2014-11-25 16:40:07

Papa në Këshillin Evropian: pa rrënjë nuk ka jetë, kërkojeni të vërtetën


Evropa le t’i zbulojë rrënjët e veta për të ndërtuar një të ardhme në paqe e në dialog me botën. Kjo është sfida që propozoi Papa Françesku në fjalimin e tij para Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës. Para se të merrte fjalën, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland e përshëndeti përzemërsisht Atin e Shenjtë në emër të gjithë anëtarëve të Këshillit të Evropës. RealAudioMP3
Papa Bergoglio ripohoi denoncimin e Kishës kundër trafikut të armëve e të qenieve njerëzore, e paralajmëroi se pa kërkimin e së vërtetës, demokracia bie në individualizëm e kështu kalon lehtë në globalizimin e indiferencës.
“Një plep me degë të veta drejtuar kah qielli”, trungu i tij “solid e rrënjët e fundosura në tokë”. Papa Françesku huazoi fjalët e një poezie të Clemente Rebora për të përshkruar në mënyrë të qartë idenë e tij, që është shumë më tepër se një ëndërr. Një imazh i fortë të cilin Papa e zhvilloi duke vërejtur para se gjithash, me një ton zëri që kujton Gjon Palin II, se “po u humbën rrënjët, trungu dalëngadalë zbrazët e vdes”. Këtu, vërejti ai, “ndoshta gjendet njëri prej paradokseve më të pakuptueshme për një mendësi shkencore të izoluar: fakti se për të ecur drejt së ardhmes lypet e kaluara”, “lypet memoria, guximi, utopia njerëzore e shëndosh”. E Bergoglio kujtoi se për poetin Rebora “trungu fundoset aty ku është e vërteta”:
Rrënjët ushqehen nga e vërteta, që përbën ushqimin, limfën jetike të çdo shoqërie që dëshiron të jetë më të vërtetë e lirë, njerëzore e solidare. Nga ana tjetër, e vërteta i bënë thirrje ndërgjegjes, që është e pamposhtur para shtrysnive e kushtëzimeve, e prandaj është e aftë të njohë dinjitetin personal e të hapet para absolutit, duke u bërë gurrë e përcaktimeve themelore që priren nga kërkimi i së mirës për të tjerët e për vete dhe vend i një lirie të ndërgjegjshme”.
Duhet pasur parasysh, tha më tej Papa, se “pa kërkimin e së vërtetës, çdonjëri bëhet masë e vetvetes dhe të veprimeve personale, duke i hapur rrugën pohimit subjektivist të të drejtave, kështu që botëkuptimi i së drejtës njerëzore, që në vetvete ka vlerë universale, zëvendësohet me idenë e së drejtës individualiste”. Kjo, paralajmëroi Papa, “sjell deri te moskujdesi i tjerëve e favorizimi i globalizimit të indiferencës, që lindë nga egoizmi, që është fryt i një koncepti të njeriut të paaftë të pranojë jetën e ta jetojë në mënyrë të vërtetë përmasën shoqërore”:
Një individualizëm i tillë e bënë përmasën njerëzore më të varfër e kulturën të shterpët, sepse i këput konkretisht ato rrënjë të frytshme në të cilat është shartuar pema. Nga individualizmi indiferent lind kulti i pasurisë, që përkon me kulturën e mënjanimit, me kulturën e përjashtimit, në të cilën jemi zhytur. Realisht kemi shumë sende, që shpesh as nuk shërbejnë, por nuk jemi më në gjendje t’i ndërtojmë marrëdhëniet e vërteta njerëzore, të mbështetura mbi të vërtetën dhe respektin e anasjelltë.
E kështu, shtoi Papa Françesku, “sot kemi para sysh imazhin e një Evrope të lënduar, për shkak të shumë sprovave të së kaluarës, por edhe për shkak të krizës së sotme”. Një kontinent “që nuk duket më i aftë t’i bëjë ballë krizës me gjallërinë dhe energjinë e dikurshme”. Një Evropë, nënvizoi Papa, “pak si e lodhur dhe pesimiste, që ndjehet e rrethuar nga risitë që vijnë prej kontinenteve tjera”:
Evropën mund ta pyesim: ku është fuqia jote? Ku është ai ideal që ushqeu dhe e bëri të madhe historinë tënde? Ku është shpirti yt i guximit kureshtar? Ku është etja për të vërtetën, që deri më tani ia ke komunikuar botës me pasion?”.
Papa e ftoi Evropën t’i konsideron rrënjët e veta jo thjesht si “nostalgji ndaj së kaluarës”, por si thesar njerëzor “akoma në gjendje t’i frymëzojë” evropianët për të ndërtuar qytetërimin vëllazëror të bazuar mbi të mirën dhe paqen.







All the contents on this site are copyrighted ©.