me urti idealin aq të dëshiruar të unitetit me ndryshueshmërinë e secilit, duke vlerësuar traditën individuale; duke u bërë të vetëdijshme për historinë dhe rrënjët e Evropës; duke u çliruar nga manipulimet dhe fobitë e shumta. Vendosja e njeriut në qendër do të thotë, para së gjithash, ta lejosh të tregojë lirisht fytyrën e krijimtarinë e vet, si në nivelin individual, ashtu edhe si popull”.
E këtu, alarmi i Papës për demokracinë – zemra e krenaria e Bashkimit Evropian. Konceptimi i globalizimit si homologim, nënvizoi Françesku, godet gjallërinë e sistemit demokratik:
“E dimë të gjithë se një konceptim homologues i globalitetit godet gjallërinë e sistemit demokratik. …Kështu, ka rrezik të jetojmë në mbretërinë e ideve, të fjalës së vetme, të imazhit, të sofizmës… e të ngatërrojmë realitetin e demokracisë me një nominalizëm të ri politik (diktaturë). Gjallërimi i demokracisë në Evropë kërkon t’u shmangemi shumë ‘manive globalizuese’ për shpërbërjen e realitetit: purizmat engjëllore, totalitarizmat e relativitetit, fundamentalizmat jashtë historisë, eticizmat pa mëshirë e mirësi, intelektualizmat pa urti”.
Në fund të fjalës së tij të gjatë e të ngjeshur me argumente, Papa Françesku, para se të largohej për në Këshillin e Eropës, u tha kështu eurodeputetëve:
“Ju legjislatorëve ju takon detyra për ta ruajtur e zhvilluar identitetin evropian, që qytetarët të rigjejnë besimin në institucionet e Bashkimit e në projektin e paqes e të miqësisë, që është themeli i tij… [prandaj] ju bëj thirrje të punoni që Evropa të rizbulojë shpirtin e saj të mirë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.