2014-11-24 16:13:38

Françesku emëron kardinalin Sarah, prefekt të Kongregatës për Kultin Hyjnor


Më 23 nëntor, Ati i Shenjtë emëroi Prefekt të Kongregatës për Kultin Hyjnor e Disiplinën e Sakramenteve, kardinalin Robert Sarah, deri tani, kryetar i Këshillit Papnor “Cor Unum”. Ky vend ishte “vakant” që nga gushti, kur Papa Françesku emëroi prefektin e atëhershëm, kardinalin Antonio Canizares Llovera, kryeipeshkëv metropolit të Valencias.
Kardinali Sarah është me origjinë nga Guinea-Konakri. Është lindur në vitin 1945, është shuguruar ipeshkëv në moshën 34 vjeçare nga Gjon Pali II, i cili e quante “ipeshkvi fëmijë”, pasi ishte më i riu në botë, në këtë detyrë. Qe Papa Benedikti XVI që e krijoi kardinal më 20 nëntor 2011. Energjik, gjithnjë i pranishëm në kampet e refugjatëve, ku ka qenë shpesh si kryetar i Këshillit Papnor “Cor Unum”, detyrë që e ka kryer deri tani, kardinali Sarah thotë shpesh se njerëzit duhen mbrojtur nga mjerimi e jo nga varfëria, që predikonte Krishti.








All the contents on this site are copyrighted ©.