2014-11-25 14:26:31

Këshilli i Evropës


Është organizmi më i lashtë ndërqeveritar evropian e ai që përmbledh më shumë vende të kontinentit: 47 shtete anëtare me një popullsi prej 800 milion banorësh. Këshilli i Evropës u themelua më 1949, më synim promovimin e demokracisë, të të drejtave të njeriut, të shtetit të së drejtës e kërkimin e zgjidhjeve të përbashkëta për sfidat shoqërore, kulturore e ligjore të kontinentit. Megjithëse është fjala për një organizëm të pavarur nga Institucionet e Bashkimit Evropian, është praktikë e konsoliduar tashmë, që çdo vend, i cili synon integrimin në BE, duhet të pranohet më parë në këtë Këshill, për të dëshmuar kështu respektimin e vërtetë të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut.
Shtetet anëtare janë 47: Shqipëria, Andorra, Armenia, Austria, Azerbajxhani, Belgjika, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Qipro, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjeorgjia, Gjermania, Greqia, Hungaria, Islanda, Irlanda, Italia, Letonia, Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Malta, Molldavia, Monako, Mali i Zi, Norvegjia, Hollanda, Polonia, Portugalia, Rumania, Federata Ruse, San Marino, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Zvicra, Maqedonia (FYROM), Turqia, Ukraina, Mbretëria e Bashkuar. Së fundi, Bjellorusia ka bërë kërkesën më 12 mars 1993.
28 shtetet e BE-së janë edhe anëtarë të Këshillit të Evropës, por ai është krejtësisht i pavaruar nga BE-ja, megjithëse bashkëpunon me institucionet e saj në disa sektorë si mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe e vlerave demokratike.
Këshilli i Evropës ka dy organe (Komitetin e Ministrave dhe Asamblenë Parlamentare), tre institucione (Gjukatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (1959), Komisarin për të Drejtat e Njeriut, Kongresin e Pushteteve Lokale dhe Rajonale), si edhe disa organizma të tjera si Farmakopeja Evropiane, Observatori Evropian i Audiovizivëve, Eurimazhi. Sekretari i Përgjithshëm drejton dhe koordinon veprimtaritë e Këshillit.
“Palais de l’Europe” është shtabi i përgjithshëm i Këshillit të Evropës. Aty punojnë rreth 2 mijë vetë, nga vende të ndryshme anëtare.
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës është z. Thornbjorn Jagland. I zgjedhur në shtator 2009 për mandatin e tij të parë, u konfirmua më 1 tetor 2014. 63 vjeç, norvegjez, ish-kryetar i Partisë Laburiste, president i Parlamentit, Ministër i Jashtëm dhe Kryeministër i Norvegjisë. Aktualisht, kryeson edhe Komitetin norvegjez për Çmimin Nobel.







All the contents on this site are copyrighted ©.